Bankat në garë për borxhin e qeverisë, bien interesat
Interesi i Bonove të Thesarit njohu një rënie të papritur në ankandin e ditës së djeshme. Bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi, prej 7.37%, nga 7.41% që ishte në ankandin e mëparshëm. Kjo është rënia e parë e interesit të Bonove me maturim vjetor, që nga dhjetori i vitit të kaluar. Gjallërimi i kredisë, kërkesa e lartë e qeverisë për para dhe rritja e normës bazë në muajin mars kishin sjellë rritjen graduale të interesave të bonove gjatë pjesës së parë të vitit 2011. Por, me sa duket, efekti i këtyre faktorëve mund të jetë drejt ezaurimit, siç dëshmon rezultati i ankandit të sotëm. Qeveria emetoi dje Bono në vlerën e 7.1 miliardë lekëve, ndërkohë që oferta për financim ishte mjaft e bollshme, 10.5 miliardë lekë. Ndërkohë, interesat për Bonot me afat maturimi 3-mujor njohën një rritje të lehtë dhe u emetuan në ankandin e sotëm me një normë mesatare të ponderuar interesi, prej 5.47%, nga 5.45% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 3.5 miliardë lekëve, nga 3.6 miliardë lekë që ishte oferta për financim. Diferenca më e ulët mes kërkesës dhe ofertës duket se ka bërë që për Bonot me maturim 3-mujor, tendenca të jetë paksa e ndryshme dhe interesi të rritet edhe njëherë tjetër.