E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati vendimi për pensionet e policëve të vrarë që nga 1991

Gati vendimi për të financuar familjet e policëve të vrarë edhe para vitit 1999. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në ceremoninë përkujtimore të organizuar dje me rastin e Ditës së të Rënëve të Policisë në krye të detyrës.
Në fjalën e tij, ministri Basha informoi se po përgatitet një projektvendim që do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, ku përfshihet periudha që nga 31 marsi 1991 dhe shumë shpejt do të nisë puna për rishikimin e statusit të punonjësve të policisë. Sipas projektvendimit, bashkëshortet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë të ardhura të plota deri sa fëmijët të arrijnë në moshën 18-vjeçare. "Borxhi që shoqëria ka ndaj jush nuk mund të lahet kurrë. Jo vetëm në shenjë mirënjohjeje, por si thelb i ekzistencës së çdo shoqërie, ne duhet të tregojmë se duke nderuar kujtimin e të rënëve nderojmë sakrificën për të ardhmen e gjithë shoqërisë", deklaroi ministri Basha, duke garantuar në emër të qeverisë për përkujdesje të vazhdueshme ndaj familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. "I kujtojmë sot të rënët tanë, duke përkujtuar se sakrifica e tyre dhe e qindra anëtarëve të forcave të Policisë së Shtetit nuk ka shkuar dëm. Në një betejë dhëmb për dhëmb me krimin, ne ia kemi dalë ta sprapsim atë, ta bëjmë vendin tonë një nga vendet më të sigurta të kontinentit. Sot, Shqipëria anëtare e NATO-s dhe aplikante për anëtarësim të plotë në BE, është një meritë e padiskutueshme e luftës të pa kompromis dhe pa tolerancë ndaj krimit dhe antiligjit", tha më tej Basha
Duke u zotuar se kjo luftë do të vazhdojë me përkushtim edhe më të lartë, ai deklaroi se prioritete kyçe të qeverisë "Berisha" mbeten forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, reformimi i vazhdueshëm, mbështetja ligjore dhe financiare e saj si dhe trajnimi dhe përmirësimi i burimeve njerëzore. Një theks të veçantë në fjalën e tij, ministri Basha i dha luftës kundër fenomeneve që turpërojnë uniformën dhe simbolet e larta të Policisë së Shtetit. "Në këtë ditë të nderimit për të rënët e policisë, asgjë nuk është më e papranueshme për ne se cenimi i asaj që kjo uniformë përfaqëson për shtetin, shoqërinë dhe sakrificën e kolegëve tanë", u shpreh Basha duke përsëritur zotimin se lufta kundër korrupsionit në vetë strukturat e Policisë së Shtetit është dhe mbetet përkushtim madhor. Në këtë ceremoni përshëndetën edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, një kursante e Shkollës Bazë të Policisë dhe një përfaqësues i familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Në përfundim të ceremonisë, familjarëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari iu dorëzuan certifikatat e statusit "Dëshmor i Atdheut" dhe simboli "Familja e Dëshmorit të Atdheut". Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i SHBA, John L. Ëithers II, ambasadorja britanike znj. Fiona Mcllëham dhe ambasadorja franceze znj. Maryse Daviet. Të pranishmit, pas ceremonisë, kryen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit si dhe vendosi kurora me lule në nderim të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Drejtuesit e policisë dhe ministri i Brendshëm zhvilluan edhe vizita të veçanta në familjet e "Dëshmorëve të Atdheut".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›