Ushtarakët, ja si ndryshon vendimi për pensionet
Rillogaritja e pensioneve të parakohshme dhe suplementare të ish-ushtarakëve do të bëhet mbi bazën e pagës reale që ata kanë marrë sipas funksioneve që kanë pasur gjatë kohës së qëndrimit në detyrë. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare një tjetër vendim i qeverisë, që mban datën 9 shkurt 2011, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.793, datë 24.9.2010 të Këshillit të Ministrave ‘Për zbatimin e ligjit nr.10142, datë 15.5.2009 ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipëris뒔. Kështu, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 4, 5 pika 1, 11, 22, 23, pika 1, 26 e 29 të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, me propozimin e ministrit të Financave, qeveria ka vendosur të bëjë disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.793, datë 24.9.2010 të Këshillit të Ministrave. Lidhur më këtë vëndim të fundit të qeverisë, burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) shpjegojnë se bëhet fjalë për ndryshime që nuk e cënojnë aspak procesin e llogaritjes dhe caktimit të pensioneve për kategoritë e mësipërme, madje ndikojnë në përshpjetimin e kësaj procedure, sidomos përsa i takon ushtarakëve që kanë qenë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët zënë edhe pjesën më të madhe të përfituesve nga ligji 10142, pasi numërohen rreth 15 mijë të tillë. Sipas vendimit, nuk do të jetë më vetëm Ministria e Mbrojtjes institucioni që do të plotësojë formularin e posaçëm për periudhën e shërbimit dhe pagën referuese, por edhe disa njësi të tjera në varësi të drejtpërdrejtë të saj si: komanda e forcave, komanda e doktrinës dhe stërvitjes, brigada, regjimenti, reparti ose njësia në varësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Për kwtë arsye, ministri i Mbrojtjes ka dërguar në ISSH listën e strukturave që do të përgatitin këto dokumentacione dhe do të plotësojnë formularët përkatës. Ndërkaq, përsa i takon ndryshimit për pagën referuese, specialistë të Sigurimeve Shoqërore shpjegojnë se llogaritja e përfitimit me pagën mesatare neto do të thotë që tashmë ushtarakët do të marrin atë që u takon nga ligji. Në vendimin e fundit, qeveria ka vendosur që në vendimin nr.793, datë 24.9.2010, në kreun II “Paga referuese”, pas shkronjës “DH” të shtohet shkronja “E”, me këtë përmbajtje: “E. Paga mesatare referuese, e përcaktuar dhe e llogaritur sipas shkronjave “a” deri në “dh” të këtij kreu, kthehet në pagë mesatare referuese neto, pas zbritjes së shumës së kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror; kontributit të detyrueshëm të sigurimit shëndetësor; tatimit mbi të ardhurat personale dhe kontributit të sigurimit suplementar, që mbahen nga paga, sipas përcaktimeve të bëra në legjislacionin në fuqi, në kohën kur personit i ka lindur e drejta për përfitim. Paga mesatare referuese neto evidentohet sipas formularit bashkëlidhur”. Ndërkaq, qeveria ka vendosur që masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe e pensionit suplementar, për rastet kur vjetërsia e shërbimit njihet me 1.5-fish, të llogaritet në bazë të periudhës së rivlerësuar të shërbimit dhe të pagës referuese, të llogaritur sipas përcaktimeve të bëra në kreun II, shkronja “DH”, bazuar në vendimin datë 24.9.2010. Sipas këtij të fundit, paga mesatare referuese për funksionet organike me specifikë të veçantë, ku vjetërsia në shërbim, bazuar në pikën 5 të nenit 3 të ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, merret me 1.5- fish, llogaritet në bazë të pagës referuese e të periudhës faktike të shërbimit. Në rastet kur shuma e pensionit të parakohshëm, të rillogaritur sipas dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, rezulton në shtesë mbi shumat e përfituara më parë në një masë më të madhe se shuma e të ardhurave individuale vjetore nga pensioni, pagesa do të bëhet me këste. Madhësia e këstit vjetor do të jetë deri në shumën e të ardhurave nga pensioni aktual për një vit. Falë vendimit të fundit të qeverisë, sikurse koha e vuajtjes së dënimit me burgim, edhe internimi do të njihet si vjetërsi pune për ushtarakët.