E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat në botë, ende të pasigurta

Thuajse të gjitha bankat e mëdha në botë janë ende të pasigurta, pasi u mungon kapitali i mjaftueshëm për të mbuluar operacionet apo investimet e rrezikshme. Nëse situata nuk do të ndryshojë, gjatë 18 muajve të ardhshëm ajo do të përkeqësohet. Ky është rezultati i një vëzhgimi të "S&P", një kompanie që merret me përgatitjen e kërkimeve dhe analizave financiare. Në listën e bankave që janë marrë në shqyrtim, përfshihen bankat japoneze, amerikane, gjermane, spanjolle dhe italiane, të cilat nuk e arrijnë 8%-shin e sigurisë për mbulimin e operacioneve të rrezikshme. Ndërkohë që disa banka mund të duken normale nga ana e jashtme, sipas kritikëve ato nuk janë të tilla, duke qenë se nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes operacioneve me risk të vogël e të madh. Këtë e tregoi edhe kriza e fundit financiare, më e rënda që pas asaj të viteve ‘30, e cila tregoi se të gjitha sinjalet paralajmëruese dështuan për sa i përket identifikimit të risqeve, duke nxjerrë kësisoj jashtë loje institucionet mbikëqyrëse. Sipas vëzhgimit të "S&P", bankat aktualisht duhet që të katërfishojnë kapitalin e vënë mënjanë për kohët e vështira. Ndërkohë ka dalë edhe renditja e bankave me siguri më të madhe në rang botëror. Më e sigurta është "HSBC", më pas vijnë "Dexia", "Ing" dhe "Nordea", apo britanikja "Barclays". Ndërkaq u përjashtuan nga klasifikimi bankat kineze, që janë edhe më të mëdhatë në botë. Bankat japoneze janë ndër më të pasigurtat, pasi ato luajnë shumë dhe me shuma të mëdha në bursë. Jo mirë janë edhe bankat gjermane, sepse kanë shumë "asete toksike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›