E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri Përvjetori që rikthen Martin Camaj

Autori i Lajmit: Redaksia

Do të qe i trishtuar. I zhgënjyer. Një shkrimtar brilant, që nuk mbërrin dot tek lexuesi i tij. Edhe sot e kësaj dite, po të ishte gjallë, Martin Camaj do të ndihej njësoj i refuzuar, i mënjanuar, i mohuar... si në kohën e diktaturës, prej të cilës u arratis në vitin 1948. Dhe, nuk u arratis për ato arsye që segmente të caktuara kanë dashur të ngulisin në mendjen e lexuesve prej kaq shumë vitesh. Pra, nuk u arratis për shkaqe ekonomike, as për ndonjë trill djaloshar. Kushtet e egra ku u vendos vendi i tij menjëherë pas luftës, nuk ishin kushte ku mund të zhvillohej vetëdija e tij letrare, gjuhësore, intelektuale. Megjithatë, Martin Camaj tashmë duhet të fillojë të dalë nga trishtimi. Pas Kosovës, edhe në Shqipëri duket se dikush po kujtohet për poetin e madh…
Një libër në 85-vjetor
Duhet të ishte 85-vjeç tani poeti i njohur Martin Camaj, por jeta e hodhi në sfida pafund dhe ai nuk e pa vendin e tij prej shumë e shumë vitesh. Për fat, pas Kosovës, që e ka nderuar dhe në kohën e diktaturës, shkrimtarin dhe studiuesin e njohur, tani ka ardhur radha e Shqipërisë për të realizuar nderimin e tij. Nuk dihet se çfarë do bëhet deri në korrik, kur do të jetë përvjetori i tij, por kjo figurë meriton shumë nga gjërat që i janë mohuar në vendin tonë. Në këtë vazhdë, studiuesi Behar Gjoka sjell shpejt si një botim më vete, studimin “Rikthimi i Martin Camajt”, analizën e tekstit dhe formave letrare të shkrimtarit. Duke iu referuar atij, pritet që përvjetori i shkrimtarit pritet të përkujtohet në konferenca shkencore dhe pse jo dhe me një projekt për botimin e plotë të veprës letrare nga dega e Albanologjisë në Munih, ku ai ka qenë drejtues për vitet e fundit të jetës. Analiza e teksteve dhe formave letrare që ai lëvroi, eksperimentet e një krijuesi që punën e kreu larg Shqipërisë, janë argumentet kryesore të një libri që sapo është dërguar në shtyp. “Rikthimi i Martin Camajt” është një nga librat që vjen pikërisht në vitin e përvjetorit të shkrimtarit.
Në fakt është një iniciativë e degës së Albanologjisë në Uni Munih në bashkëpunim me shoqatën kulturore "Martin Camaj" në Lenggries që kanë ndërmarrë dy projekte botimi. Po referuar studiuesit Bardhyl Demiraj, në shtyp është dërguar edhe një vëllim përkujtimor shkencor me kontribute nga albanologë të vendeve të ndryshme të Evropës dhe SHBA-ve, kurse besohet se shpejt do jetë një tjetër projekt që pritet të marrë formë, është botimi i plotë i veprës letrare në 10 vëllime, i cili do të finalizohet në prag të Panairit të Librit.
Jeta dhe poezia
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit, më 21 korrik 1925. Mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër. Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi, me qendër në Londër. Atje, nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës "Shejzat" (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe. Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë (Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja), ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi, mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar.

Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›