Kreditimi i lartë, bankat rrezikohen edhe për 2008-n
Mbi 50 për qind në vit, kreditimi i ekonomisë alarmon FMN-në. Kthimi i kredisë, i sigurt kur merret në monedhën që ke të ardhurat
Ervin Koçi
Banka e Shqipërisë vazhdon të mbetet e shqetësuar për nivelin e lartë të kredive të palikuiduara që janë akoma në qarkullim tek individët. Rritja me ritme të shpejta e kreditimit dhe efektet që mund të shfaqë kriza në tregjet ndërkombëtare dhe në tregun vendas janë dy shqetësimet themelore që BSH-ja pritet t'i lajmërojë në deklaratën e Stabilitetit Financiar, sot, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës. Ky dokument publikohet dy herë në vit nga BSH-ja dhe lajmëron publikun për rreziqet që i kanosen sistemit financiar dhe atij bankar në veçanti. BSH-ja gjithashtu rekomandon se nevojitet një mekanizëm për të vendosur në një nivel më të drejtë treguesin rrezik-fitim që merr përsipër sektori bankar, gjatë kreditimit të shpejtë, pra për të shpërndarë më mirë në kohë rrezikun e moskthimit të kredisë dhe për të zgjeruar mbrojtjen e nevojshme financiare për sektorin bankar. Për këtë qëllim, BSH-ja pritet të vendosë sot edhe disa kërkesa të reja, të cilat do të synojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë zbutjen e rreziqeve që mban kredidhënia në valutë, veçanërisht në ato raste kur kredia jepet për huamarrës që nuk gjenerojnë të ardhura në valutë. FMN-ja, në një vlerësim që i ka bërë sistemit financiar të vendit tonë vitin e kaluar, ka theksuar se, “problem mbetet rritja e kreditimit, e cili po vijon me ritme më të shpejta sesa bankat kanë mundësi ta përballojnë”.
Kreditë në valutë
Brenda sektorit të kredisë, shqetësim mbetet fenomeni i dhënies së kredisë në valutë. BSH-ja ka lajmëruar se, “për të mënjanuar rrezikun për moskthimin e kredive, bankat e nivelit të dytë duhet të japin hua në valutën që klienti ka të ardhurat”. Pra, nëse një i interesuar për të blerë shtëpi me kredi e merr rrogën me lekë, edhe kredinë duhet ta marrë po në këtë monedhë. Shqetësimi i BSH-së për monedhën në të cilën kreditohet vjen pas disa zhvillimeve në ekonominë botërore, sidomos në atë amerikane. Shumë klientë shqiptarë, që morën kredi në vitin 2002, zgjodhën dollarin për shkak se interesi bazë i valutës në fjalë ishte shumë i ulët. Kështu, interesi mujor për kredinë në dollarë, sipas zhvillimeve ekonomike të 2002-shit, i favorizonte mjaft klientët, të cilët do të paguanin më shumë nëse do të ishin kredituar në lekë ose euro. Por gjatë tre viteve të fundit interesi bazë i dollarit është rritur dukshëm, duke ndikuar automatikisht në rritjen e interesave të atyre që zgjodhën valutën e gjelbër për të marrë hua. Në tregun amerikan këto lëvizje kanë krijuar probleme në tregjet financiare, duke rrezikuar falimentimin e shumë institucioneve kredidhënëse. Ekspertët vlerësojnë se kthimi i kredisë është më i garantuar kur merret në monedhën që ke të ardhurat.
Masat siguruese
BSH-ja do të vendosë së afërmi në kuadrin rregullativ mbikëqyrës disa kërkesa të reja, të cilat do të synojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë zbutjen e rreziqeve që mban kredidhënia në valutë. Kjo, sidomos në ato raste kur kredia jepet për huamarrës që nuk gjenerojnë të ardhura në valutë. Gjithashtu, rritja me ritme të shpejta e kreditimit të ekonomisë me mbi 50 për qind në vit kërkon më tepër vëmendje nga bankat private për shkak se me të njëjtat ritme rriten edhe klientët që nuk mund të kthejnë kredinë. Për të mënjanuar situatat "shok", BSH-ja ka vendosur të forcojë rolin e saj, duke krijuar një njësi të specializuar, e cila do të fokusohet në trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar. Gjithashtu si një risk për vitin në vijim konsiderohet edhe ekspozimi, pavarësisht se jo shumë i madh, i sistemit tonë bankar në atë ndërkombëtar.
12 Mars 2008