Lojërat e fatit, 400 prej tyre në ilegalitet
Aktiviteti i lojërave të fatit është një biznes dhe si i tillë, ai duhet regjistruar dhe të paguajë taksat dhe detyrimet ndaj shtetit. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për lojërat e fatit, askush nuk mund të bëjë “lojë”, duke fshehur aktivitetin apo duke mos paguar taksat ndaj shtetit. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka vendosur të bllokojë aktivitetin e subjekteve të paligjshme, që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë. Nga kontrolli rezulton se janë rreth 1500 adresa subjektesh që ushtrojnë aktivitet të lojërave të fatit, ku 400 prej tyre ushtrohet aktivitet të paligjshëm. Kontrolli i nisur për të verifikuar ligjshmërinë e tyre dhe në rastet kur konstatohet shkelje, do të bëhet konfiskim apo deri në bllokim të llogarive bankare
Masa të rrepta do të zbatohen për subjektet e lojërave të fatit, që nuk zbatojnë ligjin apo nuk paguajnë detyrimet ndaj shtetit. Bllokim aktiviteti deri në bllokimin e llogarive bankare apo të pasurive të paluajtshme do të bëhet ndaj tyre, nëse s’janë regjistruar pranë QKR-së dhe s’kanë paguar taksat ndaj shtetit. Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri "Për Lojërat e Fatit”, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka nisur një aksion për konfiskimin e mjeteve elektronike të përdorura për aktivitet të paligjshëm nga subjektet. Drejtori i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Shkëlqim Hoxha, ka deklaruar dje se po veprohet me tolerancë zero ndaj kujtdo personi apo subjekti që nuk paguan taksat dhe vepron në kundërshtim me ligjin. Përpara nisjes së operacionit të konfiskimit dhe bllokimit, në një hark kohor prej 7 muajsh, njësia kishte evidentuar subjektet që ushtrojnë veprimtari të paligjshme, në mënyrë që operacioni të jetë i shpejtë dhe rezultativ. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, në të cilat zhvillohet aktivitet i lojërave fati. Në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit. Sipas Hoxhës, vetëm 22 subjekte janë të licencuara në kategorinë kazino elektronike, 18 subjekte janë të licencuara në kategorinë baste sportive, 10 subjekte janë të licencuara në kategorinë bingo, 1 subjekt i licencuar për kategorinë kazino dhe 4 subjekte në kategoritë e tjera. Drejtori i Njësisë, Shkëlqim Hoxha, shpjegoi dje rastet kur njësia ka të drejtë të veprojë me konfiskim. Sipas tij, njësia vepron kur subjektet ushtrojnë aktivitet të paligjshëm, që do të thotë se nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe nuk kanë leje për ushtrim aktiviteti.
Rasti i dytë kur njësia vepron është kur subjektet janë të regjistruara, por nuk kanë NIPT sekondar, që do të thotë ushtrojnë aktivitet në pika sekondare të paligjshme.
Rasti i tretë ku njësia vepron, sipas Hoxhës, është kur njësia ka vendosur masën e pezullimit ose bllokimit për arsye të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit. Në këtë rast, njësia bën konfiskimin. Madje, në pikën e tretë, masat e ndërhyrjes së njësisë shkojnë edhe më tej. Kur subjektet nuk kanë shlyer detyrimet, njësia mund të kërkojë bllokimin e pasurive bankare dhe të pasurive të paluajtshme. Zoti Hoxha konfirmoi se ndërhyrja e njësisë së drejtuar prej tij do të shtrihet së shpejti në të gjithë vendin, duke garantuar kështu konkurrencën e ndershme në tregun e lojërave të fatit dhe duke krijuar kushte të barabarta për ushtrimin e aktivitetit të të gjitha subjekteve.