E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, kompanive u tkurren fitimet

Bizneset e mëdha shqiptare po realizojnë më pak fitime këtë vit se sa një vit më parë, gjë që po reflektohet edhe në nivelin e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga tatimfitimi. Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti, tatimfitimi i paguar në Shqipëri qe 12.8 miliardë lekë (rreth 95 milionë euro) ose 2.4 miliardë lekë (18 milionë euro) më pak se sa plani. Tatimfitimi i paguar këtë vit është edhe 5.6 për qind më i ulët se një vit më parë, por ekspertët thonë se efektet reale të tkurrjes së fitimeve të kompanive do të shihen gjatë muajve të ardhshëm. Kompanitë e klasifikuara si biznes i madh në Shqipëri paguajnë tatim prej 10 për qind mbi fitimet neto. Kështu, rezulton se fitimet e kompanive janë 180 milionë euro më pak nga sa qe shpresuar nga Ministria e Financave.

Bankat duket se janë biznesi më i prekur nga reduktimi i fitimeve si pasojë e krizës së bashku me ndërtimin, si dhe bizneset eksportuese. Rënia e fitimeve për këtë vit nënkupton më pak kapacitete investuese për vitin e ardhshëm, gjë që sjell zgjatjen e pasojave të krizës aktuale për së paku edhe një vit. Bankat kanë fituar rreth 10 herë më pak gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar, ose rreth 6 milionë euro. Sektori i ndërtimit, i cili paguan tatimfitim mbi norma referencë fitimi për çdo metër katror apartament apo dyqan të shitur, është reduktuar në shkallë të gjerë.

Efekti i rrugës Durrës-Kukës

Reduktimi i fitimeve të biznesit në Shqipëri vlerësohet se është shumë më i lartë nga ai që paraqitet në statistikat zyrtare në rast se marrim parasysh efektin që ka dhënë rruga Durrës-Kukës në të ardhurat e qeverisë nga tatimfitimi. Kompanitë sipërmarrëse kanë tërhequr nga buxheti i shtetit rreth 250 milionë euro deri tani dhe kanë një normë fitimi prej rreth 30 për qind, gjë që do të thotë se kanë qenë përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të tatimfitimit të paguar.

Vlerësim tepër optimist

Një nga arsyet e deficitit të lartë në të ardhurat nga tatimfitimi për këtë vit qëndron edhe në faktin e thjeshtë se qeveria nuk mori parasysh efektet që mund të kishte kriza botërore në ekonominë shqiptare kur hartoi projektbuxhetin e këtij viti. Qeveria parashikoi rritje të të ardhurave nga tatimfitimi me 15 për qind në krahasim me vitin 2008, rritje kjo që konsiderohet ambicioze edhe për një vit bumi ekonomik. Për pasojë, nuk është surprizë mosrealizimi i planit. Por nga ana tjetër, bizneset në Shqipëri kanë raportuar këtë vit shumë më tepër raste të presionit tatimor për të vjelë tatime mbi baza vlerësimesh të dyshimta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›