Sheshi “Skënderbej”, gjashtë studio në garë për rehabilitimin
Konkursi ndërkombëtar për rehabilitimin e Sheshit Skënderbej ka vënë në garë 19 studio të ndryshme projektimi nga të cilat janë përzgjedhur gjashtë më të mirat. Komisioni i ngritur për këtë konkurs shqyrtoi 19 aplikimet e ardhura nga Holanda, Italia, Greqia, Rusia, Gjermania, Spanja, Franca, Belgjika, Nju Jorku dhe Masachussets-i. Komisioni i short-listimit në përfundim të vlerësimit dhe pikëzimit mori vendim të përzgjedhë gjashtë aplikues. Studiot e përzgjedhura janë: 1) Daniel Libeskind - Nju Jork, 2) Architecture Studio - Francë, 3) Josep Lluis Mateo - MAP Arquitectos - Spanjë, 4) MVRDV- Holandë, 5) ATENA Studio & Partners - Itali, 6) 51N4E - Belgjikë. Konkursi u strukturua si një proces i hapur në dy faza. Në të parën, të gjithë profesionistët që plotësonin kushtet e përcaktuara në Detyrën e Projektimit ishin të ftuar dhe aplikuan duke sjellë një Deklaratë Eksperience dhe një skicë-ide për organizimin hapësinor të sheshit. Propozimet e zgjedhura ishin të larmishme dhe mjaft premtuese për një garë tepër dinamike në fazën e dytë. Finalistët e fazës II do të përgatisin secili një projekt të detajuar, do ta dorëzojnë në fund të kësaj faze. Faza II finalizohet me vlerësimin e jurisë ndërkombëtare që do të zgjedhë projektin dhe ekipin fitues, i cili do të kontraktohet për të punuar mbi projektin e detajuar të zbatimit për rehabilitimin e Sheshit Skënderbej. Gjatë fazës së dytë do të organizohen ekspozita dhe prezantime publike dhe Bashkia e Tiranës do të informojë publikun hap pas hapi për të gjitha fazat e konkurrimit.
12 Mars 2008