E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigracioni, “Karta Blu”, përfitimet që do të kenë shqiptarët nga marrja e kësaj karte

Pas vendimit të Këshillit Europian zbardhen procedurat për t’u pajisur më të. Çelet drita jeshile për punësimin e punëtorëve të kualifikuar në 27 vendet e BE-së

Jonida Tashi

Këshilli Europian miraton futjen e “Kartës Blu”, për migrimin e punëtorëve shumë të kualifikuar për punësim në 27 vende të Bashkimit Europian. Sipas direktivës, të miratuar më datën 25 maj, synohet lehtësimi i kushteve për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve nga shtete jo-anëtare të BE-së, me motive të punësimit shumë të kualifikuar. Përfitues nga “Karta Blu” do të jenë edhe shtetasit shqiptarë, të cilët për marrjen e saj duhet të plotësojnë kushtet e vendosura nga Këshilli Europian (KE). Kështu, direktiva e KE-së vendos kushte më tërheqëse për punëtorë, shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, për të realizuar punësim shumë të kualifikuar, duke ngritur një procedurë të përshpejtuar për lëshimin e një lejeje qëndrimi dhe punësimi, të quajtur “Karta Blu-BE”. Mbajtësve të kësaj karte do t’u ofrohen kushte pune dhe përfitime shumë herë më të mira nga ato që ata kanë pasur në vendin e tyre të origjinës.
Lehtësitë
“Karta Blu” do të lehtësojë qasjen në tregun e punës, për mbajtësit e kësaj karte si dhe do t’u ofrojë atyre një sërë të drejtash social-ekonomike, por edhe kushte të favorshme për ribashkimin familjar dhe zhvendosjen në të gjithë BE-në. Direktiva përcakton gjithashtu edhe kritere të përbashkëta që do të vendosen nga shtetet anëtare të BE-së për kërkuesit e “Kartës Blu”, pa cenuar kushte më të favorshme, të parashikuara nga legjislacioni kombëtar. Periudha e vlefshmërisë së “Kartës Blu-BE” do të përfshihet në shtrirjen kohore, mes një dhe katër vitesh, me mundësi ripërtëritjeje. “Karta Blu” mund të lëshohet, apo ripërtërihet edhe për periudha më të shkurtra kohore, me qëllim që të mbulojë periudha të një kontrate pune për më tepër se tre muaj. Pas 18 muajsh të qëndrimit të ligjshëm në shtetin e parë anëtar të BE-së, personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij, mund të zhvendosen, përkundër disa kushteve në një shtet tjetër anëtar, të ndryshëm nga ai i pari, me qëllim punësimin shumë të kualifikuar.
“Karta Blu”
“Karta Blu” është konceptuar dhe synon të tërheqë imigrantë shumë të kualifikuar përmes kësaj skeme, për t’u punësuar në sektorë ekonomikë të BE-së, që vuajnë nga mangësi të fuqisë punëtore, duke marrë frymëzim nga e ngjashmja amerikane “Green Card-i”. “Karta Blu”, e rekomanduar nga Komisioni Europian është hartuar për të tërhequr punëtorë shumë të kualifikuar nga shtete jo-anëtare të BE-së, duke i dhënë atyre qasje në 27 shtetet anëtarë. Kjo kartë nuk do të zëvendësojë sistemet kombëtare ekzistues, por do të ofrojë një kanal shtesë tërheqjeje, me një procedurë të përbashkët shqyrtimi dhe lëshimi të lejeve të qëndrimit dhe të punës. Një prej shtysave ka qenë edhe fakti se në garën globale për “thithjen e trurit” shumë prej emigrantëve më të kualifikuar, në fakt parapëlqejnë destinacione si SHBA-ja, Australia, ose Kanadaja ndaj BE-së, si shkak i fragmentimit të tregjeve të punës së BE-së. “Karta Blu” do t’u mundësojë mbajtësve të saj, që kanë kaluar tre vjet në një shtet të parë qëndrimi të BE-së, të kenë qasje në shtetet e tjerë anëtarë pas kësaj periudhe. Kështu, karta do të ketë vlefshmëri normale 3 vjeçare, e ripërtërishme edhe për dy vjet të tjerë. Nëse kontrata e një punëtori ka kohëzgjatje më të vogël, atëherë karta do të lëshohet për kohëzgjatjen e kontratës, duke shtuar edhe tre muaj.
Marrja
Kërkuesi për lëshimin e “Kartës Blu”, duhet të ketë gjetur një vend pune dhe një kontratë në një shtet anëtar të BE-së, të ketë të paktën pesë vjet përvojë në një sektor të interesuar, apo të ketë një kualifikim universitar të njohur nga shteti anëtar i BE-së. Kontrata e kandidatit duhet të garantojë një të ardhur, të paktën 1.7 herë më të lartë se sa paga bruto mesatare në shtetin e qëndrimit, që nuk duhet të jetë më e vogël se sa ajo e punëtorit të ngjashëm në vendin e destinacionit. Po kështu, do të jetë e mundur që kjo kartë t’u lëshohet edhe shtetasve nga shtete jo-anëtare të BE-së, që qëndrojnë ligjërisht në një shtete të BE-së, sipas regjimeve të tjerë, por nuk do t’u lëshohet azilkërkuesve, apo shtetasve nga shtete jo-anëtare të BE-së, që janë pranuar në BE, si punëtorë stinorë, meqë kjo kategori imigratore mbulohet nga një Propozim-Direktivë tjetër evropiane. Gjithashtu, “Karta Blu” do t’i mundësojë mbajtësit të saj, ribashkim familjar. Bashkëshortja/i i tij/saj do të ketë mundësi të kërkojë punësim në BE, por edhe mbulim të përkujdesjes shoqërore në shtetin anëtar në fjalë. Mbajtësi i kësaj karte, që humbet vendin e tij/saj të punës, do të ketë gjashtë muaj kohë të gjejë një tjetër vend pune, në vend të tre muajve të propozuar nga Komisioni Europian.
Refuzimi
Shtetet anëtare të BE-së duhet të kenë lirinë të vendosin se sa “Karta Blu” duan të lëshojnë çdo vit. Por duke qenë se kjo kartë nuk është parë si “e drejtë” për emigrantët ekziston mundësia që të refuzohet edhe atëherë kur plotësohen kriteret. Për këtë, autoritetet kombëtare, do të kenë të drejtën e refuzimit të mbajtësve të “Kartës Blu”, të lëshuar nga një shtet tjetër anëtar. Sipas direktivave të miratuara për “Kartën Blu”, shtetet anëtare nuk duhet të nxisin “emigrimin e trurit” nga shtete jo-anëtare të BE-së, përmes kësaj karte, nga ato sektorë për të cilët në shtetet jo-anëtare ka mangësi të fuqisë punëtore, veçanërisht në fushat e arsimit dhe të shëndetësisë. Për më tepër, shtetet anëtare duhet t’i lëshojnë “Kartën Blu” vetëm shtetasve nga shtete jo-anëtare, me të cilët BE-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi në fushën e migrimit.

Përfitimet
Sipas rregullave të përcaktuara, mbajtësit e “Kartës Blu-BE” do të gëzojnë trajtim të barabartë me shtetasit e shtetit anëtar, që lëshon “Kartën Blu”, sa i takon:
Kushteve të punës, përfshirë pagën dhe largimin nga puna
Lirisë së organizimit
Arsimimit, trajnimit dhe njohjes së kualifikimeve
Një sërë dispozitave në legjislacionin kombëtar, lidhur me mbrojtjen shoqërore dhe pensionet
Qasjes ndaj mallrave dhe shërbimeve, përfshirë procedurat për të marrë strehim, shërbime informacioni dhe të këshillimit
Qasje të lirë në të gjithë territorin e shtetit anëtar në fjalë, brenda kufizimeve të parashikuara nga legjislacioni kombëtar

Zhak Barro: “Imigrantët e kualifikuar janë gjithnjë të mirëpritur në Europë”

Këshilli Europian, më 25 maj i dha përfundimisht “dritën e gjelbër” dy normave ligjore, njëra për të futur “Kartën Blu”, për migrimin e punëtorëve shumë të kualifikuar dhe tjetra, lidhur me ndëshkimet për punëdhënës, që punësojnë punëtorë të parregullt, shtetas nga shtete jo-anëtare. Tani shtetet anëtare kanë dy vite kohë për të inkorporuar dhe zbatuar dispozitat e këtyre normave. Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Zhak Barro, riafirmoi se bëhet fjalë për dy elementë të rëndësishëm të politikës së përbashkët mbi imigrimin. “Me miratimin e ‘Kartës Blu’ ne përcjellim një sinjal të qartë, se pavarësisht nga ulje-ngritjet e ekonomisë, imigrantët e kualifikuar janë gjithnjë të mirëpritur në Evropë”. Lidhur me normën tjetër ligjore, Barro theksoi se: “T’u japësh punë imigrantëve të paligjshëm nuk është gjë e parëndësishme. Këta imigrantë janë të rrezikuar shumë të përfundojnë në realitetin e vështirë dhe të ashpër të shfrytëzimit dhe hera-herës në kushte të ngjashme me skllavërinë”.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›