E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, skema për të frenuar grabitjet

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Bankat në Tiranë, por edhe filialet e tyre në rrethe kohët e fundit kanë rënë pre e grabitjeve. Në statistikat e policisë rezulton se vetëm në kryeqytet u evidentuan 3 grabitje bankash gjatë vitit 2009 dhe një në shkurt të vitit 2010.
Duke mos përfshirë në këto statistika dhe zyrat e këmbimit valutor. Fenomeni është kthyer në një rrezik për shoqërinë, por a rrezikohen nga grabitjet llogaritë personale të secilit prej nesh. Për këtë çështje, por pyetje të tjera në lidhje me fenomenin e grabitjes së bankave flet në një intervistë për gazetën “Ballkan”, Artur Rrahmani, drejtori i “The Experts”, Qendra Shkencore e Mbrojtjes së Individit. Sipas tij, bankat janë të sigurta, po ashtu dhe bankomatët, por problemi qëndron në dekonspirimin e të dhënave personale të klientëve të bankave.

Grabitja e bankave është kthyer kohët e fundit gati-gati në modë. Tirana kryesisht është goditur shpesh. Si mendoni se mund të reduktohet ky fenomen?
Historia njerëzore ka pasur gjithnjë dy grupime. Nga njëra anë kanë qëndruar ata njerëz të cilët duan të mbrojmë pronën e tyre nga grabitjet dhe në anën tjetër qëndrojnë personat që duan tua grabisin pronën të tjerëve. Sa më shumë shtohen masat nga personat që duan të mbrojnë pronën e tyre aq më shumë rritet profesionalizmi i vjedhësve.
Cilët janë gjurmët që lënë zakonisht hajdutët kur grabisin një bankë. Ju kujt i jepni më prioritet në punën tuaj?
Gjurmët që lënë vjedhësit janë nga më të ndryshmet. Duke nisur që nga gjurmët e këpucëve, gjurmët e gishtave, figura në kamera, apo dhe zëri. E rëndësishme është që policia të ketë personat përgjegjës për ti zbuluar këto prova që vjedhësit lënë në vendin e krimit.
A janë të sigurta bankat shqiptare dhe cila do të ishte strategjia për ti parandaluar vjedhjet?
Bankat duhet të ndërtojnë sisteme sigurie të larta. Mënyra e parë është njerëzore, pra duhet të shtojnë personelin që merret me sigurinë si dhe rojet. Mënyra e dytë janë mjetet e sigurisë, ku bëjnë pjesë kamerat. Sa më cilësore të jenë kamerat aq më shumë prova marrim, aq më shumë gjurmë nga grabitësi. Por, kamerat e cilësore sot kushtojnë shumë. Ka kamera që kushtojnë deri në 40 mijë euro dhe e vendos banka sa e ka investimin dhe nëse ka mundësi të tilla për të blerë këto lloj kamerash. Bankat shqiptare sot janë të pajisura me kamerat që shiten aktualisht në treg.
Po bankomatët që kanë instaluar bankat a janë të sigurt?
Bankomatet si pajisje janë shumë të sigurt, por problemi nuk qëndron tek bankomati. Problemi qëndron tek të dhënat personale të një klienti të bankës. Nëse këto të dhëna dekonspirohen, që do të thotë mund ti ketë dhe dikush tjetër kjo0 është shumë e rrezikshme, pasi autorët e grabitjeve të bankave e kanë shumë të thjeshtë të të vjedhin paratë nga bankomati.
Si mund të na i vjedhin të dhënat personale të llogarisë bankare. Dhe pas kësaj si realizohet grabitja?
Të dhënat personale, që janë kodi PIN, por dhe numri personal mund të nxirren dhe nga një punonjës i bankës, por grabitësi mund ti sigurojë dhe nga një pakujdesi e vetë klientit të bankës. Pas kësaj, grabitësit mund të tërheqin paratë ose nga karta origjinale, ose me karta të klonuara. E njëjta gjë ndodh edhe me përdorimin e kartave në blerjet në internet. Hakerat mund të ndërhyjnë dhe të çkodojnë sistemet mbrojtëse që ka ngritur banka, prandaj është e domosdoshme që edhe bankat të ecin me teknologjinë dhe të mirëmenaxhojnë punonjësit me aftësi në informatikë për ti bërë ballë edhe këtyre lloj sulmesh.
Si ekspert në fushën kriminalistikës, si do ta analizonit grabitjen e fundit të djalit 25-vjeçar Romeo Leka në bankën te Hotel Rogner, e pas pikasjes marrjen peng të një vajze 19 vjeç përmes kërcënimit të armës?
Për mendimin tim ai djalë ka bërë dy veprime që kundërshtojnë njëri-tjetrin. I pari është tërësisht amator, ai hyn në ambientet e bankës i pa maskuar me armë, arrin të marrë paratë. Më pas ai bën një veprim prej profesionisti. Nuhat që është pikasur nga rojet e bankës e të hotelit dhe organizon një pengmarrje. Këtë lloj plani zakonisht e bën një autor grabitjesh profesionist, i cili mendon planin e parë vjedhjen e parave dhe nëse nuk i ecën i pari mendon planin e dytë, një pengmarrje që të ketë mundësi të negociojnë me policinë.
Si do ta përcaktonit ju qendrën “The experts”, të cilën ju drejtoni?
“The experts” është një OJF me profil kriminalistik, që ofron të gjitha shërbimet në fushën e kriminalistikës, që ka të gjitha mjetet me standardet më të mira evropiane po kështu disponon dhe personat specialistë përkatës të fushës. Pra, kjo qendër plotëson tre kriteret bazë, që janë ambienti, mjetet dhe personeli.
Kur është hapur për herë të parë kjo qendër?
Kjo qendër është hapur për herë të parë në vitin 2004, nismë e ekspertëve kriminalistë, nën drejtimin tim, me profesion ekspert zëri, në fushën e kriminalistikës vazhdon të operojë me sukses edhe sot në tregun shqiptar. Ne kemi të punësuar 20 ekspertë FULL-TIME, ndërsa PART-TIME janë edhe shtatë të tillë, ndërsa jemi ende në proces rekrutimi.
“The Experts”, duke ju referuar dhe emërtimit është një Qendër shkencore në mbrojtjes të individit. Kjo do të thotë që ju i ofroni shërbim vetëm individit?
Ne i ofrojmë asistencë falas, dhe shërbim me çmime konkurruese në treg të gjithë individëve që na drejtohen neve, por edhe prokurorisë, apo gjykatës.
Pse individët kryesit, por jo vetëm duhet të drejtohen tek ju he jo tek Laboratori Shkencor në Ministrinë e Brendshme?
Po individët, kryesisht drejtohen për shërbimet kriminalistike që ne ofrojmë, pasi nuk janë të bindur nga shërbimi i Laboratorit Shkencor në Ministrinë e Brendshme, duke qenë kjo një strukturë e shtetit dhe shpeshherë mund të kthehet në konflikt interesi. Pra, ne dërgojmë një tjetër përgjigje dhe kjo ballafaqohet pastaj në gjykatë me atë të dhënë nga laboratori i Ministrisë së Brendshme.

Ekspertimet që kryen “The Experts”

1. Grafikë Shkrimi dhe Nënshkrimi
2. Teknik Dokumentesh
3. Daktiloskopike
4. Teknik Audio (Identifikim, Filtrim, Transkiptim)
5. Ekspertim Teknik Video -Foto
6. Nxjerrja e pamjeve nga sekuencat filmike analoge e digitale
7. Identifikimi i Personit nëpërmjet Fotografisë
8. Identikiti (krijimi i portretit ne bazë të thënieve të dëshmitarëve)
9. Balistike
10. Traseologjike
11. Kimike
12. Këqyrja e Vendit të Ngjarjes (rindërtimi 3D i Vendit të Ngjarjes, Eksperimenti Hetimor).
13. Biologjiko-Ligjore ( AND )
14. Mjek-ligjore.

Ekspertime të tjera:
1. Ekspertime Psikologjike
2. Vlerësim të Pasurive të Paluajtshme
3. Kolaudim
4. Supervizim
5. Projektim
6. Ekspertim Topografik
7. Ekspertim Urbanistik

Lajmi poshtë

Ligji i ri

Siguria e bankave, tani me profesionistë

Grabitja e bankave, një shqetësim evident i policisë, kohët e fundit ka iniciuar ndryshime në ligjin “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”. Statistikat kanë treguar se kjo vepër penale ishte mjaft e pranishme. Jo në pak raste ka pasur edhe grabitje në qytete të tjera të vendit. Specialistët mendojnë se ky është një fenomen i importuar, pra autorët mund të kenë qenë të përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale jashtë Shqipërisë. Fakt është se ata e kanë kryer grabitjen brenda një kohe rekord dhe me një profesionalizëm perfekt, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Ndërsa grabitësit, shumë prej tyre ende autorë anonimë, kanë përsosur metodat e tyre “të punës”, në vendnumëro kanë mbetur shoqëritë private që ruajnë bankat, e më pas akoma duket se është ligji për funksionimin e tyre. Ligji nr. 8770, “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”, daton më 19.04.2001, dhe duke iu referuar neneve të tij thuajse 10-vjeçare, specialistët kuptuan se disa prej tyre kanë nevojë për përmirësim apo dhe ndryshim rrënjësor. Policia e Shtetit dhe ekspertët e saj kanë përfunduar draftin, i cili pritet të miratohet së shpejti. Mbi dhjetë ndryshime esenciale do të pësojë ligji ekzistues, ku rëndësi do ti kushtohet shtrëngimit të dhënies së licencave, detyrimeve që duhet të përmbushin bankat për sistemin e sigurisë, apo detyrave të subjekteve të SHRSF-së në përzgjedhjen dhe trajnimin e personelit. Sipas ekspertëve, ky ligj ka probleme dhe duhet të parashikojë edhe disa pika të tjera, duke filluar nga mënyra e policimit e deri te reagimi ndaj sulmeve të grabitësve. Në fokusin e ndryshimeve janë edhe neni që rregullon marrëdhëniet mes bankave dhe Policisë së Shtetit.
Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›