E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, vidhen tre "Benza" gjatë natës

Tri makina janë denoncuar
si të vjedhura gjatë ditës së
djeshme në Tiranë, ndërkohë
që policia ka nisur punën
për gjetjen e tyre. Burimet zyrtare
nga Drejtoria e Policisë së Tiranës
bënë të ditur se të tri makinat e
vjedhura janë "Mercedes Benz",
të cilat janë edhe më të "palyerat"
nga hajdutët. Sipas informacioneve
zyrtare, në orën 09.00
të mëngjesit, ka bërë kallëzim
Shaban Imeri, 40 vjeç, banues në
Zvicër, se i kanë vjedhur mjetin e
tij "Mercedes-Benz ML-55 AMG",
me targa zvicerane ZH49251. Ai
ka shpjeguar për policinë, se mjetin
e kishte parkuar që në një natë
më parë, rreth orës 21:00, nga ana
e pasme e Pallatit të Kulturës.
Ndërkohë, denoncimi i dytë ka
ardhur një orë më vonë. Sipas
policisë, në orën 10.00, ka bërë
kallëzim Albert Kaziu, 55 vjeç,
lindur dhe banues në Rrugën e
Kavajës, se i kanë vjedhur mjetin
e tij "Mercedes Benz", me targa
TR6246J, të cilin e kishte parkuar
afër pallatit ku banon që natën e
së mërkurës. Ndërkohë, në orën
11.00, një tjetër person është paraqitur
në polici, duke denoncuar
edhe ai vjedhjen e makinës. Para
oficerit të policisë gjyqësore ka
bërë kallëzim Kristaq Naço, 31
vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër,
se në rrugën "Komuna
e Parisit", i kanë vjedhur makinën
"Mercedes Benz", me targa belge
660245, të cilin e kishte parkuar
para pallatit. Sipas të dhënave
hetimore, në të tre rastet u kryen
veprimet procedurale dhe të dhënat
e këtyre makinave iu dhanë
gjithë patrullave policore, me
qëllim identifikimin dhe gjetjen
e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›