Specialistët ankohen: ”Shqipëria ka vetëm një laborator për ekzaminimet e sëmundjeve ngjitëse”
Drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethet e vendit nuk janë të pajisura me laboratorë për kryerjen e ekzaminimeve në rastet e sëmundjeve infektive. Aktualisht në vendin tonë, laboratorët ekzistojnë vetëm pranë Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, por specialistët kërkojnë që ky sistem duhet të përqendrohet edhe në rrethet e tjera të vendit. Pacientët janë të shpërndarë në të gjithë vendin, pavarësisht se kryeqyteti mban numrin më të madh të qytetarëve. Ndërkohë që për të kryer analiza të ndryshme laboratorike, pacientët nga rrethet mund të marrin përgjigje vetëm në Tiranë. Të tilla janë rastet e të prekurve me AIDS, ku ekzaminimet përfundimtare kryhen në laboratorët e ISHP-së.
Siguria
Autoritetet e shëndetësisë kërkojnë forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe sigurisë, për shëndetin e popullatës, nga sëmundjet infektive. Shefja e Shërbimit Infektiv në ISHP, Silvana Bino, shprehet se në Shqipëri vazhdojnë ende të shënohen shifra të larta për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndër të cilat më i përhapuri mund të renditet sifilizi, i cila ka përhapjen më të madhe pas viteve ’90. “Duke pasur parasysh sifilizin, i cili është shfaqur në vendin tonë pas viteve ‘90, për të cilin ne vazhdojmë të kemi shumë raste nga viti në vit, duhet të themi që sjelljet seksuale akoma kanë nevojë sidomos tek të rinjtë, për të rritur njohuritë”,-, u shpreh Silvana Bino.
Specialistet apelojnë se duhet të merren masa, pasi ndryshe sëmundjet infektive nuk mund të zhduken përfundimisht.
Sëmundjet
Aktualisht sëmundjet seksualisht të transmetueshme përbëjnë rrezikun më të madh. Mbrojtja e qytetarëve me metodat bashkëkohore dhe kryerja e ekzaminimeve do të mund të parandalonin menjëherë shtimin e rasteve të të prekurve.
“Nëse ne do të marrim masa, natyrisht do të kemi një qarkullim të ngadaltë të transmetimit të virusit, sepse sëmundjet infektive nuk mund të zhduken përfundimisht, ka sëmundje që mund të zhduken po ka dhe që jo”,- theksoi Bino.
1 Qershor 2009