E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat shtrenjtuan kredinë për ekonominë në 2007-n

Normat e interesit për kredinë në lekë dhe atë në euro u rritën gjatë vitit 2007. Konstatimi u bë nga Banka e Shqipërisë në analizën e fundit për zhvillimet monetare në vend. Sipas saj, ndikimin më të madh në rritjen e normës së interesit për huatë e dha rritja e kërkesës për kredi. Si rezultat i kësaj situate, norma mesatare e kredisë në monedhën vendase, lek, arriti 14.1 për qind, nga 13.1 për qind që ishte në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit 2007. Normat e interesit u rritën edhe për kredinë në euro gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në tregun ndërkombëtar. Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit nuk ndikoi në uljen e ritmeve të dhënies së kredisë, duke shtuar zgjerimin e parasë jashtë kanaleve bankare. Ky fenomen, sipas BSH-së, “mbetet një potencial për presione inflacioniste në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë”. Kontributin kryesor në rritjen e kredisë e dhanë bizneset, por gjatë vitit 2007 kreditimi i individëve ruajti norma të larta rritjeje, duke kontribuar në zgjerimin e portofolit të kredisë. Dhënia e huasë vijoi me ritme 50.3 për qind. Zgjerimi i portofolit të kredisë gjatë muajve tetor-dhjetor 2007 në vlerë absolute arriti nivelin rekord prej 32.8 miliardë lekësh, mbi 50 për qind e së cilës u akordua vetëm gjatë muajit dhjetor. Në vitin 2007, raporti i kredisë për ekonominë ndaj PBB-së njohu zgjerim të ndjeshëm me 8.8 pikë përqindjeje, duke arritur në 30 për qind në muajin dhjetor. Përveç huave, interesat u rritën edhe për depozitat në banka. Interesi mesatar i depozitave 12-mujore arriti në 6.33 për qind në muajin dhjetor 2007 ose 0.63 pikë përqindjeje më lart se në muajin shtator.

Janar-qershor, fitimi në sistemin bankar 50 milionë USD

Fitimi në sistemin bankar gjatë gjysmës së parë të vitit 2007 arriti në 50 milionë USD. Shifra është më e lartë se e të njëjtës periudhë të vitit 2006. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit, kredia është rritur në terma vjetore me rreth 52 për qind, një normë rritjeje më e ulët, por e krahasueshme me rritjen vjetore gjatë vitit 2006, - njofton autoriteti qendror bankar. Cilësia e portofolit të kredisë, e përfaqësuar nga raporti i "kredisë me probleme, bruto" me "totalin e kredisë", mbetet e kënaqshme në nivelin 3.1 për qind. Në fund të muajit qershor 2007, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjithë sektorin bankar zbriti në 16.4 për qind nga 18.1 për qind që ishte në fund të vitit 2006. Krahasuar me të njëjtën periudhë, kapitali aksioner i sektorit bankar është rritur me rreth 5.3 miliardë lekë, duke u ngjitur në fund të muajit qershor 2007 në nivelin 47.4 miliardë lekë. Megjithatë, ritmi i rritjes së kapitalit aksioner dhe i kapitalit rregullator ka qenë më i ulët se ritmi i rritjes së aktiveve të sektorit bankar që përfshihen në llogaritjen e treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, - bën të ditur BSH-ja.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›