E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcjellja e krizës ekonomike: Leku, humbje të reja çdo ditë ndaj euros

 
Prej ditës së hënë të kësaj jave, që ishte edhe e para si ditë pune për sektorin financiar, kursi i këmbimit për monedhën vendase, lekun, ka qenë i pafavorshëm, duke treguar sërish dobësi në rritje
 
Euroja ka vazhduar që të ruajë revanshin e saj ndaj lekut gjatë gjithë kësaj jave, ku sipas kursi zyrtar të Bankës së Shqipërisë, leku do të ruajë një trend zhvlerësues, që tregon mungesën e valutës në treg. Megjithëse zhvlerësimi ka qenë në shifra tepër të ulëta për çdo ditë, kjo gjendje ka qenë prezente për gjithë javën e parë të punës të këtij viti të ri. Euroja gjatë ditës së djeshme ka pasur një kurs mesatar këmbimi, që sipas Bankës së Shqipërisë ka qenë 138 lekë. Tashmë mbushet një vit i plotë qëkurse monedha europiane nisi revanshin ndaj lekut, që kishte mundur t’i ruante këto pozicione për shumë vite me radhë. Pas tremujorit të parë të vitit 2009, euroja u mbiçmua ndjeshëm ndaj lekut, duke kapur një kuotë maksimale prej 140 lekësh, e cila sipas specialistëve fillimisht i interpretua si spekulim.
***
Janë të shumtë specialistët e ekonomisë që paraqesin dilemat e tyre për të ardhmen e kursit të këmbimit në vend. Madje ka qenë vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që në pjesën e dytë të vitit 2009 ka këshilluar veçanërisht biznesin që realizon aktivitetin e tij nëpërmjet transaksioneve të mëdha që bazohen në shkëmbime valutore, që të kryejë kontrata të sigurta për të ardhmen. Pra, të paguajë për një kurs këmbimi të sigurt. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër, veçanërisht individët, të cilët kanë marrë një kredi në euro për shkak të interesave të favorshme dhe të ardhurat i kanë në lekë, janë të detyruar që të paguajnë kosto shtesë.
***
 Shqetësimi i institucioneve që monitorojnë treguesit makroekonomikë të vendit tashmë janë përqendruar në deficitin buxhetor që qeveria po mundohet tashmë që ta stabilizojë dhe nga ana tjetër, edhe atë me jashtë ,që duket se varet para së gjithash nga kreditimi, eksportet dhe remitancat. Tashmë të gjithë janë të bindur se gjashtëmujori i dytë i këtij viti do shënojë të ardhura më të pakta se ai i pari. Deficiti korrent që paraqet nga ana tjetër një pamje më të plotë të ekonomisë ka kapur një nivel historik, prej minus 17 përqindësh. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pavarësisht faktit se nga ka buruar ky nivel kaq i lartë borxhesh me jashtë, shifra mbetet tejet shqetësuese. Nivele të tilla të deficitit korrent mund të sjellin shumë shpejt zhvlerësime të reja të monedhës vendase, por spiralja mund të shtrihet edhe më tej në ekonomi.
 
 
Nafta kërcen në 83 dollarë për fuçi, tregu vendas mbetet në kuotat e fundvitit
 
Nafta ka kapur nivelin më të lartë të 15 muajve të fundit në tregjet ndërkombëtare, pas të ftohtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës. Por rritja e çmimit të naftës duket se nuk ka ardhur vetëm nga ky shkak, por ka pasur edhe faktorë të tjerë, të cilët duket se varen tashmë nga ekonomia energjike aziatike. Banka qendrore e Kinës la tregjet e habitur, duke e ngritur normën e interesit për një tremujor, ndërsa tregjet e morën këtë si një sinjal për forcimin e politikës, duke bërë presion mbi mallrat dhe kryesisht mbi çmimin e naftës. Për dyfishimin e çmimit të naftës gjatë vitit 2009 specialistët a faturojnë kryesisht ekonomisë kineze dhe rritjes së saj të fortë.
***
Tregu i naftës në vend nuk ka pësuar lëvizje të reja gjatë javës së parë të këtij viti. Nëse çmimi i arit të zi do të vazhdojë që të rritet në tregjet ndërkombëtare edhe në ditët në vazhdim, shto këtu edhe faktorin e pafavorshëm të kursit të këmbimit si me dollarin, ashtu edhe euron, nafta në vend do të ndjekë këtë trend. Gjatë vitit 2009, pas arritjes së pikës më të ulët të çmimit në muajin shkurt të këtij viti, u shfaq një prirje rritëse e naftës për fuçi, pavarësisht vlerësimit të dollarit amerikan kundrejt disa prej monedhave kryesore ndërkombëtare. Kërkesa botërore për naftë regjistroi një rënie prej 3.2 përqindësh në terma vjetorë gjatë kësaj periudhe. Ndikimin kryesor e dha rënia e kërkesës në vendet e OECD dhe disa prej vendeve kryesore në zhvillim. Një vështrim i afërt ndaj ecurisë mujore të këtij tregu dëshmon për një përmirësim të kërkesës në SHBA gjatë periudhës maj-qershor të vitit të kaluar. Oferta për naftë, në anën tjetër, ka shënuar ritme të lehta rritjeje. Organizata për Vendet Eksportuese të Naftës (OPEK) uli kuotat referencë të prodhimit për anëtarët e saj për disa muaj rresht, me qëllim arritjen e një ekuilibri më të lartë të çmimit të naftës. Megjithatë, përmirësimi i kapaciteteve prodhuese dhe rafinuese në rajonet e tjera eksportuese të naftës në botë ndikoi në ruajtjen e prirjes rritëse të ofertës. Parashikimet për periudhën afatmesme vlerësojnë një rritje të çmimit gjatë gjysmës së dytë të këtij viti.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›