E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat qendrore, "marshim" drejt zeros

Vendimi i djeshëm i
Bankës së Anglisë për të
ulur edhe më përqindjen
e interesit po nxjerr në pah një
tendencë të bankave qendrore
për të ndryshuar në mënyrë
drastike taktikat e tyre për përballimin
e krizës më të rëndë financiare
të këtyre 80 viteve të
fundit. Disa i rritën përqindjet e
interesit para disa muajsh, por
më pas, në dritën e krizës, u
detyruan që t‘i rishikonin të
gjitha vendimet. Në avangardë
të ndryshimeve ndodhet një nga
bankat më të fuqishme të botës,
Banka e Anglisë, e cila njoftoi dje
uljen e përqindjes së interesit
me 1 pikë të plotë, një ulje që
pasoi atë të një muaji më parë
me 1.5. Edhe Suedia e uli përqindjen
me 1.75, e madje edhe
Banka Qendrore Evropiane njoftoi
një tjetër ulje të përqindjes së
interesit. Sipas disa analistëve
ekonomikë, këto lëvizje të fundit
në botë tregojnë se ka pasur
dhe do të ketë një sërë ndryshimesh
nga ana e hartuesve të
politikave. I vetmi ndryshim
mes bankave të ndryshme ka të
bëjë me shpejtësinë e aplikimit
të masave të reja. Përqindja e
Bankës Evropiane është shumë
modeste krahasuar me atë të
bankave të tjera qendrore. Kështu,
Rezerva Federale pritet gjithashtu
që të ulë përqindjen e interesit
sërish, edhe pse ato janë
në një shkallë shumë të ulët. Kjo
masë do të merret nga fundi i
muajit. Për sa i përket Bankës së
Japonisë, ajo ndodhet në prag të
zeros, pika në të cilën ndodhej
dhjetëvjeçarin e shkuar, ndërsa
përballej me deflacionin. Tani
edhe Kina, vendi me rritjen më
të shpejtë ekonomike, duket se
e ka ngadalësuar vrullin. Ajo
sapo ka kryer uljen më të madhe
të 11 viteve të fundit. Por
mësimi nga kriza aktuale financiare
është që derisa ato të fillojnë
të japin lehtësisht hua nuk
do të ketë një nxitje për ekonominë,
pavarësisht se sa e pakët do
të jetë vlera e parave. Sipas një
studimi të një banke suedeze,
ulja e përqindjes së interesit nuk
po jepte rezultatet e pritura nga
një veprim i tillë. Megjithatë,
bankat kryesore qendrore do të
vazhdojnë uljen e përqindjeve të
interesit dhe nëse do të vazhdohet
kështu, kjo përqindje vitin
e ardhshëm mund të shkojë në
zero. E, ndërkohë, guvernatorët
nuk preferojnë që të bëjnë komente,
por veprojnë e presin rezultate,
pasi, sipas tyre, bankat
ndodhen në mesin e një procesi,
të një situate që është larg nga
fundi. "Masa të jashtëzakonshme,
për kohë të jashtëzakonshme", ky ka qenë komenti i bërë
së fundi nga shefi i Bankës Qendrore
Evropiane, Zhan Klod Trishe,
kur e pyetën mbi efektin e
uljes së përqindjeve të interesit
në standardin e jetesës së
njerëzve dhe në vetë ekonominë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›