Barnat e rimbursueshme, pas 1 qershorit nis shpërndarja në
Emanuela Sako
Kategoritë përfituese të barnave me rimbursim do të mund të marrin përfitimet pas 1 qershorit. Burime nga ISKSH-ja bëjnë të ditur se pensionistët dhe qytetarët e pajisur me librezë shëndetësore mund të marrin barnat pas shpërndarjes së tyre në farmacitë e vendit që do të bëhet brenda pak ditësh. Farmacitë e vendit, duket se kanë mungesa në barnat e rimbursueshme për shkak të hyrjeve të reja në treg. Lista e barnave me rimbursim për 2009-ën u përcaktua dy javë më parë nga specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Barnat
Aktualisht farmacitë kanë paraqitur kërkesat pranë depove farmaceutike për barnat që mungojnë në farmaci. Ndërkohë që të sëmurët do të mund të bëjnë blerjet e para me rimbursim Brenda pak ditëve. ISKSH-ja po bën kalkulimet e fundit për shpërndarjen e tyre në farmaci. Ndërkohë që barnat më të shumat që mund të blihen janë ato për sëmundjet kronike, sëmundjes së zemrës, veshkave etj. Këto janë sëmundjet që prekin më tepër moshat e mëdha. Por pjesë e listës janë dhe një numër barnash për fëmijët e vegjël, të cilat vitin e kaluar kanë pasur rimbursimin më të madh. Ndërsa këtë vit prioritet kanë pasur të prekurit nga sëmundjet e gjakut, ata që kryejnë transplantimet etj.
Barnat e reja
Lista e barnave me rimbursim të plotë do të shtohet me 30 hyrje të reja. Përfitues të listës do të jenë pacientët që vuajnë nga alergjitë, sëmundjet e astmës, sëmundjet e gjakut, sëmundjet e veshkave etj. Ndër barnat e shtuara ofrohen alternativa të reja terapeutike të gamës së barnave antispastike, diuretike, antiepileptike, neuroleptike etj. Pjesë e listës janë bërë edhe dy barna të reja për diagnoza të patrajtuara më parë; imatimib, që përdoret për trajtimin e leucemisë mieloide kronike, alternativë e vetme për trajtimin e këtij lloji kanceri. Ndërsa për trajtimion e të sëmurëve me veshka është rimbursuar Vangancikloviri dhe Antivirali, i domosdoshëm për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen tranplantit të veshkave në fazën post transplant. Propozimet e bëra nga spitalet për rimbursimin të barnave ishin të mëdha, ku përfshiheshin një listë e gjatë medikamentesh. Por nuk ofroheshin mundësitë financiare për përballimn e të gjitha kërkesave. Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme ka marrë parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda. Vitin e kaluar lista u shtua me 21 barna dhe formë-doza, të cilat u bënë të ditura nga ISKSH-ja.
1 Qershor 2009