E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri, një në tre gra dhunohet

Shqipëria paraqet shifra shokuese të rasteve të dhunës në familje. Mesatarisht, një në tre gra në vendin tonë dhunohen nga bashkëshortët. Statistikat e një raporti nëntëmujor tregojnë se vetëm në këtë periudhë regjistrohen rreth 1 mijë denoncime të grave të dhunuara nga bashkëshortët. Këto shifra u bënë publike, dje, në një takim të zhvilluar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në kuadrin e 16 ditëve ndërkombëtare të aktivizmit kundër dhunës në familje.

Sipas raportit të Qendrës për Nismën Ligjore Qytetare, burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave janë kryesisht me nivel të ulët arsimor, kanë probleme me konsumimin e alkoolit si dhe humbasin para duke luajtur bixhoz. Për rritjen e rasteve të dhunës në familje ka dhënë një deklaratë edhe ambasadori amerikan, John Withers II, i cili ishte i pranishëm në takimin e djeshëm. "Shqipëria prezanton shifra shokuese të rasteve të dhunës në familje. Ne duhet të projektojmë dritë mbi këtë fenomen dhe duhet medoemos të marrim masa si për mbrojtjen e viktimave, ashtu edhe për dënimin e dhunuesve", tha ambasadori amerikan.

Ai shtoi se sensibilizimi duhet të vazhdojë edhe gjatë 349 ditëve të tjera të vitit, jo vetëm gjatë 16 ditëve ndërkombëtare që janë rezervuara nga Organizata Botërore e Shëndetit në shërbim të këtij fenomeni shqetësues. Sipas tij, abuzimi nuk ka vetëm formë fizike por edhe verbale. Nocioni që gratë janë inferiore është ide e kaluar në kohë. "Pjesa më negative e këtij fenomeni është se ai ndodh brenda familjes, por jo vetëm, kjo ndodh kudo, në çdo vend, në çdo kohë. Këto janë krime kundër gruas, kundër familjes dhe kjo është vërtet tragjike", theksoi dje në takim, Iris Luarasi. Dita e djeshme shënoi fillimin e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në familje. Data 25 nëntor zyrtarizon për çdo vit fillimin e fushatës sensibilizuese ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.

Sh. Mezini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›