Privatizimi i OSSH-së, procesi nis në prill dhe përfundon në gusht
Muajin e ardhshëm, qeveria do të hapë tenderin ndërkombëtar për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Tenderi do të çelet menjëherë pasi të miratohet nga parlamenti formula e privatizimit, e cila ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare gjatë këtyre ditëve. Ekzekutivi parashikon që ta përfundojë procesin e privatizimit të OSSH-së brenda pjesës së parë të këtij viti, ku sipas ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, “deri në fund të muajit gusht do të përfundojë ky proces”. Privatizimi i operatorit të sistemit të shpërndarjes ka ngjallur debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Opozita ka kundërshtuar realizimin e procesit në këtë moment. Sipas saj, privatizimi është i nxituar dhe po bëhet pasi qeveria nuk mund ta menaxhojë më KESH-in dhe situatën energjetike në vend. Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, “privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes gëzon mbështetjen e donatorëve të huaj, si USAID-i dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që është kundërshtuar vetëm nga Banka Botërore”. Vlen të theksohet se kjo e fundit është edhe donatori kryesor i vendit tonë për sektorin e energjisë. Me privatizimin e paketës kryesore prej 76 për qind të Operatorit të Shpërndarjes tek një investitor strategjik, pjesa tjetër, prej 24 për qind e aksioneve, do të privatizohet nga punonjësit, në shkëmbim të bonove të privatizimit apo letrave me vlerë. Por përfitues do të jenë dhe ish-subjektet e shpronësuara të trojeve, objekteve, ndërtesat, që janë pjesë e aseteve të OSSH-së.
12 Mars 2008