E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, kush e ka radhën në 2010?

 
Ekspertët e bursave bëjnë të ditur se në rritjen e nivelit të treguesve të tregjeve më të rëndësishëm ka ndikuar nisja që nga viti i kaluar i rritjes në të gjitha bursat europiane të aksioneve
 
Bursat europiane përmes treguesve të shënuar gjatë ditëve të para të vitit të ri, i cili sapo ka nisur, flasin për një fillim të mbarë të tij. Këtë fakt e pohojnë ekspertët e bursës, sipas të cilëve në rritjen e nivelit të treguesve të bursave më të rëndësishme ka ndikuar nisja që nga viti i kaluar i rritjes në të gjithë tregjet europiane të aksioneve, kryesisht për materialet e papërpunuara, ato bankare dhe të sigurimit. Ndërkaq, listat e çmimeve flasin edhe për dhëna të caktuara makroekonomike, të cilat konfirmojnë kohën më të mirë të prodhimit kinez industrial. Kështu, treguesit pozitivë të ekonomisë kineze duket se kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për bursën europiane.
Kë “fali” kriza
Janë vetën 10 për qind e vendeve në zhvillim anembanë globit, që janë prekur lehtë në krizën ekonomike, që tashmë efektet më të mëdha i ka dhënë në vendet e zhvilluara për vetë karakteristikat që ajo mbart. Sipas Bankës Botërore, kriza po përball të gjithë familjet në vendet në zhvillim me riskun e futjes në varfëri dhe vuajtje. Rreth 40 për qind e të gjithë vendeve në zhvillim sipas raportit të BB-së, kanë një ekspozim të lartë ndaj varfërisë, që ka si burim krizën ekonomike që po përhapet si epidemi tashmë drejt tyre. Pasojat e krizës për këto vende janë rënia e ritmeve të rritjes së PBB-së dhe njëkohësisht futja në strehën e varfërisë për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Rreth 56 për qind e vendeve në zhvillim sipas BB-së po përballen ose me varfërimin e një pjese të popullsisë, ose me rënien ekonomike, duke u përfshirë në grupin e vendeve me një risk të moderuar karshi krizës. Vetëm 10 për qind e vendeve në zhvillim kanë një risk të ulët të përfshirjes nga efektet e kësaj krize.
Deficiti ngrin planet
Deficiti i lartë që kanë vendet në zhvillim, përfshi këtu edhe Shqipërinë, nuk i lejon ato që të marrin shpenzime fiskale shtesë për t’i dhënë ekonomisë një frymëmarrje gjatë kësaj periudhe që mund të zgjasë edhe me vite. Një fakt i tillë është konfirmuar në rastin e Shqipërisë, ku qeveria ka vendosur që të ulë ndjeshëm shpenzimet buxhetore për vitin 2010, e sidomos zërin e investimeve publike. Sipas Bankës Botërore, vendet në zhvillim janë të detyruara që ndërmarrin programe punësimi dhe ndihme sociale për të gjithë ata që janë futur në vijën e varfërisë. Por deficiti buxhetor dhe limitet e tij nuk i lejojnë këto vende që të jenë agresive në këtë pikë. Limitet e kredive tregtare afatgjata që ato mund të marrin për të zëvendësuar këtë pjesë do të ishin gjithashtu të vështira për t’u aprovuar në këto kohëra. Tashmë ka shembuj të shumtë në rajon, por edhe më gjerë, ku marrja e një kredie duket vërtet e pamundur. Një mundësi e mirë sipas BB-së janë fondet grande që mund të vijnë nga vendet e zhvilluara për të nxjerrë popullsinë nga varfëria në këto vende.
Kriza e luksit
Për vetë origjinën e saj që erdhi nga sistemi bankar në Amerikë, por edhe në vende të tjera të zhvilluara, kriza globale ka kursyer vendet në zhvillim vetëm për një periudhë afatshkurtër, duke dhënë vetëm efekte anësore mbi to, por gjysma e vitit 2009 dhe viti 2010 duket se është një provë me të vërtetë e madhe. Por nëse në vendet e zhvilluara, përfshi këtu Europën dhe Amerikën, vlerësohet se viti 2009 do të jetë i fundit para kthesës që do të marrë situata, për vendet në zhvillim pasojat janë më të gjata. Vetë burimet e ekonomive në zhvillim “do të thahen” dhe kriza për këto vende do të vazhdojë gjatë.
 
 
Perspektivë e zymtë për tregjet europiane të automjeteve
 
Ekspertët presin rënie të fortë të shitjeve në tregun europian të automjeteve. Krejt ndryshe flasin parashikimet për Kinën, SHBA-të dhe Rusinë.
 
Bota e automjeteve aktualisht po riorganizohet, dhe kjo ka pasoja për vendet e prodhimit, thuhet në një studim të publikuar të premten nga studiuesi i njohur i sektorit të automjeteve, Ferdinand Dudenhöffer, nga Universiteti i Esenit
 
 
Rënia e fortë në 2009 u shmang
Me gjithë krizën financiare, falë subvencionimit nga shteti gjerman të blerjes së makinave të reja, duke hequr dorë nga të vjetrat, si dhe në sajë të programeve stimuluese për koniunkturën, viti 2009 ishte i gjashti më i mirë për shitjet e makinave në botë. “Rënia e fortë nuk ndodhi”, thekson eksperti për sektorin e automjeteve, Dudenhöffer. Sipas studimit, gjatë vitit të kaluar në të gjithë botën u shitën 52,8 milionë makina, 5,4 për qind më pak se një vit më parë. Ndërsa në Gjermani, falë subvencionimit që morën nga shteti pronarët e automjeteve për të këmbyer modelet e vjetra me të reja, u shitën madje 3,8 milionë makina, ose 24 për qind më shumë se gjatë 2008-ës. Edhe në Europën Perëndimore sasia e shitur u rrit ndjeshëm. Ndërsa në Amerikën e Veriut shitjet ranë me gati 22 për qind. Tregu rus pësoi një rënie të shitjeve prej 44 për qindësh, ndërsa humbës të tjerë ishin Japonia, Kanadaja, Spanja dhe Anglia.  Kampioni në tregun ndërkombëtar të automjeteve sipas përllogaritjeve ishte Kina me një rritje prej 44 për qindësh: 8,2 milionë makina të shitura.
2010 - zhvendosje masive e fuqisë blerëse
Për këtë vit, eksperti Dudenhöffer pret zhvendosje masive të fuqisë blerëse. Por në total, tregu ndërkombëtar i automjeteve do të zhvillohet pozitivisht. Gjithsej kërkesa në gjithë botën do të rritet me 4,3 për qind në 55 milionë makina të shitura, para së gjithash falë tregjeve në SHBA, Kinë, Rusi dhe Indi. Ndërsa në Europën Perëndimore do të shiten gati një milion makina më pak se në 2009, një minus prej 7 përqindësh. Për Gjermaninë eksperti pret një rënie të kërkesës me 25 për qind, në 2,8 milionë makina. “Përgjegjës për rënien e kërkesës është në radhë të parë shtysa artificiale që u krijua nga bonusi shtetëror për ndërrimin e automjeteve të vjetra”, mendon Dudenhöffer. Gjermania ul gjithë tregun europian.
 
Kriza mbjell varfërinë
Pasi kanë gëzuar për një dekadë një rritje të fortë ekonomike dhe reduktim të varfërisë, vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore janë tashmë nën presionin e një krize që do të zhysë në varfëri 35 milionë njerëz, ose thënë ndryshe, një të tretën e atyre që dolën nga kategoria e të varfërve gjatë 10 viteve të fundit. Të dhënat kanë dalë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë mbledhjes së fundit të vjeshtës që këto institucione realizojnë çdo vit. Rreth 90 milionë njerëz të popullsisë së rajonit që në total shkon në 480 milionë, ose rreth 18 për qind e saj, kanë dalë prej kategorisë së të varfërve që prej vitit 1999. Por një arritje e tillë tashmë është në një rrezik të madh, që e ka emrin recesion. Sot, rreth 40 për qind e 480 milionë njerëzve konsiderohen të varfër ose pranë nivelit të varfërisë. Por numri i të varfërve dhe të atyre që janë vulnerabël që të futen në këtë kategori pritet që të rritet në rajon, me një rritje prej 5 milionë njerëzish për çdo rënie prej 1 përqindësh të GDP-së. Në fund të vitit 2009, varfëria është rritur me 5 për qind, çka do të thotë 25 milionë njerëz të tjerë që mbërthehen nga mjerimi. Por kjo shifër nuk mbaron me kaq, numri i të varfërve do të rritet me 10 milionë të tjerë në një total prej 35 milionë njerëzish në fund të vitit 2010. Me 10 muaj në krizë, vendet po humbasin në varfëri atë që kanë fituar në 10 vitet e fundit. Në fund të vitit 2010, ne do të kemi për fat të keq 35 milionë njerëz më shumë në varfëri. Kjo është një krizë humane që dëgjohet ndryshe, e thënë si “krizë financiare dhe ekonomike globale”
 
 
Europa dhe Azia Qendrore do të goditen më fort
Shumë vende europiane dhe të Azisë Qendrore kanë hyrë në krizë me një pozicion të vështirë. Deficite të larta korrente, borxh të jashtëm në nivele të larta, rritje të shpejtë të kreditimit dhe një bum konsumi i financuar nga paraja e ardhur nga jashtë në formën e borxheve ka krijuar një risk të lartë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, në Vendet Baltike etj. Për këtë arsye, vendet e Europës Lindore dhe Qendrore që tani po goditen me një intensitet të lartë krahasuar me rajone të tjera të vendeve në zhvillim. Veçanërisht, efektet e krizës do të transmetohen nëpërmjet tre mekanizmave: financave, produktit dhe tregjeve të punës. Në sektorin financiar, risku për vendet që kanë deficite të larta të llogarisë korrente dhe paqëndrueshmëri në shkëmbimet në tregjet e huaja kanë krijuar një pasiguri në rritje. Prodhimi industrial ka rënë në disa vende dhe në një sërë vendesh të tjera do të ketë një rënie dyfishe gjatë vitit 2009 krahasuar me vitin e kaluar. Papunësia është në rritje të shpejtë me një humbje të paprecedentë të vendeve të punës në disa vende dhe të tjerë do të përballen me një papunësi dyshifrore së shpejti. Veçanërisht lajme të këqija ka për vendet që janë të varura nga remitancat (siç janë Shqipëria, Moldavia, Taxhikistan). Në rastin e Taxhikistanit, llogaritet që rënia e remitancave me 30 për qind mund të ketë rezultuar me një rritjen e numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri me 5 për qind.  
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›