Kriza shqiptare: 2010, viti i ngërçit ekonomik
Për specialistët e ekonomisë, shenjat e krizës ekonomike në Shqipëri tregojnë se viti 2010 do të tregojë një anë tjetër, ku vendet e punës do të shkurtohen dhe rritja do të ngadalësohet
Kriza ekonomike tashmë është e shprehur në të gjitha format e saj të mundshme, duke bërë që ky vit të jetë për të gjithë më i vështirë. Pavarësisht se qeveria është treguar tepër optimiste, duke e neglizhuar shpeshherë furtunën që tronditi botën gjatë vitit 2009, buxheti i vitit 2010 në tërësinë e tij është më i vogël se ai i këtij viti. Reflektimi i krizës fillon që nga financat e qeverisë, të cilat nuk premtojnë shumë, duke e treguar qartazi ngërçin e biznesit dhe të ekonomisë në tërësi. Tregues të saj direkt janë jo vetëm të ardhurat e importet në rënie të lëndëve të para apo edhe të eksporteve, por një nga treguesit që mbetet tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, është rënia e ndjeshme e importit të mallrave të gatshme ushqimore, që në një periudhë thuajse njëvjeçare kanë pësuar një rënie me 14 për qind. Dobësia e fuqisë blerëse konvergjon me rënien e fortë të kreditimit, që për ekonominë shqiptare rezulton me një mungesë prej rreth 1 miliard eurosh në vitin 2009, krahasuar me vitin 2008.
Kriza shqiptare
Viti 2010 duket se do të jetë më i vështirë për ekonominë shqiptare jo vetëm për shkak të furtunës globale në tërësi që ka fshikulluar lehtë edhe ekonominë shqiptare gjatë vitit 2009, por edhe për faktin se ekonomia me të cilën kemi edhe lidhjet më të mëdha ekonomike, ajo greke, është duke vuajtur krizën më të fortë të 50 viteve të fundit. Me një deficit buxhetor dhe të jashtëm në limitet e prag-kolapsit, kriza greke rrezikon që të amplifikohet në Shqipëri, duke tharë burimet e ekonomisë shqiptare në disa drejtime kryesore.
Remitancat
Nuk ka një numër të saktë emigrantësh shqiptarë që jetojnë në Greqi, por sipas studimeve të ndryshme, numri i tyre është rreth 700 mijë vetë. Një pjesë e madhe e tyre kanë humbur vendet e punës gjatë vitit 2009 dhe një pjesë tjetër në vazhdimësi po përgatitet që të futet në varfëri gjatë këtij viti që sapo ka trokitur. Ditët e para të vitit 2010 në Greqinë fqinje nuk ka qenë të qeta, ku qeveria e re pritet të përballet me protesta të mëdha të fermerëve, të cilët refuzojnë reformat e majta të ndjekura nga Papandreu. Në tremujorë të ndryshëm, Banka e Shqipërisë ka raportuar për rënie të ndryshme të remitancave, të cilat kanë qenë shumë herë në rënie dyshifrore dhe në disa tremujorë në rënie njëshifrore.
Orientimi i tregtisë
Tregtia me vendet e BE-së përbën 68.3 për qind të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, duke shënuar rritje me 4.3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht rritjes së peshës së këtyre shkëmbimeve tregtare, vlera e tyre gjatë vitit 2009 regjistron një rënie vjetore prej 3 përqindësh me partnerët tanë kryesorë, Italinë dhe Greqinë. Situatë jo shumë optimiste pritet në marrëdhëniet tregtare me Greqinë edhe gjatë këtij viti. Kriza, tashmë e reflektuar në të gjithë ekonominë greke, që sipas specialistëve vetëm për të mbyllur shpenzimet në buxhet kërkon 54 miliardë euro, do të reflektohet edhe në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë. Greqia mbetet vendi i dytë në botë për sa i përket rëndësisë tregtare që ka ndaj Shqipërisë. Një fakt i rëndësishëm është rritja vjetore e shkëmbimeve tregtare me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. Nga vendet joanëtare të BE-së, partnerët kryesorë sipas vëllimit të përgjithshëm tregtar janë: Turqia, Kina, Ukraina, Maqedonia dhe Rusia. Me përjashtim të Rusisë dhe Maqedonisë, me të cilat regjistrohet një rënie vjetore e konsiderueshme në vëllimin e shkëmbimeve tregtare, vendet e tjera regjistrojnë rritje të këtyre shkëmbimeve.
Deficiti buxhetor
Dihet tashmë se prej më shumë se një 100 vjetësh, një nga armët e forta për të ringjallur ekonominë është politika fiskale ekspansioniste, por Qeveria Shqiptare duket se i ka harxhuar të gjithë fishekët për këtë betejë. Deficiti buxhetor, që për vitin 2009 shkoi deri 7 për qind me një buxhet të rishikuar dy herë, nuk e lejon më qeverinë që në vitin 2010 të ketë luksin e shpenzimeve rekord për të ndezur motorin e ekonomisë. Nga sa shihet edhe në buxhetin 2010, shpenzimet për investime janë vërtet modeste dhe në to nuk ka asnjë projekt madhor, duke lënë hije dyshime edhe për faturën që kërkon ende rruga Rrëshen-Kalimash pas rrëzimit të tunelit, i cili ishte edhe krenaria e qeverisë për këtë vit elektoral. Realisht, shpenzimet buxhetore i kanë munguar qeverisë që në muajin gusht, i cili shënoi edhe fundin e investimeve pas një vendimi të qeverisë për bllokimin e prokurimeve.
Kredia, arsyeja kryesore
Një tkurrje në nivele të tilla e konsumit dhe përgjithësisht mallrave të gatshëm të kësaj kategorie, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, ka ardhur për shkak të rënies së ndjeshme të kreditit, që mbetet nga financuesit kryesorë të blerjeve me jashtë. Në tre muajt e fundit të vitit 2008 dhe në gjithë vitin 2009 kredia ka pësuar një bllokim thuajse të plotë. Bankat janë skeptike që të japin kredi për konsum dhe kryesisht për individët marrja e kreditit për blerje të ndryshme është thuajse e pamundur. Nga ana tjetër, bankat nuk financojnë më edhe biznesin, dhe tashmë është vërtetuar se lidhja midis kreditit dhe kërkesës agregate në ekonomi është shumë e fortë. Edhe viti 2010 pritet që të pasojë një situatë aspak të favorshme në këtë drejtim, ndërsa bankierët presin vështirësi dhe risqe shtesë në kreditim.
Leku në vështirësi
Monedha vendase, leku, ka kapur nivelin më të ulët të muajit dhjetor ndaj euros, pikërisht në ditën e ndarjes së viteve, që korrespondon edhe me nivelin më të lartë të ofertës në monedhën europiane në tregun shqiptar. Një rezultat i tillë vjen normalisht, pasi fundi i vitit korrespondon me fluksin më të madh të ardhjes së emigrantëve në vend. Një kurs i tillë tregon edhe njëherë se kemi një mungesë të ofertës në treg për euro, e cila mund të sjellë edhe situata të ndryshme në muajt që vijnë. Nuk duhet harruar se edhe në vitin 2009 ishte mbarimi i tremujorit të parë ai që shënoi lëkundjen e parë të monedhës vendase ndaj euros, pas kërkesës në rritje për euro në treg nga ana e kompanive që paguajnë dividendë apo rregullojnë inventarët e tyre.