Nëntë barnat narkotike që lejon shteti për kurimin e pacientëve
Ministria e Shëndetësisë nis kontrollin për tregtimin e barnave. Rastet kur duhet të përdoren barnat narkotike në mjekësi
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur masa të rrepta sigurie për përdorimin e nëntë barnave narkotike dhe psikotrope. Këto barna tregtohen në farmaci dhe jepen me rekomandim të veçantë nga mjekët për t’u blerë në farmaci nga pacientët. Ato duhet të ruhen në kasaforta nga farmacitë që kanë të drejtën ta tregtojnë, pasi janë për blerje të veçantë. Për blerjen e këtyre barnave edhe receta është e veçantë dhe shenja dalluese e saj është një vijë të kuqe që kalon diagonal përgjatë fletës. Burime nga Ministria e Shëndetësisë pohuan se rregullat për importimin dhe përdorimin e këtyre barnave janë tepër të rrepta qoftë nga shteti shqiptar, po kështu edhe nga Bordi Ndërkombëtar i Narkotikëve. Të tilla barna gjenden në farmaci, depo farmaceutike dhe në spitale dhe janë me doza të përcaktuara. Ministria e Shëndetësisë jep një licencë të veçantë për farmacitë apo depot farmaceutike që tregtojnë këto barna.
Importimi i barnave
Importimi i barnave narkotike dhe psikotrope bëhet me një leje të posaçme importi, duke iu referuar paraprakisht autorizimit për kryerjen e procedurave, i cili konfirmohet nga Bordi Ndërkombëtar i Narkotikëve me qendër në Gjenevë. Sasia e barnave që duhet të konsumojë çdo vend është i përcaktuar nga Bordi Ndërkombëtar i Narkotikëve në varësi të nevojave që ka pasur një shtet një vit më parë. Këto barna tregtohen nga depot farmaceutike apo farmacitë që janë të pajisura me një licencë për mbajtjen dhe tregtimin e barnave. Licenca jepet me vendimin e grupit ndërministror pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Çdo vend që importon barnat narkotike dhe psikotrope raporton çdo 4 muaj pranë Bordit Ndërkombëtar të Narkotikëve. Ndërsa farmacitë raportojnë çdo muaj pranë Ministrisë së Shëndetësisë për aktivitetin e shitjes.
Qëllimi i përdorimit
Qëllimi i përdorimit të këtyre barnave është specifik. Ata përdoren vetëm me lejen e mjekut dhe vetëm në rastet kur pacientët kanë dhembje të forta. Përgjithësisht barna të tillë përdoren në rastet e operacioneve, në rastet e aksidenteve kur pacientët pësojnë dëmtime të mëdha, si dhe në raste të sëmundjeve të tjera të forta që kërkojnë sforcim të madh nga pacientët për t’i përballuar. Spitalet vënë në dijeni Ministrinë e Shëndetësisë për dozat e përdorura dhe për rastet kur janë përdorur.
Lëndët narkotike dhe psikotrope
Alfentanil
Codeinë
Dextropropoxyphene
Fentanyl
Methadone
Morphine
Pethidine
Pholcodine
Sufentanil
12 Mars 2008