Masakrojnë me levë rojën, ndaloi grabitjen e floririt
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Masakrohet me levë në mes të qytetit të Fushë-Krujës roja i një dyqani të bizhuterive në tentativë për të grabitur. Gëzim Koçiu, 49 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak për shkak të plagëve të marra në kokë dhe në trup.
Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar kanë shkuar rreth orës 02:45 të mëngjesit të djeshëm për të grabitur dyqanin. Por ata kanë hasur në rezistencën e rojës. Në sajë të hetimeve paraprake dhe dëshmive të rojeve të disa objekteve të tjera që janë gjendur afër vendit të ngjarjes, Koçiu kishte thërritur për ndihmë. Dyshohet se në këtë moment, grabitësit janë detyruar të tërhiqen nga ideja e tyre për t'u futur dhunshëm në dyqan. Por para se të largoheshin ata kanë goditur disa herë 49-vjeçarin, duke e lënë atë në gjendje të rëndë mes një pellgu me gjak. Rojet e tjerë që punonin afër e kanë gjetur atë pa ndjenja. Ata lajmëruan menjëherë policinë, ndërsa viktimën e nisën me urgjencë drejt Tiranës. Policia bëri të ditur se i plagosuri punonte prej disa kohësh në dyqanin me bizhuteri në pronësi të F.Musteqes, nga Fushë-Kruja. Mësohet se policia e këtij qyteti shoqëroi gjatë ditës së djeshme 20 persona, të cilët u pyetën për ngjarjen. Sipas burimeve, grabitësit janë larguar më parë se rojet të mbërrinin në vendin e ngjarjes, duke mos iu lënë atyre mundësinë e identifikimit. Dyshohet se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë të kenë qenë më shumë se dy persona. Gjithashtu, policia bëri të ditur se ata dyshohet të jenë banorë të Fushë-Krujës, të cilët e njihnin mjaft mirë terrenin si dhe orarin kur postblloqet e policisë nuk ishin në lëvizje në afërsi të zonës. Në vendin e ngjarjes, policia gjatë ekspertizës nuk ka mundur të gjejë ndonjë objekt që mund të dërgojë në zbulim e ngjarjes. Policia është në pritje të përmirësimit të gjendjes së rojës, i cili momentalisht është në gjendje koma dhe nuk mund të merret në pyetje. Ai është i vetmi që mund të japë informacion mbi identitetin e autorëve, apo të paktën përshkrimin fizik të tyre.