E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/ Flet anëtari i CESE, Giuseppe Iuliano: Nuk ka BE pa shoqëri civile e sindikata

Anëtari i Komitetit Ekonomik dhe Social Europian (CESE), si dhe përgjegjësi për Ballkanin i CISL-it, konfederatës së dytë më të madhe të sindikatave në Itali, Giuseppe Iuliano, ishte i ftuar dje në Tiranë gjatë punimeve të Kongresit të 4 të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Në fjalën e tij, zoti Iuliano përcolli përshëndetjet e sindikalistëve italianë dhe atyre europianë dhe e cilësoi si një fyerje ndaj të gjithë sindikatave europiane marrjen me forcë nga ana e qeverisë shqiptare të zyrave të KSSH-së në Tiranë, në vitin 2007 (në mjediset ku ndodhet sot Universiteti UFO). Ai i bëri gjithashtu thirrje qeverisë shqiptare të mos e prekë Shkollën Europiane të Sindikatave në ish-Kombinatin e Tekstileve, po në Tiranë. Më pas iu drejtua të ftuarve në shqip, duke iu thënë: "Qeveria shqiptare duhet të njohë dhe të respektojë organizatat e punëtorëve". Iuliano përfundoi duke thënë se Shqipëria nuk mund të hyjë në BE pa një dialog social, ku shoqëria civile dhe sindikatat të kenë rol kyç.

Zoti Iuliano, në çfarë kuadri u zhvillua vizita juaj në Tiranë?

Erdha me ftesë të presidentit të KSSH-së, Kol Nikolla, dhe vij me kënaqësi, sepse për ne, pjesëmarrja në këto Kongrese është kënaqësi dhe detyrim.

Ju jeni përgjegjësi për rajonin e Ballkanit pranë CISL-it. A ka ndonjë bashkëpunim midis dy konfederatave sindikale, asaj italiane dhe shqiptare?

Kemi 7-8 vite që bashkëpunojmë, sidomos përmes degës sonë në rajonin e Markes, duke qenë se shumë sipërmarrës italianë nga ky rajon kanë ardhur të investojnë në Shqipëri. Ne menduam që të krijojmë bashkëpunimin e drejtuesve sindikalistë italianë me homologët shqiptarë, për t‘iu përgjigjur sfidave dhe nevojave të reja që lindin nga zhvendosjet ndërkombëtare të firmave private.

Cilat janë pikat e dobëta dhe ato të forta të sindikatave shqiptare?

Sindikatat shqiptare duhet të gjejnë një vijë autonome brenda shoqërisë, në marrëdhënie me botën politike dhe me qeverinë. Do të ishte mirë që sindikatat ta gjenin forcën e tyre të lirë në afrimin e anëtarëve, në kuotizimet e tyre, në vend që të prisnin mbështetjen e partisë politike që mund të përbëjë shumicën në një moment të caktuar. Besoj se ka edhe një zhvillim pozitiv. Sulmi që po ndërmerret nga qeveria shqiptare ndaj sindikatave bën që të ketë një përgjigje krenare nga ana e këtyre të fundit. Bashkëpunimi midis Kalasë dhe Nikollës është një frymë e re, por duhet të përfshihen të rinjtë, kjo duhet të jetë një pikë e fortë, sepse kam parë pak të rinj të përfshirë nëpër sindikata. Nëse arrihet kjo, mund të ketë një epokë të re sindikalizmi shqiptar.

Jemi në dijeni të projektit të Iscos Marche-s në Shqipëri për përforcimin e sindikatave vendase. Cilat kanë qenë rezultatet e këtij projekti?

Kemi kryer këmbime përvojash sindikale, mbi të gjitha duke u përpjekur të punojmë nëpër periferitë e mëdha, jashtë Tiranës, në vende të ndryshme të Shqipërisë, për të përfshirë kuadro të rinj, duke i dhënë vëmendje grave, duke e shtrirë kështu spektrin e punonjësve shqiptarë. Se sa ia kemi dalë mbanë, këtë do ta shohim me kohën, sepse tani jemi në fazën e mbjelljes dhe më pas do të shohim korrjen.

Cila është situata e pjesëmarrjes shoqërore në jetën politike të vendit në Ballkan dhe Shqipëri?

I gjithë rajoni i Ballkanit ka kaluar 20 vite të vështira. Lufta dhe konflikti etnik në të gjithë rajonin ka bërë që pjesëmarrja sociale të jetë shumë e dobët. Kjo ka prekur edhe Shqipërinë, pasi unë i mbaj mend çështjet e piramidave ekonomike të 1997-s dhe Shqipëria ka vuajtur nga këto fenomene. I gjithë rajoni është me vonesë për të hyrë në atë trend, që për shembull ndoqi Europa Lindore, e cila pati një mënyrë të butë kalimi nga sistemi komunist në atë të ekonomisë së tregut. E ardhmja e këtij rajoni është në Europë, pasi bën pjesë në tregun e tij dhe tani duhet të përfshihet edhe me të gjithë faktorët e tjerë të shoqërisë demokratike, si dhe me rolin konkret të aktorëve të ndryshëm në dialogun social. Kjo gjë në Europë ndodh, ndërsa në Shqipëri ende jo. Ne shpresojmë të bashkëpunojmë më tej, për ta ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin që ta arrijë këtë.

Cilat janë reformat kryesore që duhet të kryejë Shqipëria në spektrin ekonomik dhe shoqëror, për të shpejtuar procesin e anëtarësimit të saj në BE?

Për të hyrë në BE duhet ndjekur "L‘Acquis Communitaire", që janë bashkësia e ligjeve, e praktikave që karakterizojnë sot BE-në. Të gjitha vendet që kanë aplikuar për anëtarësimin, kanë pritur vite, pasi më parë kanë përshtatur statutet dhe ligjet e tyre me ato europiane, kanë përshtatur kriteret ekonomike, kanë njohur atë që në Europë sot është e konsoliduar, pra sistemin e dialogut social. Shqipëria duhet të përshtasë gjithnjë e më shumë ligjet e saj me trendin europian, duhet t‘i japë një hapësirë dhe njohje të madhe dialogut social. Pra duhet të njohë rolin e shoqërisë civile të organizuar, që është një nga përbërësit kryesorë të demokracive perëndimore të konsoliduara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›