E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, çmimet e larta pacientët vizitohen në farmaci

Autori i Lajmit: Lili Saraçi

Çmimet e larta të shërbimit shëndetësor që janë vënë në qendrën më të madhe spitalore “Nënë Tereza” detyrojnë pacientët e pasiguruar që të gjejnë “strehë” te farmacitë, dhe në mjekimin pa asnjë lloj recete që këta të fundit u japin pacientëve. Një pacient për një eko në QSUT është i detyruar që të paguajë 35 mijë lekë, por përsëri nuk ka mbaruar punë, sepse, pasi të mbarojë ekon apo një tjetër ekzaminim, ai është i detyruar që të shkojë te mjeku specialist. Pra çmimet mjaft të kripura në QSUT detyrojnë pacientët që të marrin mjekime pa receta. Gazeta ka bërë një vëzhgim në spital dhe ka rezultuar që farmacistët, kohët e fundit, janë kthyer në mjekët më të besuar për qytetarët. Kështu, prej më shumë se 3 muajsh pacientët e pasiguruar, për shkak të tarifave të larta që janë vendosur në spitale, i kryejnë vizitat mjekësore pranë farmacive më të afërta. Për një dhembje koke, marrje mendsh apo bronshit, çdo qytetar arrin të sigurojë medikamente pa shkuar tek mjeku, sigurisht duke u ardhur në ndihmë edhe farmacistët që e kanë fare të lehtë tu japin barna pa recetë. Për mjekët e QSUT, kjo është kthyer në shqetësim të vërtetë, pasi jo vetëm që është ulur numri i pacientëve që shkojnë për vizitë, por edhe kur pacientët kanë vendosur të shkojnë të marrin vizitën te mjekët, është tepër vonë. Kjo, pasi sipas mjekëve, trupi i pacientëve ka reaguar ndaj ilaçeve që ka marrë pa recetë. Sipas mjekëve të QSUT, shitja e barnave pa recetë ka krijuar lehtësi për personat e pasiguruar, përmes të cilës shmangin faturat e kripura të vizitave, në të njëjtën kohë marrin me vete edhe rrezikun e një trajtimi të gabuar. Nga ana tjetër, mjekët pohojnë se gjithnjë e më shumë po vizitojnë pacientë të cilët më parë kanë marrë ilaçe të rekomanduara nga farmacistët. “E hasim shumë shpesh në punën tonë, pacientë që shkojnë në farmaci marrin një antibiotik për grip, më pas vijnë tek ne dhe rezulton se kanë bajamet e qelbëzuara”,- shprehet mjekja Luiza në pediatrinë e QSUT. Doktoresha e quan të patolerueshme dhënien e ilaçeve pa recetë mjekësore nga ana e farmacistëve, sipas saj, në mënyrën më absolute nuk duhet lejuar një shitje e tillë. “Pacientët rrezikojnë jo vetëm të marrin trajtim mjekësor pa u diagnostikuar për sëmundjen që kanë, në të njëjtën kohë është e dëmshme për shëndetin e tyre, pasi trupit nuk i dihet se ndaj çfarë medikamenti mund të japë rezistencë”,- vijojnë më tej mjekët.

Çmimet, kategoritë e pacientëve që përfitojnë
Edhe pse një përqindje e caktuar e ekzaminimeve në QSUT janë me çmime të larta, ka edhe kategori pacientësh që përfitojnë falas shërbim shëndetësor. Kështu fëmijët nga 0 deri në 12 muaj, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, të sëmurët me tuberkuloz dhe tumore. Në rast se këta pacientë nuk kanë librezë shëndetësore, do të duhet të paguajnë rreth 10 për qind të kostos reale. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kostoja reale për një rezonancë magnetike pa kontrast kap vlerën e 20 mijë lekëve, për një rezonancë magnetike me kontrast, 35 mijë lekë. Ekzaminimi CT skaner kushton në vlerën reale 12500 lekë. Një skaner koke apo kolone me kontrast kushton 12500 lekë. Po ashtu, edhe një CT skaner trupi me kontrast kushton po 12500 lekë. Për të kryer një mamografi, kostoja reale është 3 mijë lekë. Për të kryer thyerjen e gurit në veshka, litotripsia, kushton 18 mijë lekë, ndërkohë që, nëse duhet të kryesh një angiografi apo koronografi dhe nuk je i siguruar, duhet të paguash 40 mijë lekë. Fibrosteoscopi kushton 3800 lekë dhe fibrocolonoscopi kushton 3800 lekë. Në rastet kur një pacient është i siguruar, do të paguajë vetëm 10 për qind të kostos së këtyre shërbimeve, ndërkohë që, nëse nuk është i siguruar, do të paguajë 10-fish më tepër se tarifat e të siguruarve, që do të thotë gjysmën e çmimit të kostos reale.

Miratimi i listës së barnave që shiten pa recetë
Vetë Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një listë prej 600 barnash, të cilat mund të shiten pa recetë. Por kjo listë, me sa duket, nuk respektohet, pasi rezulton që farmacistët japin pa recetë çdo lloj ilaçi që u kërkohet, pavarësisht pasojave që mund të sjellë një gjë e tillë. Ndonëse ka qenë e ndaluar që farmacistët të japin çdo lloj medikamenti pa recetë, pacientët i kanë marrë vazhdimisht ato, pa asnjë lloj problemi. Aktualisht, në të gjitha farmacitë, dhënia e ilaçeve pa recetë është masive. Në lidhje me këtë dukuri Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor në kontratat e reja që do të nënshkruhen me farmacitë, ka shtuar një pikë, në të cilën u vendoset gjobë deri në heqjen e licencave profesionale farmacive që u kapen shitjet e barnave pa recetë. Sipas ISKSH-së, qëllimi i futjes së kësaj pike në kontratat që do të nënshkruhen me farmacitë, vjen në funksion të përdorimit të recetës mjekësore, me qëllim rritjen e sigurisë në përdorimin e barnave, përdorimin e tyre racional dhe mënjanimin e gabimeve mjekësore.
Ky lajm është publikuar: 28/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›