E Diel, 1 Nëntor 2026

Freedom House: Shqipëria vuan nga korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit

       
Shqipëria në vitin 2009 vazhdon që të ketë probleme të theksuara me ligjin dhe me shtetin e së drejtës, duke qëndruar në një pozicion ku vlerësohet një vend pjesërisht i lirë nga “Freedom House”
 
Shqipëria mbetet një vend pjesërisht i lirë. Kështu thuhet në raportin e përvitshëm për “Liritë në botë”, të përpiluar nga organizata prestigjioze “Freedom House”. Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në liritë civile dhe ato politike gjatë gjithë vitit 2009. Vendi ynë nuk ka shënuar përparime, pavarësisht se vitin e shkuar ne u pranuam si anëtare të barabartë në NATO. Sipas drejtorit të Studimeve të “Freedom House”, Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit që kanë bërë përparime, ka mbetur në vendnumëro. Madje, përparimi në rastin e Shqipërisë ka ngecur. Raporti citon veçanërisht presionet që qeveria e kryeministrit Sali Berisha ka ushtruar te media, por edhe tek organet e drejtësisë. Korrupsioni është një tjetër shqetësim për situatën e lirive në Shqipëri dhe që pengon punën transparente ,veçanërisht të Prokurorisë dhe Gjykatave. Sipas drejtorit të Studimeve, Uoker, në Shqipëri nevojiten reforma të thella institucionale. Një nga sfidat kryesore për Shqipërinë është edhe angazhimi i publikut në diskutime publike. Media nuk është plotësisht e lirë, ndaj nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike apo çështje të sigurisë që shqetësojnë vendin. Raporti përmban në terma të detajuara arritjet dhe problemet në liritë civile dhe politike për Shqipërinë, por varianti i plotë për gjithë vendet do të publikohet në fund të muajit prill.
***
Sipas raportit të publikuar nga “Freedom House”, vendi ynë paraqet mungesa të theksuara në zbatimin e ligjit, duke sjellë si pasojë një renditje në klasën 3, grup në të cilën paraqiten vendet që janë pjesërisht të lirë. Në një kohë që Shqipëria kërkon që të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave, si vendet e tjera të rajonit, raporti i “Freedom House” e rendit vendin në një nivel tepër të ulët nëse krahasohet me vlerësimin e vendeve të rajonit, që tashmë janë bërë pjesë e hapësirës së “Shengenit”. Në vendet e rajonit tonë, ku përfshihen Europa Qendrore dhe Lindore, duke marrë parasysh edhe vendet e ish-Bashkimit Europian, 14 vende janë vlerësuar si të lirë. 7 vende pjesërisht të lirë dhe 8 vende nuk paraqesin liri sipas këtij dokumenti të hartuar nga “Freedom House”.  Mali i Zi dhe Serbia janë vlerësuar pozitivisht nga “Freedom House”në këtë dokument, duke u përfshirë në zonën e lirë, ndërsa Maqedonia bashkë me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën vazhdojnë që të jenë vende që vlerësohen si pjesërisht të lira edhe për vitin 2009.
 
 
“Freedom House”: Berisha nuk u distancua nga Gërdeci, mbrojti Mediun në prokurori
 
Liria në botë pësoi një rënie globale për të katërtin vit me radhë në vitin 2009, sipas raportit të fundit të organizatës “Freedom House”. Raporti vjetor “Liria në botë”, që u bë publikua dje, përmend Amerikën Latine, Afrikën, ish-Bashkimin Sovjetik dhe Lindjen e Mesme, si rajonet ku liria ka pësuar më shumë rënie. Ballkani është një nga rajonet me rezultate pozitive për vendet e tij dhe Kosova është mes tyre. Por Shqipëria ka mbetur në të njëjtin pozicion me një vit më parë, me gjithë anëtarësimin në NATO. “Zëri i Amerikës” intervistoi drejtorin e Studimeve të “Freedom House”, Kristofer Uoker:
-Zoti Uoker, raporti i këtij viti për gjendjen e lirisë në botë është pesimist. A mund të bëni disa komente në përgjithësi për rezultatet kryesore të këtij raporti?
Ky vit ishte i katërti me radhë me rënie globale. Kishim gjithsej 40 raste të keqësimit të situatës, ndërsa vetëm 16 patën rritje, kështu që për katër vjet në shkallë globale është shënuar rënie. Në shumë nivele, kjo është arsye për shqetësim në rritje, pasi do të thotë më pak liri në përgjithësi dhe rënie në aspekte të lidhura me të, si për shembull më pak përgjegjësi dhe transparencë në pjesë të konsiderueshme të botës.
-Megjithëse gjendja për Ballkanin është përmirësuar në krahasim me pjesë të tjera të botës, gjendja në Shqipëri për sa i përket situatës politike ka mbetur e pandryshuar dhe përsëri në raportin e sivjetshëm flitet për korrupsion shumë të përhapur dhe për ineficiencë në institucionet e rendit dhe të drejtësisë. Cili do të ishte komenti juaj?
është e vërtetë që Ballkani ishte një nga rajonet me rezultate pozitive këtë vit. Një numër vendesh shënuan përparim, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Kosova ishte një nga vendet që ndryshoi kategori, duke kaluar nga grupi i vendeve jo të lira tek ato me liri të pjesshme. Duke pasur parasysh rënien globale, përmirësimet në Ballkan janë të dukshme dhe kjo është në ndryshim nga prirja e përgjithshme. Për sa i përket Shqipërisë, është e vërtetë që ka mbetur në të njëjtin pozicion, sipas vlerësimeve tona, është vend pjesërisht i lirë, çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra, ka ende hapësirë për përmirësim. Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar te media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin, që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport.
-Në raport thuhet se kryeministri Berisha nuk ka pranuar të distancohet nga aleatë të tij të përballur me akt-padi nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, dha dorëheqjen dhe iu hoq imuniteti pas shpërthimeve në Gërdec në vitin 2008. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi se rizgjedhja e tij si deputet ia riktheu imunitetin, dhe ai është përsëri ministër në qeverinë e re. A mund të na thoni më konkretisht se çfarë do të thotë kjo situatë për gjendjen e institucioneve në Shqipëri?
Mendoj se ju identifikuat një pikë shumë kritike, pra që çdo çështje paraqet sfidat dhe shqetësimet e veta, veçanërisht ato të niveleve më të larta të politikës në çdo vend. Prova është te përgjigjja e institucioneve dhe ajo që kemi parë në disa vende në disa pjesë të Europës Juglindore dhe Lindore, janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, çka do të thotë se ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm, ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për prokurorinë kur është e nevojshme. Prandaj mendoj se rasti që ju përmendni, kërkon një vigjilencë të madhe, për të garantuar që drejtësia të kryhet hapur, me transparencë, në mënyrë që të sjellë rezultatet e duhura dhe të hapura gjyqësore.
-Shqipëria është anëtare e NATO-s, por nga ana tjetër ka disa probleme që janë të brendshme të institucioneve dhe gjendjes së demokracisë në vend. çfarë do të sugjeronit ju si zgjidhje për një gjendje të tillë?
Mendoj se është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se në të gjitha shoqëritë, si kur bëhet fjalë për demokraci më të konsoliduara, që kanë vështirësitë e veta për përmirësimin e institucioneve të tyre, po ashtu edhe për vende në tranzicion, aty ku ka më pak burime në dispozicion për të bërë të mundur reforma më energjike. Një nga sfidat kryesore është nëse mund të ndërmerren reforma më të thella dhe më të pjekura institucionale dhe nuk ka një zgjidhje të shpejtë, nuk ka ndonjë metodë magjike. është thelbësore të kesh një pjesëmarrje më të qenësishme publike, është kritike që shoqëria civile të angazhohet në këto diskutime për të nxitur reformat, që qeveria të jetë e ndershme dhe e përgjegjshme. Parimet që ne kemi vlerësuar në raportet tona janë kritike dhe ne do të sugjeronim përmirësime në media, rritje të kapacitetit të shoqërisë civile. Nëse ka përmirësime në këto fusha, është e arsyeshme të presësh përmirësime, qoftë edhe graduale, por do të ndodhin. është një nga sfidat më të vështira për t’u kapërcyer në fushën e drejtësisë, për shumë vende që ne analizojmë, në mënyrë që transparenca të kthehet në normë dhe të mos jetë përjashtim.
-Një nga problemet kryesore në politikën e Shqipërisë sot është se opozita mbetet jashtë parlamentit, qëkur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet vitin e kaluar. A keni ndonjë sugjerim ose koment për zbutjen e situatës politike dhe për tejkalimin e këtyre problemeve që kanë efekt negativ në forcimin dhe zhvillimin e institucioneve në vend?
Kjo gjithashtu është një dukuri që po ndodh në shumë vende ku opozita ose nuk gjen një rol të kënaqshëm, ose rrugën efektive për të luajtur rolin e vet në politikën e vendit. Nuk mendoj se kjo është diçka e pazakontë, por mendoj se përgjigja mund të gjendet në mënyra më inovative për të angazhuar publikun në diskutime publike dhe në hartimin e mënyrave më efektive për të komunikuar alternativat politike si pjesë e platformave politike të partive. Kjo gjithashtu është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen vendet në tranzicion, për normalizimin dhe shtimin e efektivitetit të politikës dhe dialogut politik.
-Një nga çështjet që ju përmendët në fillim është situata e medias dhe në fakt gjendja e gazetarëve në Shqipëri është shpesh shqetësuese. Ata frikësohen, nuk kanë sigurinë e punës dhe një nga incidentet më të rënda të vitit të kaluar ishte ai kur drejtori i gazetës “Tema”, Mero Baze, u rrah para një restoranti nga një manjat i naftës në Shqipëri. çfarë mendoni se duhet bërë, që media të marrë rolin e saj në Shqipëri për të çuar përpara demokracinë?
Rasti që ju përmendni, ose edhe të tjerë të ngjashëm ku qeveria mban një qëndrim armiqësor ndaj medias, apo ku nuk lejon një diskutim të hapur dhe të sinqertë të çështjeve, është shumë shqetësues dhe është nga ato raste që në e kemi parë në Shqipëri prej disa vjetësh. Objektivi është pakësimi i këtyre rasteve abuzimi dhe frikësimi, pasi media është absolutisht thelbësore për avancimin e reformave të tjera, jo vetëm për të luftuar korrupsionin,  por nëse një media e hapur dhe e pavarur nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike, çështje të sigurisë, do të ketë rezultate negative për sa u takon këtyre politikave. Do të ketë më pak informacion në diskutimin publik, më pak shanse për diskutime të qenësishme të këtyre çështjeve, që janë gjithmonë të vështira në çdo rrethanë, por nëse medias i vihen kufizime për të luajtur rolin e vet për këto çështje, është diçka shumë negative për shoqërinë shqiptare. Kjo është diçka që ne e ndjekim nga afër jo vetëm në raportin tonë për gjendjen politike në përgjithësi, por do ta trajtojmë edhe më në hollësi këtë çështje kur të nxjerrim raportin për lirinë e shtypit në fund të prillit.
Keida Kostreci
“Zëri i Amerikës”
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›