E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vitin e ardhshëm do fillojmë penalitetet"

Kohët e fundit është vënë re një fushatë e dendur njoftimesh e publikimesh nga Agjencia e Trajtimit të Kredive, ndërkohë që shumëkush mendonte se ky institucion ishte duke e përfunduar misionin e vet. A mund të na thoni diçka konkrete në këtë drejtim?

Konstatimi që ju bëni është më se i vërtetë. Mesa shoh, përgjigjja e pyetjes suaj e ka të nevojshme një historik të shkurtër të veprimtarisë së Agjencisë së Trajtimit të Kredive, që nga momenti i krijimit të saj e deri më sot. Agjencia e Trajtimit të Kredive u krijua në vitin 1998, me një afat normal të veprimtarisë së saj deri në 3 vjet, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Fillimisht, në bilancin e vet mori të gjitha aktivet e mbetura të Bankës Tregtare Agrare, pas falimentimit të kësaj banke. Në vitin 2000 privatizohet BKT, ndaj me ligj iu transferua detyra për të trajtuar edhe të gjitha kreditë e dhëna nga bankat shtetërore të nivelit të dytë, pas kalimit të tyre në procesin e privatizimit, siç ishte Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Kursimeve. Ndërkohë nuk mbetej më shumë se 1 vit nga afati ligjor i caktuar për mbylljen e veprimtarisë së ATK-së (3 vjet kohë, duke filluar nga 1998), por nuk ishte arkëtuar më shumë se 9,8 për qind e portofolit të transferuar nga BTA. Nga ana tjetër, gjatë viteve 2001-2002 u transferuan në këtë institucion edhe 1870 dosje kredie të BKT-së dhe 14145 dosje kredie të BK-së, të cilat e çuan detyrimin total të transferuar nga të tre bankat në rreth 35,5 miliardë lekë, nga të cilat 19,9 miliardë lekë principal. Në këto kushte u iniciua ligji nr. 8894, datë 14/05/2002, "Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive", i cili solli një ndryshim themelor në statusin e ATK-së, duke e shndërruar atë në pronare me të drejta të plota në zgjidhjen e aseteve nga agjente e bankave që ishte deri në ato momente. Megjithatë, edhe ky ligj kishte efekt zbatimi të kufizuar në kohë. Deri në këtë pikë u mblodhën rreth 3 miliardë lekë, ose 8,5 për qind e gjithë detyrimit të transferuar nga bankat shtetërore të nivelit të dytë.

Cila është përmbajtja e akteve ligjore dhe nënligjore mbi të cilën e bazon veprimtarinë e saj Agjencia e Trajtimit të Kredive në këto momente?

Ligji 8894, datë 14/05/2002, "Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive", vazhdon të përbëjë edhe pas 2005-ës bazamentin ligjor për veprimtarinë e ATK-së, me ndryshimet që ka pësuar. ATK-ja vazhdon të ketë ende nëpër duar një portofol të konsiderueshëm të detyrimeve debitore, i cili në total shkon në rreth 24,6 miliardë lekë, ose afro 250 milionë dollarë, duke përfshirë dhe interesat e llogaritura në ATK, një shumë kjo e barabartë me rreth 70% e portofolit të transferuar. Në këtë shumë të përgjithshme detyrimi, principali zë një shifër prej 10,5 miliardë lekë, ose rreth 42,6 për qind të të gjithë detyrimit. Siç shihet, shumica janë interesa, gjoba dhe kamatëvonesa, të cilat tregojnë qartë mungesën e trajtimit efektiv dhe në kohë të këtyre debitorëve.

Për 11 vjet rresht, duke filluar nga 1998, në arkën e Buxhetit të Shtetit janë inkasuar nga ATK-ja jo më shumë se 5 miliardë lekë, ose vetëm 14 për qind e detyrimit të transferuar. Duke i shtuar kësaj shume edhe fshirjen e detyrimit të 84 ndërmarrjeve shtetërore nga portofoli i ATK-së, në shumën 6 miliardë lekë, atëherë rezulton që detyrimi i mbetur zbret në 24,6 miliardë lekë, pa përfshirë arkëtimet që janë bërë e do bëhen gjatë vitit 2009. Ky detyrim u përket afro 13000 debitorëve, nga të cilët 26 prej tyre janë ish-ndërmarrje shtetërore. Detyrimi total që ish-ndërmarrjet shtetërore i kanë ATK-së, shkon në afro 3,7 miliardë lekë, nga të cilat 2,4 miliardë lekë i takojnë principalit.

Si e parashikoni të ardhmen e Agjencisë së Trajtimit të Kredive pas aplikimit tërësor të masave dhe mjeteve ligjore që kemi në dispozicion?

Pa dashur të jap një prononcim përfundimtar për të ardhmen e ATK-së, mjafton të them se ajo nuk mund të ketë ndryshim nga çdo institucion tjetër i këtij lloji në botë. Ne, krahas përmbajtjes së portofolit të debitorëve, jemi duke studiuar edhe eksperiencat globale që janë krijuar në vende të ndryshme për mbledhjen e borxhit të keq. Periudha në vazhdim e punës në ATK do të na ballafaqojë me çështje konkrete, ndaj pa diskutim do të lindë nevoja për një organizim efikas dhe hartimin e një strategjie të studiuar mirë lidhur me arkëtimin e detyrimeve të mbetura debitore. Sa më shumë kalojnë kohët, aq më shumë shtohen edhe vështirësitë e punës për Agjencinë e Trajtimit të Kredive, pasi portofoli i mbetur bëhet edhe më problematik. Gati 60 për qind e këtij portofoli i takon fushës së bujqësisë, ndërsa pjesa tjetër tregtisë, strehimit, mjeteve të transportit e kështu me radhë. Po kështu, afro 90 për qind e kolateraleve janë shtëpi fshatrash, mjete apo toka bujqësore, ndërsa pjesa tjetër e këtyre garancive janë objekte të privatizuara, apartamente banimi etj.

Me këto shifra detyrimesh dhe ritme arkëtimesh që përmendni ju, ATK-ja mund të vazhdojë të funksionojë edhe pas 20 vjetësh. Nuk ka ndonjë alternativë tjetër?

Është alternativa e shitjes së këtij borxhi te subjektet private, por unë jam shumë skeptik për këtë zgjidhje. Momentalisht në ATK kanë mbetur më të këqijat e borxheve të këqija, ndaj nuk besoj se do të ketë të interesuar për të blerë "belanë me para", sado skonto t‘i bëhet këtij detyrimi. Në vitet 2003-2004 është provuar dhe ka dështuar një tentativë e tillë, madje në një kohë kur portofoli i ATK-së ka qenë shumë herë më i mirë se sot dhe veprimtaria e këtij institucioni asistohej edhe nga Banka Botërore. Në një "Plan të asistencës teknike" që i paraprinte zbatimit të kërkesave të ligjit 8894, datë 14/05/2002, "Për Agjencinë e Trajtimit të Kredive", parashikohej, përveç të tjerash, edhe një plan për shitjen e aktiveve apo aseteve të ATK-së. Sidoqoftë, e rëndësishme është të kuptohet nga debitorët se më të privilegjuar se sa të shlyejnë detyrimet në ATK, nuk do të jenë askund tjetër. Fjala vjen, nëse këto detyrime do t‘i blejë e trajtojë një subjekt privat, ai do ta kërkojë likuidimin e detyrimit total së bashku me interesat, gjobat dhe kamatëvonesat, të cilat vetëm ATK i fal plotësisht deri më 31 dhjetor 2009 dhe pjesërisht pas këtij afati. Por le të mos merremi me supozime…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›