E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen maskat, grabisin një karburant

Rikthehen maskat në kryeqytet,
duke grabitur kasafortën
e një karburanti
tek Ura e Peshkatarit. Të paktën
këto janë të dhënat paraprake të
policisë, bazuar në denoncimin
e personave të dëmtuar. Burimet
policore nga Drejtoria e Policisë
së Tiranës bënë të ditur se rreth
orës 02:00 të mëngjesit ka telefonuar
në sallën operative Gëzim
Axhiu. Ai ka deklaruar për uniformat
blu se në Dobrash, te karburant
"Euro Drini" ka ndodhur një
grabitje me armë. Më tej, Axhiu
ka deklaruar se disa persona, të
armatosur dhe me maska, kanë
vjedhur arkën e karburantit dhe
kanë kërcënuar rojet, të cilët nuk
kanë pasur si të veprojnë përballë
tytës së armës. Me t‘u njoftuar,
në vendin e ngjarjes janë nisur
forcat policore të Komisariatit Nr.
1 dhe nga verifikimet ka rezultuar
se ngjarja është e vërtetë. Sipas
të dhënave policore, tri patrulla
policie kanë njoftuar se aty ishte
vjedhur arka e karburantit, ku
grabitësit kanë thyer dritaren,
janë futur brenda dhe janë larguar.
Menjëherë janë ngritur
disa postblloqe, por policia nuk
ka mundur të identifikojë apo
të kapë ndonjë të dyshuar. Sipas
policisë, aktualisht po hetohet
për dokumentimin e plotë të
kësaj ngjarjeje kriminale. Grupi
hetimor ka marrë në pyetje edhe
rojet e karburantit, të cilët kanë
shpjeguar versionet e tyre të grabitjes.
Sipas rojës së karburantit,
Hajdar Kaçi, 48 vjeç, lindur dhe
banues në fshatin Bërzhitë, ka
dëgjuar zhurmë dhe ka parë një
person të panjohur te zyra dhe
menjëherë ka njoftuar policinë.
Policia shtoi se po punohet për
identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›