E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama zotohet: Do të reduktojmë emetimin e gazeve të dëmshëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur planin për të reduktuar gazrat e dëmshme deri në vitin 2020. Ndërkaq, Presidenti i vendit, Obama, do të marrë pjesë në konferencën për klimën, që do të organizohet muajin e ardhshëm në dhjetor, në Kopenhagën, dhe më pas do të shkojë për të tërhequr në Norvegji çmimin "Nobel" për paqen, që iu akordua dy muaj më parë. Sipas Uashingtonit, SHBA do të premtojë në Kopenhagën një reduktim të emetimit të C02-shit me 17% deri në vitin 2020, një përqindje kjo 3 pikë më e ulët se ajo e vënë nga Kombet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara janë vendi i fundit i industrializuar, që ofrojnë objektivin e tyre për uljen e emetimit të gazeve. Shtëpia e Bardhë u shpreh se shpresonte që pjesëmarrja e Obamës në këtë konferencë shumë të rëndësishme për klimën do të shtonte rëndësinë e saj dhe impenjimin e vendeve pjesëmarrëse në ndryshimin e situatës klimatike në botë. Shefja e OKB-së për klimën, De Boer, deklaroi se ishte shumë e rëndësishme që Obama të merrte pjesë në këtë konferencë, sepse aty ai mund të rihidhte premtimin elektoral në lidhje me mbrojtjen e ambientit dhe prezenca e tij është shumë e rëndësishme për një rezultat pozitiv. Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmunssen, shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij për vizitën e Presidentit Obama në Kopenhagën dhe deklaroi se zotimi i Obamës ishte shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punimeve. Në konferencë do të marrin pjesë 65 liderë botërorë, që e kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen dhe pritet që ata të nënshkruajnë një marrëveshje e cila hedh themelet e një traktati për një vit më pas. Obama e ka shndërruar që në fillim çështjen e klimës në një prioritet të politikës së administratës së tij. Por Bashkimi Europian është duke kërkuar masa më drastike për çështjen e klimës dhe nga ana e tij ka premtuar një ulje në masën 205 të emetimit të gazeve të dëmshëm krahasuar me nivelet e 10 viteve më parë. Shumë qeveri dhe analistë kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për dështimin deri më tani të arritjes së një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe efikase për çështjen e klimës. Sipas palës kineze, që është gjithashtu shumë e rëndësishme në vendimmarrjen e këtij takimi, duke qenë se Kina prodhon një sasi shumë të madhe gazesh të dëmshëm, gjatë dy viteve të fundit është humbur shumë kohë me çështjet teknike, çka ka bërë lënien mënjanë të vendimmarrjeve të rëndësishme. Kina nga ana e saj vjen me një ambicie më të vogël. Deri tani, Pekini ka deklarua se po studion projektin e marrëveshjes së mundshme. Por për shumë pjesëmarrës, në këtë takim të rëndësishëm, dhe për vetë OKB-në, pjesëmarrja e Obamës dhe vendimi i amerikanëve është shumë i rëndësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›