E Diel, 1 Nëntor 2026

TEC-et në Porto-Romano, zhvillim apo degradim?

Prof.Dr. Besnik Baraj 

Kur u ndërtua kombinati metalurgjik i Elbasanit, fabrikat e përpunimit të pesticideve dhe bikromatit të natriumit në Porto Romano, apo uzina e sodës në Vlorë, askush në Shqipëri nuk mendonte se këto do të ktheheshin në hot spotet më të mëdha të rajonit të Ballkanit. Askush nuk e mendonte se aktiviteti i tyre do të sillte pasoja shumë të rënda për jetën e njerëzve që punonin aty dhe për banorët përreth dhe aktivitetet e tyre bujqësore. Askush nuk e mendonte se edhe sot e kësaj dite, pas gati 20 vjet ndërprerje aktiviteti, ato vazhdojnë të mbjellin vdekje të ngadaltë. Kostoja e rehabilitimit të tyre kap shifra të frikshme, të pamundura për t’u nxjerrë nga buxheti i shtetit për shumë vite bashkë. Ato u ndërtuan në emër të zhvillimit dhe ndjeshmëria për impaktin mjedisor atëherë ishte thuajse zero. Askush nuk tha qoftë dhe me gjysmë zëri se këto paraqesin rreziqe. Në shumicën e gjykimeve që bëhen pasojat negative i lidhin me sistemin.
Sot, megjithëse kemi ndryshuar sistemin tonë politik dhe atë ligjor, megjithëse sot zërat janë shumë më të fortë, e jo të pakët, ku përfshihen shkencëtarë, politikanë, analistë e përfaqësues të respektuar të shoqërisë civile, vihet re se veprohet me kokëfortësi dhe mënyrë primitive. Vendimi fillon dhe mbaron në vullnetin e kryeministrit. Grini sallatë ju nënthotë ai, unë jam ligji, unë jam komuniteti, unë jam ai që vendos. Mjafton të gjinden urat e komunikimit me Berishën, dhe biznesi është i realizuar, sado i dëmshëm qoftë ai. Askush këtë nuk e lidh me sistemin. Ka zëra masiv që e lidhin me karakterin primitive e të korruptuar të drejtimit të vendit.
Kushdo që të pyetet lidhur me zhvillimin e burimeve energjetike, do të përgjigjej se ne duhet t’i rrisim dhe diversifikojmë ato. Kjo është pjesë e programit të sotëm qeverisës të Partisë Demokratike, ishte dje edhe për PS-në. Të gjithë flasin për zhvillim të qëndrueshëm për të moskompromentuar të sotmen dhe të ardhmen e vlerave të burimeve natyrore. Por realiteti qeverisës është krejt i ndryshëm, ndryshe thuhet e ndryshe veprohet. Qeveria sot po e zhyt vendin në një borxh financiar, mjedisor e moral të paprecedent ndonjëherë. Kjo duket sheshit me ndërtimin e fabrikave të çimentos, ku tashmë qyteti i Krujës e zona përreth po degradon e po kthehet e pabanueshme, si dhe në ndërtimin e TEC-ve gjigandë në Durrës. Të gjitha këto aktivitete kapërcejnë 6 deri 10-fish nevojat e vendit.
Po pse vijnë këta investitorë në Shqipëri? Dihet se industritë e çimentos dhe TEC-et me qymyr janë nga më ndotëset në nivel global. Shumica e vendeve përpiqen t’i largojnë ato nga komuniteti i tyre, ku përveç reagimit të publikut dhe detyrimi ligjor për të paguar çmimin e ndotjes është i madh. Në Shqipëri investime të tilla kryhen me kosto shumë më të ulët e pa dhimbje koke me komunitetin, pasi edhe pse kemi një legjislacion bashkëkohor në pjesën më të madhe, ai nuk zbatohet. E për këtë mjafton të korruptosh qeveritarët, që se kanë për gjë të blihen duke filluar nga kryeministri. Nga ana tjetër edhe reagimi i publikut është i zbehtë. Në Porto Romano parashihet të ndërtohen TEC-e gjigantë. Vetëm në Durrës do ndërtohet një 1600 Mega (investim italian) një tjetër 600 Mega (Greqia) dhe një të tretë rreth 300 Mega. Për këtë gjoja po ndiqen të tëra rrugët legale, po “pyetet” komuniteti si dhe jepet leja mjedisore nga Ministria e Mjedisit (më saktë mund të quhet Ministria e lejimit dhe nxitjes të degradimit të mjedisit shqiptar). Po pse nuk duhen ndërtuar këto TEC-e të stërmëdhenj?
Niveli i nevojave të Shqipërisë është vetëm për një TEC 300-500 Megavat, të cilat do të plotësohen me atë të Vlorës, duke përfunduar dhe dy fazat që janë parashikuar si dhe burimet e reja të energjisë me erë dhe hidro.
TEC-et në Porto Romano do të punojnë me qymyre të importuara, duke e rritur koston dhe impaktin në mjedis.
Vetëm nga TEC-i me fuqi 1600 megavat, sasia e CO2 të emetuar do të jetë aq sa prodhon Shqipëria sot nga tërë burimet e saj. Në këtë mënyrë ne do të vihemi në krizë në lidhje me vendimet e Protokollit të Kyotos. Pa folur këtu për dyoksidin e squfurit dhe ato të azotit, sasitë e të cilave do të varen nga përmbajtja e squfurit dhe azotit në qymyr, të cilat do të kenë impakt në cilësinë e ajrit dhe krijimin e shiut acid që ndikon në tokat bujqësore.
Ekonomikisht, përveç punësimit të një numri të kufizuar punëtorësh, meqë është kryesisht për eksport, kapitali financiar i fituar nuk ka asnjë impakt për ne, pasi ai do investohet gjetkë. Taksa e karbonit që aplikohet në vendet e BE-së nuk do t’i paguhet Shqipërisë, bile edhe raportimi në BE do të bëhet nën përgjegjësinë e Shqipërisë, duke mos përfituar asgjë nga mundësitë që ofron protokolli i Kyotos (mjaft vende përfitojnë). Mospagesën e taksës e konfirmoi dhe pala italiane, edhe pse energjia do eksportohet atje.
Nuk janë aplikuar modelet numerike që tregojnë sa duhet të jetë kapaciteti limit i një uzine të tillë dhe sa duhet të jetë distanca nga një zonë urbane sikurse është Durrësi. Për më tepër këto aktivitete do jenë në distancë 10-15 km nga një zonë e mbrojtur.
Ka dhe plot arsye të tjera, por ajo që do doja të theksoja është mungesa e transparencës, informimi fals i publikut. Zgjedhja e një publiku si i Katundit të Ri, apo ai i Vorës, për të bërë dëgjesat me publikun, pa njoftuar ekspertët e mirëfilltë, e flet qartë këtë. Unë mora pjesë në takimin e Vorës, por isha i paftuar. Paneli nuk iu përgjigj shumë pyetjeve, dhe kur u kërkuam se ku është materiali i vlerësimit të ndikimit në mjedis na u tha: “Shkoni në Katundin e Ri për ta marrë”. Kjo është sa cinike, fyese dhe komike. Ministria e Mjedisit që duhet të luajë rolin e informuesit dhe mbrojtjes së mjedisit, është në të njëjtat pozita antiambientaliste. Asnjë pjesëmarrës nuk u shpreh pro ndërtimit të TEC-it, si dhe kalimit të linjave mbi tokat e banorëve. Pyetjes pse nuk e ndërtoni me kapacitet më të vogël dhe shumë të tjera mbetën pa përgjigje. Gjatë tërë kohës kishte një kameraman që merrte foto dhe me siguri në raportin përfundimtar do thuhet: “U bë komunikimi me komunitetin dhe gjithçka është konform ligjeve shqiptare, kjo e shoqëruar dhe me foto”. Edhe pse jo vetëm Durrësi dhe zonat për rreth përfshirë dhe Tiranën do e ndjejnë impaktin në cilësinë e ajrit, këta zotërinj bashkë me Ministrinë e Mjedisit nuk bëjnë komunikim me publikun në Tiranë apo Durrës, por kufizohen në Vorë apo “Katundi i Ri” me shpresën se këta banorë janë të painformuar për pasojat e aktiviteteve të tilla.
Është për të ardhur keq që opinionin publik qëllimshëm e shfokusojnë nga problemet akute të sotme dhe që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e jetës së fëmijëve tanë, duke e adresuar tek e djeshmja. Dje në kohën e komunizmit u bënë gabime të rënda, por mungesa e përgjegjshmërisë së qeveritarëve të sotëm po i ripërsërit ato, jo me pushkatime e burgosje, por me vrasje të ngadaltë, shpesh e paperceptuar nga njeriu. Veprimet e sotme ndaj jetës së qytetarëve dhe burimeve natyrore janë po aq kriminale sa ato të kryera 30 vjet më parë, bile ritmet e shkatërrimit në disa fusha janë më intensive. Natyra vazhdon të konsiderohet pronë socialiste dhe plaçkitet më keq se dikur. Shpresoj se edhe përfaqësues të Komisionit Evropian në Tiranë do jenë të ndjeshëm ndaj këtyre aktiviteteve, se prej tyre kemi mësuar shprehjen e famshme “Think globally and act locally”. Në nivel global nuk ka rëndësi ku lirohen gazrat, në Romë, Londër apo Durrës. Efekti serë zmadhohet pavarësisht nga gjeografia e burimit ndotës. Nuk po flas këtu për shtimin e rasteve të sëmundjeve pulmonare dhe tipeve të ndryshme të kancerit, që do të shfaqen në këto zona me frekuenca shumë më të larta se ato të vërejtura deri tani. Investime të tilla që dëmtojnë shëndetin e banorëve, që komprometojnë kapacitetet turistike të paktën me një rreze 50 km e që nuk kanë interes sinjifikativ ekonomik, nuk duhet të bëhen. Ca më pak kur asnjë banor i zonës nuk i mirëpret ato. Për fat të keq veshi i kryeministrit është i shurdhët përballë aferave dhe interesave të tij ekonomike që tashmë shqiptarët e venë re çdo ditë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›