E Diel, 1 Nëntor 2026

"Europol": Shqipëria, burim i kriminalitetit

"Europol" ka publikuar dje raportin e vitit 2009 mbi krimin e organizuar, në të cilin Shqipëria konsiderohet si vendburim i organizatave kriminale. Madje, raporti thotë se grupet kriminale shqiptare sfidojnë organizatat europiane, si për shembull ato italiane, që janë aktive në trafikun e drogës. Gjithashtu, në dokument thuhet se lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë për trafikun e qenieve njerëzore mbeten ende të fuqishme. Më tej, në raport citohet se lidhjet mes Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë konsiderohen si qendër për transportin e heroinës, ndërsa gjithë rajoni i Ballkanit si zonë origjinë dhe transiti për falsifikimin e parave dhe trafikun e armëve. Në pjesën e trafikut të femrave për prostitucion, Shqipëria nuk mbetet më një problem, por sipas raportit, grupet shqiptare janë ato që shfrytëzojnë viktimat e trafikuara nga grupet e tjera. Ndërsa shpërndarja e lëndëve narkotike në Europën Juglindore, sipas raportit mbizotërohet nga shqiptarët e Kosovës, të cilët shfrytëzojnë territorin shqiptar për të dërguar drogën në vendin e tyre dhe më pas drejt Europës Perëndimore. Sipas të dhënave, grupet turke përdorin Rumaninë dhe Bullgarinë si pikë e hyrjes së heroinës për në BE dhe bashkëpunohet me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Këto grupe merren me sasi të vogla për vendet transite, por edhe të mëdha për Europën, që zakonisht rruga fillon nga Shqipëria në Kosovë e më pas në Austri e në Europën Perëndimore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›