E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat "refuzojnë" euron në 138 lekë

Megjithëse euro është kuotuar që prej një javë rreth vlerës 138 lekë, një pjesë e konsiderueshme e bankave kanë tendencë të mos e blejnë valutën me një çmim kaq të lartë, bëhet e ditur nga ekspertët e bankave. Për pasojë, nuk përjashtohet mundësia që leku të stabilizohet rreth këtyre kuotave për disa kohë dhe as mundësia që të forcohet pak. Euro u kuotua dje në 138.01 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, me ndryshime minimale kundrejt fundit të javës së kaluar. Fiksi i BSH pasqyron kuotat mesatare të disa bankave dhe agjencive valutore të rëndësishme të publikuara në mëngjes. Në tregun ndërbankar, euro lëvizi gradualisht gjatë ditës së djeshme drejt kuotës 136.5 lekë, gjë që përbën një forcim të konsiderueshëm.

Leku shqiptar gjendet aktualisht në nivelin më të ulët që prej vitit 2003 në këmbimin me euron dhe pyetja e madhe është nëse zhvlerësimi aktual është i mjaftueshëm për të stabilizuar kërkesë-ofertën në treg apo jo. Ndonëse bankat kanë qenë të gatshme ta shesin valutën në këtë kuotë, tregu ndërbankar duket se nuk ka shënuar transaksione të mëdha në krahun tjetër gjatë javës së kaluar, vërejnë ekspertët e bankave, gjë që tregon refuzimin e tyre për blerjen e valutës në këtë kuotë. Banka e Shqipërisë ka qëndruar neutrale në tregun e këmbimit valutor që nga fillimi i muajit qershor, kur u raportua edhe ndërhyrja e fundit në mbrojtje të kursit të lekut. Gjatë muajve të fundit, BSH e ka bërë të qartë se ecuria e kursit të këmbimit do të varet nga forcat e tregut dhe ka paralajmëruar se shpenzimet e qeverisë do të kenë një peshë të lartë te kursi. Qeveria ka dhënë shenja të qarta disipline financiare gjatë muajve gusht dhe shtator, ku deficiti i buxhetit është përmbajtur, pavarësisht rritjes së hendekut mes të ardhurave reale dhe atyre të planifikuara. Shtatori shënoi muajin e parë të mosrritjes së deficitit buxhetor për këtë vit, ndërsa të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë edhe për përpjekje serioze për të kursyer në shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes.

Tani vëmendja është drejtuar te disa investitorë të huaj, të cilët tërheqin qindra milionë euro fitime nga Shqipëria dhe që këtë vit janë konsideruar si faktorë të rëndësishëm në zhvlerësimin e lekut. Vetë investitorët nuk kanë leverdi te leku i dobët, pasi sa më shumë ulet vlera e lekut, aq më shumë tkurren edhe fitimet e tyre.

Fitimet e korporatave

Parashikimet për kursin e këmbimit janë të kushtëzuara aktualisht nga sasia e përgjithshme e fitimeve që investimet e huaja do të vendosin të transferojnë në vendet e origjinës këtë vit. Një faktor tjetër i rëndësishëm vlerësohet rifillimi i importeve të energjisë elektrike, rritja e importeve të karburanteve për dimrin, si dhe rritja e përgjithshme e importit të mallrave që ndodh në dimër. Nga këto, fluksi i kërkesës për valutë nga investitorët e huaj është faktori më i paparashikueshëm, për shkak se nuk dihet se në cilën ditë investitorët do të marrin vendimin e vet.

Gjithsesi, disa ekspertë bankash mendojnë se tendenca afatgjatë e lekut është negative, por kursi do të lëvizë gradualisht dhe shumë-shumë ngadalë.

Kursi i paparashikueshëm

Leku u është nënshtruar gjatë dy dekadave të fundit faktorëve sezonalë si turizmi, dimri apo prodhimet vendëse bujqësore. Importet rriten gjatë dimrit për shkak të kërkesës më të lartë për energji apo për ushqime, ndërkohë që në dhjetor shënohet një fluks i lartë hyrjesh valutore nga emigrantët që kthehen në atdhe për pushime. Kjo gjë ka sjellë tendencë forcuese të lekut gjatë verës dhe në fund të vitit, si dhe tendencë nënçmuese në vjeshtë dhe pranverë. Por këtë vit forcimi sezonal i verës nuk erdhi. Banka e Shqipërisë u sugjeroi kompanive të huaja të menaxhojnë më mirë blerjet e valutës në treg përmes kontratave të së ardhmes, gjë që e ndan kërkesën në mënyrë më të barabartë gjatë vitit. Për pasojë, luhatjet sezonale u prishën dhe kursi i këmbimit ofroi më shumë surpriza.

Pasojat

Zhvlerësimi i përgjithshëm i lekut ka gjasa të sjellë rritje çmimesh dhe rrjedhimisht edhe rënie importesh, por kjo vetëm në teori. Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë bërë të qartë se nuk besojnë që problemet e vendit tonë me llogarinë korrente mund të zgjidhen me zhvlerësimin e lekut. Megjithatë, zhvlerësimi gradual i lekut pritet "të tretet" më lehtë nga shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›