E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat “shpërfillin” krizën, rritin portofolin e kredisë për vitin 2009



Prioritet biznesit, por edhe konsumatorët e thjeshtë

Bankat e nivelit të dytë do japin më shumë kredi këtë vit

Ajo që u paralajmërua prej kohësh nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, se sistemi bankar shqiptar është i qëndrueshëm dhe kriza globale nuk do të ketë efekt direket mbi të, duket se po vërtetohet nga politikat e bankave të nivelet të dytë. Shumica prej tyre, në planin e hartuar për vitin 2009, kanë planifikuar të rritin portofolin e kredisë për vitin që kemi në vazhdim. Disa drejtues bankash, të pyetur nga gazeta “standard”, janë deklaruar se bankat e tyre kanë një nivel më të lartë të portofolit të kredisë, krahasuar me vitin 2008. Bankat që japin më shumë kredi për këtë vit janë Banka Popullore, Banka Credins, ProCredit Bank, Tirana Bank dhe disa të tjera. Drejtuesit e këtyre bankave ende nuk bëjnë të njohur shifrën e portofolit të kredisë për 2009-ën, pasi atë do ta bëjnë të ditur në daljet e tyre publike ku do të njohin publikun edhe me shërbimet e reja që afrojnë për këtë vit. Por nga ana tjetër pranojnë se më shumë para do të hidhen në tregun e kredive për këtë vit, të cilat do të jenë të destinuara si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorin. Zhvillimet e deritanishme tregojnë se bankat e nivelit të dytë nuk po frenojnë aktivitetin e tyre për këtë, madje synojnë ta zgjerojnë atë çka tregon se efekti krizë qëndron ende larg sistemit bankar shqiptar. Një prej drejtuesve të bankave kryesore në vend e perifrazon krizën të tillë: “Kriza në Shqipëri është si të fryjë erë diku dhe të tunden gjethet këtu tek ne. Kaq, asgjë nuk ndodh, pema nuk lëviz. Kështu është dhe lidhja e krizës globale me sistemin bankar në Shqipëri”. Por edhe politika e Bankës së Shqipërisë e tillë ka qenë, që të nxiste bankat e nivelit të dytë të rritin kreditimin për vitin në vazhdim. Vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në ceremoninë e largimit të FMN-së nga Shqipëria, i bëri thirrje sistemit bankar, si atij vendas, ashtu dhe bankave mëma, që të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t’i dhënë asaj mundësitë reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare, pavarësisht krizës globale. Guvernatori Fullani tha se kredia bankare ka qenë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit e, për rrjedhim, mendon se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen.

Në fakt, vitet e fundit është rritur ndjeshëm niveli i kreditit të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë, aq sa është bërë dhe shqetësues risku për kthimin e tyre. Banka e Shqipërisë nga ana tjetër ka kërkuar që bankat e nivelit të dytë të jenë më të kujdesshme ndaj dhënies së kredive, për të mos rritur nivelin e kredisë së keqe. Të dhënat e vitit 2008 ende nuk janë përpunuar nga Banka e Shqipërisë si total vjetor, por të dhënat 3-mujore tregojnë për rritje të kredisë. Sipas të dhënave të BSH-së, kredia për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit 2008 u rrit me 29 miliardë lekë, kundrejt 3-mujorit të dytë, duke ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 43 për qind, bëhet e ditur në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike në vend të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, kontributin kryesor në rritjen e kredisë vazhdon ta japë kredia në valutë, e nxitur nga diferenca pozitive e normave të interesit të kredisë në lekë ndaj asaj në valutë. Ndërkohë që bizneset kanë qenë përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare, duke zënë rreth 66 për qind të totalit të portofolit të kredisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›