Kriza, IFC: 1 miliard euro për rimëkëmbjen e rajonit
Fondi prej qindra miliona eurosh do të përdoret për financimin e bankave dhe ndërmarrjeve që janë në vështirësi, pas krizës së thellë me të cilën po përballen vendet e rajonit gjatë vitit në vazhdim
“Uashington-IFC”, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe “CRG Capital”, një prej menaxhuesve kryesorë të fondeve për rindërtim, kanë hapur fondin e parë kushtuar investimeve në aktive problematike në Europën Qendrore dhe Lindore. Fondi i Situatave të Veçanta në Europën Qendrore dhe Lindore (CEE) do të investojë në kompani që janë në vështirësi, me synim për të mbështetur rimëkëmbjen e rajonit. Fondi po ngrihet nga “CRG Capital”. Ai synon të mbledhë 200 milionë euro, ku fillimisht EBRD, IFC dhe “CRG Capital” do të angazhojnë një shumë totale prej 36 milionë eurosh . Ai do të përqendrohet në përftimin, kthimin dhe zgjidhjen e aktiveve problematike të Europës Qendrore dhe Lindore. Investimet do të vlerësohen një e nga një në të gjithë rajonin e CEE-së. Kompanitë që kanë portofola aksionesh mund të jenë, ndër të tjera, nga vende ku përfshihen Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Estonia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Hungaria, Lituania, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe Ukraina. Fondi bën pjesë në Programin e Borxhit dhe të Rimëkëmbjes së Aktiveve, të nisur nga IFC-ja, në mbledhjet vjetore të Grupit të Bankës Botërore në tetor 2009.
***
Parham Pouladdej, drejtor menaxhues i “CRG Capital”, tha: “Ne jemi shumë të kënaqur nga mbyllja e fondit të parë dhe nga besimi, mbështetja dhe angazhimi i qenësishëm i investitorëve. Kjo mbyllje me sukses pasqyron ecurinë e punës sonë, forcën e ekipit dhe të strategjisë sonë të investimeve, si edhe pozicionimin tonë unik. Ndërsa të sfiduarit e mjedisit aktual siguron mundësi të mëdha për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e rajonit”. Varel Freeman, presidenti i parë i EBRD-së, tha: “Pjesëmarrja e EBRD-së në fond do të mbështesë zhvillimin e investimeve private në aksione në kompani që janë prekur nga kriza ekonomike. Fondi do të mbështesë grupin e ngritur për menaxhim, i cili do të sjellë aftësi të reja për mbështetjen e kompanive të suksesshme, por që aktualisht janë në vështirësi”. Lars Thunell, zëvendëspresident ekzekutiv dhe punonjësi kryesor ekzekutiv (CEO) i IFC-së, tha: “Jemi shumë të kënaqur të punojmë me EBRD-në dhe “CRG Capital” për këtë iniciativë të rëndësishme në Europën Qendrore dhe Lindore. Duke trajtuar çështjen e borxheve të këqija, ne ndihmojmë në rimëkëmbjen e shanseve për sukses të sistemit financiar të rajonit, me qëllim që individët dhe bizneset e vogla dhe të mesme të kenë qasje më të mirë në financime të përballueshme”. Programi i Borxhit dhe Rimëkëmbjes së Aktiveve është një element kyç i strategjisë së IFC-së për të mbështetur rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.
***
IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Sida nënshkruan edhe një marrëveshje, sipas së cilës Suedia do të japë deri në 125 milionë dollarë (baras me deri në 1.2 miliard krona suedeze) për zgjerimin e mundësive për financime tregtare për ekonomitë në zhvillim në Europën Qendrore dhe Lindore, ku biznesi është tkurrur, për shkak të krizës financiare globale. Marrëveshja e nënshkruar nga IFC-ja dhe Sida, Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar, do të sigurojë garanci të pafinancuara për bankat globale dhe rajonale, të cilat financojnë tregtinë në tregje në zhvillim në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshi Shqipërinë, Bjellorusinë, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Kosovën, Maqedoninë, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Kjo është kredia e parë në kuadrin e fazës së dytë të Programit të IFC-së për Likuiditete për Tregtinë Globale, një përpjekje e bashkërenduar midis qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe agjencive të zhvillimit për të mbështetur financimin e tregtisë në vazhdën e rënies së likuiditetit për shkak të krizës financiare globale. Gjatë gjashtë muajve të fundit, programi ka shpenzuar më shumë se 900 milionë dollarë për të mbështetur 2.2 miliardë dollarë në transaksione tregtare në tregjet në zhvillim.
***
Sipas një raporti të kohëve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Shoqatës së Bankierëve për Financim dhe Tregti, vlera e përgjithshme e bizneseve të financimeve tregtare ra më shumë në Europën Qendrore dhe Lindore, kur u krahasua janari 2009 me tetor 2008. “Kjo kredi do të ndihmojë shumë për forcimin e bizneseve në Europën Qendrore dhe Lindore, një prej rajoneve të prekura me shumë nga kriza financiare globale”, tha Lars Thunell, Zëvrendëspresidenti ekzekutiv dhe CEO i IFC-së. “I jemi mirënjohës Suedisë për mbështetjen e dhënë në kohën e duhur, dhe presim që edhe institucione dhe qeveri të tjera të bashkohen me ne për të rigjallëruar tregtinë në rajon”. Anders Nordström, drejtori i Përgjithshëm i Sida-s, tha: “Ndihem krenar që Suedia është në ballë kur vjen puna për futjen e mendimeve të reja dhe zhvillimin e instrumenteve të reja për të ndihmuar vendet në zhvillim, të cilat janë bërë më të prekshme për shkak të krizës financiare”.
Korporata Financiare
IFC-ja është i vetmi institucion financiar ndërkombëtar që përqendrohet vetëm në sektorin privat, motori i zhvillimit të qëndrueshëm të tregjeve në zhvillim. Së bashku me IBRD-në, aktualisht IFC-ja po synon rritjen e kapitalit për forcimin e aftësive të saj, me qëllim krijimin e shanseve për të varfrit në vendet në zhvilli, duke përfshirë edhe zgjidhjen e problemit të aktiveve problematike.
Nafta dhe euroja rriten njëkohësisht në treg
Situata ekonomike në vend ka rritur prej ditësh tensionin në kursin e këmbimit, ku monedha euro ka vazhduar tashmë prej 10 ditësh që të mbiçmohet. Gjatë ditës së djeshme një euro është blerë me 139 lekë në tregun valutor vendas, duke shënuar edhe nivelin më të lartë të muajit të fundit. Edhe në tregun ndërkombëtar situata në tregje ka vazhduar të jetë në lëvizje. Nafta gjatë ditës së djeshme ka kapur nivelin më të lartë prej 15 muajsh, duke mbërritur në 83 dollarë për fuçi.
***
Euroja ka vazhduar që të ruajë revanshin e saj ndaj lekut edhe në fillim të kësaj jave, ku sipas kursi zyrtar të Bankës së Shqipërisë, leku do të ruajë një trend zhvlerësues, që tregon mungesën e valutës në treg. Megjithëse, zhvlerësimi ka qenë në shifra tepër të ulëta për çdo ditë, kjo gjendje ka qenë prezente për gjithë javën e parë të punës të këtij viti të ri. Euroja gjatë ditës së djeshme ka pasur një kurs mesatar këmbimi, që sipas Bankës së Shqipërisë ka qenë 138.15 lekë. Tashmë mbushet një vit i plotë qëkurse monedha europiane nisi revanshin ndaj lekut, që kishte mundur t’i ruante këto pozicione për shumë vite me radhë. Pas tremujorit të parë të vitit 2009, euroja u mbiçmua ndjeshëm ndaj lekut, duke kapur një kuotë maksimale prej 140 lekësh, e cila sipas specialistëve fillimisht i interpretua si spekulim.
***
Janë të shumtë specialistët e ekonomisë që paraqesin dilemat e tyre për të ardhmen e kursit të këmbimit në vend. Madje ka qenë vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që në pjesën e dytë të vitit 2009 ka këshilluar veçanërisht biznesin që realizon aktivitetin e tij nëpërmjet transaksioneve të mëdha që bazohen në shkëmbime valutore, që të kryejë kontrata të sigurt për të ardhmen. Pra, të paguajë për një kurs këmbimi të sigurt. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër, veçanërisht individët të cilët kanë marrë një kredi në euro për shkak të interesave të favorshme dhe të ardhurat i kanë në lekë, janë të detyruar që të paguajnë kosto shtesë.