E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksportet, rënie 25 për qind në janar-mars

Eksportet shqiptare gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë ulur me 25 për qind në krahasim me një vit më parë, bëhet e ditur nga statistikat e Bankës së Shqipërisë. Më parë, importet besohej se kishin rënë me rreth 10 për qind, por të dhënat e mëparshme nuk merrnin parasysh efektin e kursit të këmbimit. Të dhënat e BSH mbi eksportet janë në euro dhe tregojnë se në periudhën janar-mars 09, eksportet qenë 234 milionë euro. Një vit më parë, Shqipëria pati eksportuar 310 milionë euro mallra. Më të goditurat, janë eksportet drejt Italisë. Ato janë ulur me 64 milionë euro në vetëm tre muaj, ose me rënie prej 42 për qind. Ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar që në fillim se Italia është rruga e transmetimit të krizës botërore në Shqipëri si në drejtim të eksporteve, ashtu edhe në drejtim të remitancave. Eksportet drejt Italisë punësojnë rreth 40 mijë vetë dhe rënia e eksporteve me 42 për qind nënkupton uljen e nevojës për krahë pune në të njëjtat përmasa. Nëse situata nuk përmirësohet shpejt, ekspertët besojnë se 10 deri në 20 mijë shqiptarë do ta gjejnë veten të papunë në muajt në vijim.

Fasonistët, më të goditurit

Kur përfaqësues të industrisë së përpunimit aktiv raportuan se janë gati të pushojnë nga puna rreth 11 mijë vetë, shumë pak njerëz i besuan. Vetë Kryeministri Berisha deklaroi se "eksportet kanë rënë me nja 5 për qind", por shtoi se kjo nuk është shqetësuese për shkak se vendeve të tjera u kanë rënë edhe më shumë. Por rënia me 25 për qind, e dëshmuar nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë në fakt se Shqipëria është prekur nga kriza po aq sa vendet e tjera të rajonit, ndoshta edhe më shumë. Italia tërheq 60-70 për qind të eksporteve totale të Shqipërisë.

Qeveria duket se ka pak ose aspak gjëra në dorë për të bërë kundër krizës, por indiferenca e saj ndaj krizës po i acaron gjithnjë e më shumë biznesmenët e prekur. Rënia e eksporteve me 70 milionë euro po rëndohet për industrinë eksportuese edhe nga numri i pamat i mekanizmave të taksave aforfe, të cilat qeveria i kërkon pa marrë parasysh gjendjen ekonomike të ndërmarrjeve. Kështu, ndërmarrjet nuk mund të deklarojnë pagesa të pjesshme për punëtorët e vet dhe duhet të paguajnë sigurimet shoqërore mbi paga reference pavarësisht nëse kanë punë apo jo. Javën e fundit, qeveria pranoi më në fund të lejojë kompanitë të mos paguajnë sigurime shoqërore për të punësuarit e rinj, të cilët kalojnë një periudhë trajnimi para se të fillojnë prodhimin. Sigurimet shoqërore nuk do të paguhen për një periudhë katërmujore. Por ky mekanizëm duket se nuk u hyn në punë shumë kësaj industrie në kohën kur punëtorët ekzistues kalojnë pjesën më të madhe të muajit pa punë.

Kriza e ka shtyrë industrinë e përpunimit aktiv të kërkojë tregje të reja për ofrimin e shërbimeve të veta, duke sjellë edhe diversifikim të hartës së eksporteve e për rrjedhojë, më pak rrezik krize në të ardhmen. Gjermania, Zvicra dhe Holanda janë vendet e reja që kanë filluar të sjellin porosi për qepje veshjesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›