Terrorizmi, kosto në ekonominë botërore mbi 100 miliardë USD
Sa na ka kushtuar terrori deri më sot? Vetëm kostoja e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit llogaritet me rreth 60 miliardë dollarë. Por dëmet e përgjithshme të terrorizmit, vështirë se mund të llogariten. Osama bin Laden u eliminua. Bursat në botë festojnë, çmimi i naftës ulet. Këto janë pasojat afatshkurtra ekonomike të suksesit të pjesshëm, në luftën kundër rrjetit terrorist të Al-Kaidës. Sigurisht që ato janë të papërfillshme, po të marrim parasysh koston ekonomike që i ka shkaktuar terrori islamist ekonomisë botërore, shkruan agjencia e lajmeve “Dojc Vele”. Edhe pas vdekjes së Osama bin Ladenit, ekspertët nuk heqin sinjalin e alarmit. Robert Halver, nga Baader Bank në Gjermani, thotë: "Terrorizmi është si edhe më parë, një faktor në tregun e kapitalit, edhe pas vdekjes së Osama bin Ladenit. Asokohe bankat e bankënotave në një aksion të përbashkët të përqendruar, pompuan para në tregje, me qëllim të ruajtjes së likuiditetit dhe pengimit të recesionit botëror. Veçanërisht i zellshëm dhe zemërgjerë me paranë u tregua shefi i atëhershëm i US Notenbank, Bankës Amerikane të Bankënotave, Alen Greenspan. Ai i furnizoi bankat me kaq shumë para, saqë ato nuk dinin ç'të bënin me to. Kështu lindi ideja që qytetarëve amerikanë me të ardhura të vogla t'iu rraseshin kredi hipotekash. Alan Greenspan dha para pa hesap për bankat amerikane pas 11 shtatorit. Pasojat janë të njohura: Fillimisht shpërtheu kriza e imobilieve dhe hipotekave në SHBA, pastaj kriza mbarëbotërore që solli edhe recesionin botëror. Për të luftuar krizën, qeveritë perëndimore duhet të vinin në dispozicion shuma të mëdha për shpëtimin e bankave dhe ruajtjes së koniunkturës, - gjë që mund të cilësohet si njëra nga pasojat e kostos që sollën sulmet terroriste të 11 shtatorit. Ka edhe kosto të tjera që mund të mblidhen, por prapë nuk arrin dot në shifra të sakta, por vetëm në vlera të përafërta. SHBA i rritën shpenzimet e tyre për sigurinë e brendshme që nga viti 2001, nga 46 miliardë deri në 76 miliardë dollarë për vit, aeroportet përforcuan elementët e sigurisë, në portin Bremerhafen në Gjermani, sheshi më i madh i transportit përtej oqeanit, çdo kontenjerë kontrollohet imtësisht - të gjitha këto janë kosto të larta për shoqëritë e fluturimit, ato të transportit të anijeve, por edhe ngadalësim të tregtisë botërore- por është vështirë t'i masësh ato. Një bilanc ka dy anë. Kjo edhe po të kujtojmë që kostot e njërit janë fitime të një tjetri. Kështu firmat e sigurisë po përjetojnë një boom të vërtetë, po ashtu edhe prodhuesit e skanerëve apo aparateve të kontrollit në aeroporte dhe porte.
D.Welle