E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja pse nuk ekziston më ligji i gjendjes së luftës me Greqinë

Edhe pse kanë kaluar dekada të tëra në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, akoma sot e kësaj dite diskutohet, nëse është hequr apo ekziston akoma ligji e për pasojë gjendja e luftës mes dy vendeve tona fqinje. Është e kuptueshme se kjo çështje mjaft jetike me interesa të përbashkëta të të dy qeverive dhe të dy popujve tanë nuk mund të kalohej në vite ashtu lehtë pa lënë gjurmë, ndaj edhe sot e kësaj dite ka debate e paqartësi, disa herë moskuptime apo edhe spekulime nga njerëz e shtresa të ndryshme shoqërore lidhur me fatin e gjendjes së luftës mes Greqisë e Shqipërisë. Në këtë drejtim, keqardhja më e madhe qëndron, kur për këtë problem të rëndësishëm spekulime bëhen nga politikanë e analistë që nuk i përgjigjen së vërtetës për këtë çështje mbështetur në fushën historike juridike e politike, aq më shumë është i pakuptimtë ky debat pa bereqet tani në situatat e reja, kur vendi ynë aderon drejt institucioneve më të rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ky fqinji ynë, Greqia, është nga autorët më të hershëm të këtij bashkimi. Por, si qëndron e vërteta për këtë të ashtuquajtur gjendje lufte me Greqinë e Shqipërinë?
Së pari, në aspektin historik
Italia më 7 prill 1939, i shpalli luftë Shqipërisë dhe më në fund e pushtoi atë ushtarakisht. Qëndresa e ushtrisë shqiptare ndaj makinës ushtarake italiane ishte e pamundur. Mbreti i Shqipërisë Ahmet Zogu dhe qeveria e tij legjitime u larguan nëpërmjet Greqisë dhe u vendosën në vendet aleate të koalicionit, ashtu siç bëri dhe Mbreti i Greqisë me qeverinë e tij, pasi u pushtua nga okupatorët gjermanë dhe italianë. Italia fashiste vendosi në Shqipëri regjimin e saj të pushtimit duke e shpallur Shqipërinë si pjesë të mbretërisë së saj me mbret Viktor Emanuelin. Në të njëjtën kohë krijoi organizmat shtetërore kuislinge të drejtuara nga mëkëmbësi i mbretërisë italiane Jakomoni. Në këto kushte lufta ishte midis boshtit italo-gjerman dhe Greqisë dhe jo me Shqipërinë e pushtuar, ku qeveria kuislinge nuk kishte asnjë autoritet legjitim të merrte vendime sovrane për të shpallur luftë. Qeveria legjitime e Shqipërisë u largua nga Shqipëria dhe u vendos në vendet aleate, që ishin në luftë me Italinë dhe Gjermaninë. Për nga sa rezulton situata e gjendjes së luftës me Greqinë ishte një paradoks historik, që është shfrytëzuar nga shovinizmi grek për qëllime të tjera politike.
Më 28 tetor Italia i shpalli luftë Greqisë dhe e sulmoi atë ushtarakisht. Qeveria greke me në krye Metaksanë nuk e pranoi ultimatumin dhe bëri një rezistencë, ku populli dhe ushtria greke bëri që ushtarët italianë jo vetëm të mos pinin kafen në Athinë brenda 24 orëve siç pretendonin, por të pësonin disfatë të rendë dhe do të ishin hedhur në det po të mos i ndihmonte ushtria gjermane, që e sulmoi nga veriu Greqinë dhe e pushtoi ushtarakisht duke vendosur edhe në Greqi regjimin e pushtimit italo-gjerman.

Së dyti. E vërteta në aspektin juridik

Më 10 nëntor 1940, Greqia shpalli ligjin 2663 “Për veprimet juridike armiqësore dhe sekuestrimin konservativ të pasurive armike”. Ndërsa po më datën 10 nëntor 1940, shpalli dekretin mbretëror, që përcaktoi shtete armike, sipas kuptimit të ligjit të lartpërmendur, “Italinë me zotërimet e saj, territoret perandorake, kolonitë e saj, si dhe Shqipërinë”. Përfshirja e Shqipërisë në këtë dekret mbretëror si shtet i pavarur ishte i padrejtë, pasi Shqipëria ishte një shtet i pushtuar nga Italia, ku vepronin rregullat e pushtimit me qeverinë përkatëse kuislinge, ashtu si dhe në Greqi.
Në ligjin 2663 të vitit 1940 u përcaktuan se a) - e drejta që me Dekretin Mbretëror dhe me propozim të kryetari të qeverisë, Ministrisë së Jashtme dhe Ekonomisë të caktohen shtetet armike, b) - u ndaluan marrëdhëniet tregtare dhe në përgjithësi çdo marrëdhënie midis personave që banonin në Greqi, pavarësisht nga kombësia e tyre dhe e armiqve si dhe çdo veprim i administratës ose veprim i njëanshëm i personave që banonin në Greqi, c) - u vunë në sekuestrim nga shteti pasuritë e armiqve dhe u ndalua disponimi i tyre nga armiqtë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1949, u shpall ligji nr. 1138, që ndryshoi ligjin e mëparshëm dhe përcaktoi se zgjidhja e zbatimit të dispozitave të këtij ligji mund të bëhet me vendim të përbashkët të Kryeministrit, ministrit të Jashtëm të Financës dhe të Drejtësisë, ndërkohë që ligji i mëparshëm për këto çështje kërkonte Dekret Mbretëror. Pra, sipas legjislacionit në fuqi që përmendëm, mund të rregulloheshin dy probleme: a) heqja e sekuestrimit të pasurive të shtetasve shqiptarë dhe b) heqja e gjendjes së luftës. Pikërisht në zbatim të dispozitave të luftës më 28 gusht 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë me në krye Andrea Papandreun, vendosi heqjen e gjendjes së luftës me Shqipërinë. Vlen të theksohet se ministri i Jashtëm i asaj kohe ishte z. Karolus Papulias, sot President i Republikës së Greqisë, i cili ka kontribuar direkt për heqjen e gjendjes së luftës. Përpara se të merrej vendimi i heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë, u diskutua gjerësisht nga juristë dhe konstitucionalistë të shquar grekë, me në krye profesor Jorgo Kasimatin, që në atë kohë ishte këshilltar juridik i qeverisë së Papandreut. Diskutimi u shtrua për të përcaktuar se cili ishte organi kompetent sipas Kushtetutës greke për të vendosur heqjen e ligjit të luftës, ku u arrit në konkluzionin se juridikisht heqja e gjendjes së luftës bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave të Greqisë. Në librin e tij “Regjimi sipas kushtetutës”, prof. Kasimati në faqen 241-242, duke trajtuar këtë problem në bazë të Kushtetutës greke, përcaktohen kompetencat në interpretimin e nenit 36 të saj. Ai shprehet se heqja e gjendjes së luftës ndaj Shqipërisë të miratuar me Dekret Mbretëror të paraluftës mund të bëhej me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në këtë mënyrë u veprua drejt. Ky veprim nuk mund të konsiderohet contra legem, por si një interpretim, që bazohet në ndryshimet historike të kuptimit të dispozitave të Kushtetutës pas kalimit nga regjimi mbretëror në republikë parlamentare.
Në këtë mënyrë heqja e gjendjes së luftës u shpall publikisht më 28 gusht 1987 me anë të komunikatës së qeverisë greke, ku thuhej: “Qeveria deklaron se karakterizimi i Shqipërisë si shtet armik ka pushuar së ekzistuari. Tashmë organet kompetente po studiojnë me kujdes mënyrën më frytdhënëse për rregullimin ligjor të çështjeve të mbetura pezull. Përfundimi i gjendjes së mëparshme të luftës do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit midis tyre”.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i qeverisë, Papulias, që hoqi gjendjen e luftës, deklaroi në Parlamentin grek më 3 dhjetor 1987 se “vendimi i qeverisë greke për avancimin e heqjes së ligjit të Luftës me Shqipërinë përbën një akt të lartë politik. Ai u bë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe u përgjigjet plotësisht ndjenjave paqedashëse të shumicës dërmuese të popullit grek”. Heqja e gjendjes së luftës me Shqipërinë u prit nga qarqet ekstremiste nacionale si tradhti kombëtare e qeverisë së Papandreut. Edhe Partia Demokracia e Re, e kryesuar nga z. Micotaqi, jo vetëm që nuk e anuloi vendimin e qeverisë kur erdhi në pushtet, por me veprimet e saj e quajti të mirëqenë vendimin e datës 28 gusht 1987. Kryeministri Micotaqi vetëm zgjeroi më tej marrëdhëniet me Shqipërinë, madje si Kryeministri i qeverisë greke, bëri edhe vizitën e parë miqësore pas heqjes së gjendjes së luftës me Shqipërinë.

Dhe së treti. E vërteta në aspektin politik

Ekzistenca e gjendjes së luftës me Greqinë dhe vazhdimësia e saj deri në vitin 1987 ishte një gjendje antihistorike, antipolitike dhe anakronike e mbajtur në këmbë nga ndikimi i qarqeve shoviniste greke. Populli shqiptar e vazhdoi qëndresën e tij kundër Italisë dhe Gjermanisë me një luftë të gjatë e të armatosur dhe çliroi vendin e vet, sigurisht dhe me ndihmën e aleatëve. Ishte pikërisht kjo luftë e popullit shqiptar, që radhiti Shqipërinë aleate përkrah shteteve, që ishin kundër boshtit fashist. Duhet theksuar gjithashtu se me ligjin nr. 61 të majit 1945 të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili në atë kohë ishte në Shqipëri organi më i lartë i pushtetit, u shfuqizuan dhe u shpallën si të paqena të gjitha normat juridike të nxjerra gjatë kohës së pushtetit italian e gjerman. Shpallja e tyre si të paqena donte të thoshte se anulimi i tyre kishte fuqi absolute dhe kishte efekte ex tunxh, d.m.th. jo që nga hyrja në fuqi e ligjit të lartpërmendur, por që nga e nesërmja e 7 prillit 1939. Ky përfundim nga pikëpamja juridike ndërkombëtare ripohohet edhe në nenin 31 të Traktatit të Paqes me Italinë, të nënshkruar si rezultat i Konferencës së Parisit të vitit 1947, i cili shprehet: “Italia njeh se të gjitha marrëveshjet ose traktatet e përfunduara ndërmjet Italisë dhe autoriteteve, që ajo kishte ngritur në Shqipëri që prej 7 prillit 1939… janë nul të paqena”.
Në tetor të vitit 1947, në bazë të Traktatit të Parisit nr. 480, dt. 9.10.1947 të Kuvendit Popullor, Shqipëria aderoi në këtë traktat sipas nenit 38-1 të saj u konsiderua fuqiplote. Nulitetit të të gjitha akteve me karakter të brendshëm ose ndërkombëtar të shpallura nga autoritetet kuislinge shqiptare, përfshi ndër të tjera edhe “vendimin” e qeverisë së Italisë fashiste kundër popullit grek.
Heqja e gjendjes së luftës u shoqërua edhe me veprime të tjera në marrëdhëniet diplomatike dhe vendosja e përfaqësive ne rangje ambasadash, shpreh si de jure ashtu edhe de facto mosekzistencën e gjendjes së luftës. Përveç kësaj, pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, anëtare të së cilës ishte dhe Greqia: dhënia e riparacioneve të luftës nga Italia dhe Gjermania Shqipërisë si vend aleat kundër boshtit hitlerian: nënshkrimi nga Shqipëria i Kartës së Helsinkit; lidhja e një sërë marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Greqisë; dhe së fundi nënshkrimi i traktatit të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë vërtetojnë plotësisht heqjen edhe formalisht të gjendjes së luftës me Greqinë. Nga sa u parashtrua më lart, gjendja e luftës me Greqinë ishte një akt formal i padrejtë për kohën e vet, çka e vërtetoi plotësisht historia e vërtetë e marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Në këtë drejtim arrihet në përfundim se detyra e qeverisë dhe e gjithë klasës politike nuk është të diskutojë për një gjendje që nuk ekziston, por të kërkojë në rrugë institucionale nga qeveria greke të zbatojë duke zgjidhur ligjërisht dhe praktikisht detyrat që burojnë nga heqja e gjendjes së luftës. Konkretisht, anulimi de jure i gjendjes së luftës sjell pasojë edhe anulimin e sekuestrimit konservativ të vendosur ndaj pasurive të shtetasve shqiptarë, që banonin në Greqi. Ka politikanë dhe analistë të ndryshëm që, duke mos pasur të qartë gjendjen e luftës dhe pasojat e saj, i ngatërrojnë edhe pretendimet e të drejtave të çamëve të dëbuar mizorisht nga shteti i tyre legjitim, me ligjin e gjendjes së luftës. Ato janë dy probleme të ndryshme që zgjidhen në mënyrë të ndryshme. Çamët si ish-shtetas grekë, duhet të ndihmohen nga qeveria dhe nga klasa politike e Shqipërisë, veçanërisht që problemi i pronësisë të zgjidhet jo me ligjin e luftës që s’ka asnjë lidhje, por me të drejtat e tyre legjitime, si pronarë në pajtim me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e së drejtës së pronës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›