E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha efektet kuruese të çajit dhe uthullës së mollës

Përgatitja dhe përdorimi i uthullës sipas sëmundjeve që vuan. Sëmundjet që kuron lëngu i mollës dhe kur duhet përdorur
Molla ka përbërës të shumtë ushqyes e shërues. Ajo përmban sidomos natrium, hekur, fosfor, disa alkaloide, geraniol, acetaldehid, pektin, sheqer, thartirë të mollës, në sasi të vogla ka dhe vajra eterikë, ndërsa nga vitaminat dallohet vitamina A, B dhe C. Përveçse përdoret si pemë freskuese dhe për përgatitjen e lëngjeve të ndryshme dhe të uthullës, molla përdoret edhe për përgatitjen e çajeve të ndryshme shëruese.
Çaji me lulet e mollës
Çaji që përgatitet nga lulet e mollës pihet kundër ftohjeve të ndryshme, lehtëson etjen, forcon nervat, mushkëritë dhe zemrën. Gjithashtu, ky çaj është një mjet i mrekullueshëm për rregullimin e tretjes. Për përgatitjen e çajit nga lulet e mollës duhet që në pranverë të mblidhen lulet e freskëta, të cilat thahen në hije dhe pastaj, si të thara, përdoren gjatë vitit. Çaji nga këto lule zihet sikur edhe çdo çaj tjetër, por në vend të sheqerit ëmbëlsohet me mjaltë.
Çaji nga rriskat e thara të mollës
Çaji nga rriskat e thara të mollës përdoret për këndellje psikike pas punëve të rënda, për ripërtëritje të mëlçisë dhe pastrim të veshkave. Marrja e mollës së freskët dhe e bukës së zezë për disa ditë rresht ndikon mirë në pastrimin e mukozës së hundës, ndihmon dhe shpejton tretjen e ushqimit, siguron gjumë të rehatshëm, eliminon djegësirën dhe thartirën e lukthit, ndikon mirë kundër reumës dhe arteriosklerozës. Është e mirë që posaçërisht personat e moshuar ta marrin si ushqim të pandarë me bukë.
Molla
Një mollë e ngrënë në mëngjes ndikon mirë në pastrimin e dhëmbëve dhe eliminon thartirën e tepërt në gjak. Është mirë të merret edhe një mollë para gjumit, pasi kjo normalizon jashtëqitjen. Molla preferohet edhe si mjet shërues për jashtëqitjet e shpeshtuara të fëmijëve. Për këto raste preferohet molla e pjekur.
Lëngu i mollës
Rezultate të mira për trajtimin e disa sëmundjeve ka dhënë edhe pirja e lëngut të mollës. Mjekët rekomandojnë pirjen e lëngut të mollës kundër sëmundjes së lëkurës, sëmundjes së veshkave, mëshikëzës së urinës, hemorroideve (majasëllit). Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka dhe ndikon mirë te personat që kanë vuajtur nga verdhëza. Nga molla bëhet edhe uthulla e mollës, e cila është shumë e preferuar të përdoret për sallata dhe drejtime të tjera shëruese.
Përgatitja e uthullës së mollës
Merren pesë kg mollë të egra (ose edhe të buta) të paspërkatura me kimikate, lahen mirë, priten dhe bluhen me makinë të thjeshtë për bluarjen e mishit. Masa vendoset në enë të emaluar, kavanoz, qelq etj. dhe mbushet me ujë aq sa ta lagë masën e bluar. Në këtë sasi mund të vendosen edhe 20-50 gramë sheqer i bluar. E tëra mbulohet me garzë dhe vendoset në vend të nxehtë (në dimër), ose në vend me diell, për 20 ditë. Gjatë kësaj kohe, vetvetiu me nxehjen e masës, përfitohet uthulla e mollës, e cila vendoset në shishe (e kulluar) dhe ruhet në vende të ftohta e të errëta. Por uthulla e mollës mund të përgatitet edhe nga lëkurat e mollës. Për këtë lëvoret e mollëve të qëruara në përpjesëtim 1:1 duhen vendosur në një kavanoz më të madh (1 kg lëvore me 1 litër ujë). Sipër lëvoreve vendoset uji i sheqerosur sipas dëshirës. Kavanozi mbyllet me pece pambuku. Pas 3-4 javëve fitohet uthulla e mollës.
Përdorimi i uthullës së mollës
Infektimet virusale
Dy lugë uthull molle përzihen me 2 lugë mjaltë dhe me gjysmë gote uji të nxehtë. Me këtë përzierje shpëlahet fyti dhe pihen disa lugë gjatë ditës. Shpëlarja e fytit duhet përsëritur katër herë në ditë, ndërsa personat me fyt tejet të ndjeshëm këtë mund ta bëjnë vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje. E njëjta mënyrë, por në sasi më të vogël të uthullës së mollës, aplikohet edhe te fëmijët, por mbi moshën pesëvjeçare.
Astma
Nëse vuani nga astma e kafazit të kraharorit, duhet fërkuar me uthull molle, e nëse lëkura është e ndjeshme, uthullën duhet ta zbutni me ujë. Me uthull molle bëhet edhe avullimi i gjoksit te rastet e vështira të ngufatjeve astmatike. Fasha e lagur me uthull vendoset në lëkurë, ndërsa sipër saj vendoset një fashë tjetër e terur.
Pagjumësia
Uthulla e mollës e përzier me mjaltë dhe ujë të nxehtë pihet si mjet qetësues kundër pagjumësisë. Nëse vuani nga dhimbja e kokës në ballë, vendosni fasha të lagura me uthull molle dhe ujë: gjysmë gote ujë të ftohtë, 1 lugë uthull molle dhe pak mjaltë. Fasha ndërrohet kur nxehet. Këto fasha mund të vihen edhe në pjesën e pasme të qafës. Për t’i përmbushur nevojat ditore me minerale, çdo ditë nga tre herë duhet të merren me një gotë uji dy lugë çaji me mjaltë dhe dy lugë çaji uthull molle.
Në shtatzëni
Për t’i përmbushur nevojat e thartirave, një grua shtatzënë duhet të marr një lugë uthull molle në një gotë ujë esëll në mëngjes. Kjo përzierje do ta pengojë dhe largojë çdo mundim të mëngjesit. Gjatë ditës është mirë që gruaja shtatzëne të pijë edhe nga një gotë lëng molle ose rrushi. Në këtë mënyrë nëna e ardhshme merr mjaft elemente të nevojshme natyrore, prandaj edhe mund të presë një foshnjë me flokë të dendur nga dita e parë, me thonj të fortë e të gjatë, me sistemin e zhvilluar muskulor sa që nga fundi i dhjetëditëshit të parë do ta ngrite kokën vetë. Nëna e re do të ketë mjaft qumësht, fëmija do ta tretë ushqimin normalisht dhe do të ketë jashtëqitje normale, fytyrën do ta ketë mjaft të gjerë, e kjo do të ndikojë edhe në rritjen e mëvonshme dhe në zhvillimin psikik dhe shpirtëror të fëmijës.
Ftohjet
Për ftohjet e ndryshme që përcillen me kollë të fortë çdo dy orë merret nga një lugë të tretjes: lëng të freskët të gjysmë limonit, sasi e njëjtë uthulle molle, një lugë mjaltë bagremi dhe një lugë glicerinë. Të gjitha këto përzihen derisa të fitohet shurupi, i cili është edhe mjaft i shijshëm. Kjo përzierje përdoret gjatë 11 orëve. Ndërsa në rastet e kollitjes intensive duhet të merret një lugë shurup në çdo dy orë, kurse natën dy herë nga një lugë. Fëmijët mbi dyvjeçarë mund ta pinë këtë shurup çdo orë, por në sasi më të vogël. Shurupi mund të përdoret edhe në rastet e ndezjes së faringut dhe në masë të konsiderueshme zvogëlon kollitjen.
Alergji
Nëse keni flamë alergjike, për shkaqe profilaktike mund të merrni një lugë mjaltë rozmarinë ose temjan (Thymus vulgaris) para buke. Në mbrëmje para gjumit pihet tretja prej: dy lugësh mjaltë bagremi, një lugë uthull molle dhe pak ujë mineral. Pas 75 ditëve preferohet të merret çdo ditë nga një gotë uji mineral me dy lugë mjaltë, dy lugë uthull molle dhe 5-10 pika limon të freskët. Profilaktikja vazhdohet. Kjo terapi mund të ndërpritet pas dy jave, pasi që në princip janë eliminuar shkaqet e flamës alergjike.

Përgatiti: JONIDA TASHI

Të rejat nga shkenca/ Dy mollë në ditë kundër duhanit

Një grup shkencëtarësh kanë arritur të tregojnë se pirja pasive e duhanit, sidomos gjatë viteve të para të jetës së njeriut, shkakton probleme serioze në aparatin e frymëmarrjes. Studimi është kryer në Singapor dhe është punuar mbi një kamp prej 35000 individësh në moshë madhore, që nuk pinin duhan. Nga analizimi i të dhënave ka rezultuar se të gjithë ata persona që gjatë fëmijërisë kishin jetuar me prindër që pinin duhan, vuanin nga probleme që prekin aparatin e frymëmarrjes. Por ajo që duhet nënvizuar është përfundimi se ata persona që kishin përdorur shumë fruta, soja dhe ushqime të tjera që përmbanin fibra, kishin rezultuar më të mbrojtur nga disa efekte të dëmshme për shëndetin, që kishin si burim ekspozimin e parakohshëm, ndaj tymit të duhanit. Studimi është kryer nga një grup studiuesish të “National Institute of Environmental Health Science” (NIEHS), “ National Institute of Health”, Universiteti i Minesotes dhe të “National University of Singapore” dhe është publikuar në faqen e internetit në “Thorax”. “Ky studim sjell fakte të reja për tezën se, pirja pasive e duhanit gjatë viteve të para të jetës, shkakton probleme serioze mbi shëndetin, të cilat lënë shenjë gjatë gjithë jetës”, - komenton David Schëarz, drejtor i “NIEHS”. Sipas studiuesve, një sasi prej 7,5 gramësh fibra në ditë (baras me dy mollë), ndihmon për të lehtësuar kollën kronike, e shkaktuar nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit, falë aftësisë së tyre për të ulur përqendrimin e glukozit në gjak, për të ulur inflamacionin dhe favorizuar proceset antioksidante, duke mbrojtur organet e aparatit të frymëmarrjes.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›