E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat ngushtojnë marzhin te kursi

Shumica dërrmuese e bankave kanë reduktuar gjatë ditëve të fundit në mënyrë të ndjeshme diferencën mes çmimit të blerjes dhe çmimit të shitjes së valutës, shenjë kjo që konsiderohet nga ekspertët si tregues i stabilizimit të kursit aktual. Leku shqiptar ndaloi së dobësuari të premten e kaluar dhe ka njohur tendencë graduale forcimi gjatë kësaj jave. Dje, euro kushtoi 137.51 lekë sipas kursit mesatar që publikohet në mesditë nga Banka e Shqipërisë, rreth 0.5 për qind më lirë se javën e kaluar. Disa prej bankave kanë reduktuar diferencën mes shitjes dhe blerjes deri në 3 lekë për klientët e zakonshëm dhe në më pak se 1 për qind për shitblerjet me shumicë. Qetësimi i tregut në këtë drejtim është një sinjal që leku nuk do pritet të pësojë luhatje të konsiderueshme, të paktën, jo për tani. Gjithsesi, surprizat nuk përjashtohen. Në tregun valutor shqiptar qarkullojnë mesatarisht 20 milionë euro në vit dhe kompani apo individë të ndryshëm kanë fuqi reale të rrisin apo pakësojnë fluksin e këmbimit në mënyrë të ndjeshme së paku për disa ditë. Tani ekspertët e tregut valutor janë në pritje të rritjes së volumit të importeve, fenomen i zakonshëm ky për periudhën e dimrit. Një faktor tjetër që tërheq vëmendjen e agjentëve të këmbimit valutor janë edhe ecuria e shpenzimeve të qeverisë në periudhën e fundvitit. Zakonisht qeveria shpenzon shumë herë më tepër në dy muajt e fundit të vitit për shkak se dikasteret e ndryshme nxitojnë të shpenzojnë sa më shumë të munden para se të mbyllet viti. Por ky fenomen sezonal mund të jetë i ndryshëm këtë vit për shkak se qeveria i ka kryer shpenzimet kryesore më herët. Ndikimi i uljes së normës bazë të interesit në vlerën e lekut mund të vonojë deri në disa muaj, sipas ekspertëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›