Bankat, rriten interesat për kreditë e dhëna dhe ato të reja
Fillimi i vitit 2010 ka sjellë rritje për interesat e të gjitha kredive aktuale dhe atyre që do të jepen nga ana e bankave të nivelit të dytë
Pavarësisht lehtësimit të kostove të kreditimit me uljen e fundit të normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë me 0.5 pikë përqindje, bankat e nivelit të dytë kanë dhënë një sinjal tjetër për shtrenjtimin e kostove të kredive. Kështu, në disa banka të nivelit të dytë këstet e kredive konsumatore që janë paguar deri tani në shumën 10 mijë lekë, tashmë do të jenë 10.4 mijë lekë të reja. Rritja e interesave është reflektuar edhe në kreditë për shtëpi, edhe në të biznesit që janë marrë prej kohësh. Duke shfrytëzuar një klauzolë në kontratë për reflektimin e kostove të borxhit qeveritar në interesat e kredive, bankat tashmë kanë rrugë të lirë për të vendosur këste më të shtrenjtë për të gjithë klientët. Për vetë faktin se një pjesë e madhe e klientëve nuk kanë njohuri juridike për kontratat e lidhura me bankat e nivelit të dytë, rritja e interesave tashmë është kthyer në një fenomen të zakonshëm, që për klientët shpeshherë bie në vesh të shurdhët. Rritja e interesave për kreditë nga ana tjetër, po shoqërohet edhe me vështirësitë e ardhura në shlyerjen e tyre për shkaqe që lidhen ne lëvizjet tashmë të shpeshta të kursit të këmbimit, që në më të shumtën e rasteve janë në favor të valutës. Leku po zhvlerësohet ndaj dollarit dhe euros, duke u bërë një pengesë serioze për të gjithë klientët e bankave që kanë kredi në valutë dhe të ardhurat i kanë në monedhën vendase, lek.
Këste më të shtrenjta
Rritja e interesave të borxhit qeveritar ka qenë një fenomen i vazhdueshëm gjatë vitit 2009, duke mbërritur në rekorde që i afroheshin një yeldi prej 10 përqindësh në shumicën e kohës. Duke pasur parasysh këtë fakt, që nga njëra anë është dyshemeje e fundit për interesat e kredive dhe nga ana tjetër nivelin tepër të ulët të normës bazë të interesit për euron dhe dollarin, të gjitha bankat e nivelit të dytë janë duke rinovuar kontratat me klientët. Interesi i lartë i bonove të thesarit tashmë ka nxjerrë jashtë lojë kontratat eurolibor plus një përqindje, pasi ky interes për normën bazë të interesit që vendos BQE është tepër i ulët. Rritja e këstit për një pjesë të madhe të kredive më tremujorin e fundit të këtij viti shkon në 3-4 për qind, duke shtrenjtuar koston e financimit në një periudhë afatshkurtër, që mund të kalojë edhe në afatmesme. Kjo situatë e rritjes së interesave në mënyrë të papritur ka qenë prezente kryesisht për kreditë e dhëna në monedhën vendase, të cilat janë të zakonshme në pjesën dërrmuese të financimit për konsum.
Kredia në euro, nuk reflektohen kostot
Nga ana tjetër, kostoja tepër e ulët për euron dhe dollarin në tregjet ndërkombëtare vazhdon të mos japë asnjë efekt në tregun vendas të parasë. Bankat e nivelit të dytë vazhdojnë që të ndjekin një politikë krejtësisht të veçuar, duke mbajtur interesa tepër të larta, të cilat sipas bankierëve, reflektojnë riskun që mbart tregu bankar. Por rënia ndjeshëm e kredisë së dhënë nga ana e sistemit bankar është shoqëruar edhe me rritjen e shpejtë të interesave, duke mos përjashtuar nga politikat lehtësuese as ata klientë, të cilët vlerësohen si të sigurt. Kostoja e ulët e depozitave nuk reflektohet në një kohë që sistemi bankar është duke humbur shumicën e fitimeve, për shkak të provigjoneve që vijnë nga kreditë e këqija. Viti 2009 është mbyllur me një normë të kredive të këqija, që kalon 10 për qind të portofolit, duke mbarur edhe rrezikun kryesor për financat e vendit.
Rritja
Në disa banka të nivelit të dytë, këstet e kredive konsumatore që janë paguar deri tani në shumën 10 mijë lekë, tashmë do të jenë 10.4 mijë lekë të reja. Rritja e interesave është reflektuar edhe në kreditë për shtëpi, edhe në të biznesit që janë marrë prej kohësh.
Interesat
Rritja e këstit për një pjesë të madhe të kredive në tremujorin e fundit të këtij viti shkon në 3-4 për qind, duke shtrenjtuar koston e financimit në një periudhë afatshkurtër, që mund të kalojë edhe në afatmesme. Kjo situatë e rritjes së interesave në mënyrë të papritur ka qenë prezente kryesisht për kreditë e dhëna në monedhën vendase, të cilat janë të zakonshme në pjesën dërrmuese të financimit për konsum.
Bonot, sërish interesa rekord
Interesat rekord me të cilat qeveria vazhdon të marrë borxh në tregun e brendshëm valutor bëjnë presion në mënyrë direkte, që kreditë për sipërmarrjen dhe individët të mbeten tejet të shtrenjta. Një situatë e tillë, ku bankat shfrytëzojnë edhe faktorët që lidhen me konkurrencën në këtë treg, vazhdon që të jetë e pranishme që prej fillimit të këtij viti. Në ankandin e radhës të zhvilluar vetëm një javë më parë, bonot e thesarit me afat maturimi njëvjeçar janë blerë nga bankat e nivelit të dytë me një interes mesatar prej 9.10 përqindësh. Duhet theksuar se ky është një interes, i cili paguhet që në momentin e blerjes së bonos nga ana e bankave në këtë rast, dhe në këto kushte është më i lartë nëse krahasohet me interesin e një depozite që maturohet në fund të periudhës. Në këtë ankand, të zhvilluar nga ana e Bankës së Shqipërisë, shihet se yieldi mesatar i thjeshtë dhe ai i ponderuar kanë të njëjtin nivel prej 9.10 përqindësh. Edhe diferenca midis interesave maksimale dhe minimale në këtë ankand nuk ka një ndryshim të madh, duke treguar se në treg nuk ka një “etje” për të blerë këto letra me vlerë, që afrojnë një interes shumë fitimprurës nëse krahasohen me borxhin që emetojnë vende të tjera. Edhe interesat për afatet e tjera të maturimit të borxhit qeveritar kanë një ankorim rreth këtyre niveleve që paraqitet borxhi me afat njëvjeçar. Kështu, në ankandin e një jave më parë të realizuar nga BSH, bonot me afat tremujor janë shitur me një interes mesatar të ponderuar prej 6.31 përqindësh. Ky interes mbetet i lartë edhe nëse e krahasojmë me nivelin e interesit të depozitave që ofrojnë një pjesë e madhe e bankave të nivelit të dytë për një afat njëvjeçar. Pjesën dërmuese të borxhit të qeverisë e blejnë bankat e nivelit të dytë në vend dhe një pjesë të madhe të tij e blen Banka e Shqipërisë, që mbetet një nga rregullatorët e fortë, duke ruajtur një normalitet, që në këtë situatë të tronditjes së tregjeve nuk duket edhe shumë fitimprurës. Në radhë të parë, qeveria është duke e paguar shtrenjtë paranë që merr borxh në tregun vendas dhe një situatë e tillë ndikon edhe si nivel imagjinar dysheme për normat e interesit që aplikohen për bankat e nivelit të dytë.