E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistër kombëtar për pacientët që humbasin veshkën

Në bazë të projektit INTERREG 3 do të hartohet edhe një regjistër kombëtar për të gjithë pacientët që kanë humbur funksionimin e veshkës. Përfaqësuesit e projektit INTERREG 3 ,në bashkëpunim me rajonin e Pulias në Itali, kanë nisur të krijojnë një bazë të dhënash që deri tani është llogaritur me përafërsi. Kjo nismë është menduar të realizohet paralelisht me kryerjen e transplantit të veshkave në vendin tonë. Një njohje e tillë e pacientëve do të shërbente në të mirë të mjekëve dhe domosdoshmërinë e pacientëve, të cilët kanë mundësi të ndiqen nga mjekët dhe mundësisht t’u sigurohet veshka që ka humbur funksionin. Kjo nismë e domosdoshme është bërë publike nga shefi i Nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska. Sipas tij, regjistri kombëtar për të sëmurët me veshka do të realizojë një bazë të saktë të dhënash për këta pacientë dhe koston që duhet të përballojë shteti për kurimin e tyre. “Sëmundjet e veshkave janë të kushtueshme për buxhetin e qeverisë. Një i sëmurë që trajtohet me dializë i kushton buxhetit të shtetit 10-15 mijë euro në vit. Në vendin tonë buxheti është rritur, sidomos tre vitet e fundit”, - shpjegon Thereska. Sipas tij, vitet e fundit është rritur numri i të sëmurëve që trajtohen me dializë në Shqipëri. Më shumë se 500 milionë njerëz në të gjithë botën, ose 1 në 10 të rritur, vuan nga një formë e dëmtimit në veshka dhe çdo vit në botë vdesin miliona njerëz nga ataku në zemër të lidhura të gjitha me sëmundjen kronike të veshkave. Në vitin 2015, 36 milionë veta do të vdesin nga veshkat në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sëmundjet kardiovaskulare, ashtu dhe ato të veshkave, po bëhen mbizotëruese dhe po zënë gjithmonë e më shumë buxhetin e shëndetësisë si kosto në rritje. Kështu, mjekimi i këtyre sëmundjeve zë sot afro 80 për qind të shpenzimeve për shëndetin në botë.

12 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›