E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, në qershor gati buxhetin shtesë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-05-2011 11:14

Buxheti i këtij viti është përfshirë në procedura rishikimi. Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, u shpreh dje për mediat se, specialistët po punojnë për rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili do të përfshijë edhe rritjen e pagave dhe pensioneve, premtuar nga Qeveria. Sipas tij, Ministria e Financave do të ketë gati në fillim të muajit qershor draftin e Buxhetit të Shtetit të rishikuar. Është bërë traditë tashmë që në mes të vitit, buxheti i shtetit të rishikohet me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre, në raport me realizimin. Përvoja ka treguar se, kur ka të ardhura më tepër se programi, miratohet buxheti shtesë në korrik, por kur të ardhurat janë më të ulëta se, plani i fillim vitit, bëhen disa shkurtime me qëllim mbajtjen e deficitit buxhetor nën kontroll. Mirëpo, duke marrë në konsideratë zhvillimet buxhetore të tremujorit të parë të këtij viti, duket se, rishikimi i buxhetit do të vijojë me ristrukturim fondesh, pasi ritmet e rritjes së shpenzimeve janë shumë më të larta se ritmet e rritjes së të ardhurave. Sipas të dhënave që Banka e Shqipërisë publikoi dje, shpenzimet buxhetore kanë njohur një rritje vjetore prej 16.8 % gjatë tremujorit të parë të vitit 2011. Sipas analizës së bankës, kontributin më të madh në rritjen e shpenzimeve totale, me rreth 13.1 pikë përqindjeje, e mbartin shpenzimet korente. Në raport ndaj PBB-së, shpenzimet totale në tremujorin e parë të vitit vlerësohen të jenë rreth nivelit 30.6 %, kundrejt normës 28.6 %, të vlerësuar për të njëjtin tremujor një vit më parë. Politika e shpenzimeve publike për këtë vit buxhetor parashikon sjellje të ndryshme, krahasuar me një vit më parë. Kjo politikë parashikon një rritje më të përshpejtuar të shpenzimeve korente nga ajo e shënuar në vitin 2010, si edhe rritje të shpenzimeve kapitale kundrejt reduktimit të tyre një vit më parë. Më konkretisht, shpenzimet korente në tremujorin e parë 2011 kanë njohur një rritje vjetore prej 11.6 %, kundrejt normës 7.9 % të shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë. Nga ana tjetër, të ardhurat buxhetore në tremujorin e parë të vitit kanë njohur një rritje modeste prej 0.5 % në terma vjetorë. Një prirje e tillë e të ardhurave pasqyron rritjen e moderuar të zërave kryesorë tatimorë dhe rënien e të ardhurave me karakter jo-tatimor. Më konkretisht, të ardhurat nga TVSH-ja gjatë këtij tremujori kanë shënuar një rritje nominale me rreth 3.2 % në terma vjetorë, duke qëndruar shumë pranë mesatares, prej 3.5 % të regjistruar për periudhën 2009, 2010. Paketa fiskale për vitin 2011 ka parashikuar ndryshime të tjera shtesë, krahas atyre të një viti më parë, të cilat priten të japin ndikim pozitiv në akumulimin e të ardhurave buxhetore. Ndër këto ndryshime, të cilat në thelb ndikojnë në zgjerimin e bazës së bizneseve TVSH-pagues përmendim: përfshirjen në skemën e TVSH-së (me një normë prej 10 %) të shërbimeve shëndetësore dhe ilaçeve; si edhe uljen e mëtejshme të pragut të qarkullimit vjetor për bizneset që janë subjekt TVSH-je, nga 5 në 2 milionë lekë. Nga ana tjetër, të ardhurat me karakter jo-tatimor janë tkurrur në terma vjetorë, me rreth 41.2 % nga i njëjti tremujor një vit më parë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, në fundin e tremujorit të parë të vitit 2011, deficiti buxhetor shënoi një vlerë prej 11.8 miliardë lekësh, kundrejt suficitit prej 0.7 miliardë lekësh të regjistruar në fundin e të njëjtit tremujor një vit më parë. Kjo vlerë e deficitit të përgjithshëm buxhetor përkon me hendekun e krijuar ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve të skemës së sigurimeve sociale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›