E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, tani më shumë kredi në monedhën vendase

 

Të marrësh një kredi në lekë është më e lehtë sesa ta marrësh atë në monedhë të huaj. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shkurt kredia në lekë përbën 29 për qind të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. Por sipas ekspertëve të bankës, ky ndryshim raporti është goxha pozitiv. “Kjo zhvendosje vlerësohet si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend”, thuhet në raport. Bankat kanë preferuar të ruajnë norma të larta të interesit për depozitat, duke synuar përmirësimin e situatës së tyre të likuiditetit. Kjo ka ndikuar në zgjerimin e diferencës së normave të interesit midis depozitave në lekë dhe atyre në monedhë të huaj, duke ndihmuar në ecurinë e kursit të këmbimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›