Bankat tkurrin kredinë, po ulet aktiviteti i ndërtimit
Fabiola Çela
Tkurret aktiviteti i sektorit të ndërtimit. Shkak janë kriza ndërkombëtare, e cila duket se ka ulur besimin e ndërtuesve. Ndërkohë, për herë të parë një ndër shkaqet e tkurrjes së aktivitetit të ndërtimit janë bankat dhe kushtet e tyre shtrëngese në dhënien e kredive. Ekonomia informale si dhe kuadri ligjor vazhdojnë të mbeten dy ndër faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin më tej të sektorit të ndërtimit. Por pavarësisht kësaj situate të krijuar, për muajt në vijim ndërtuesit janë shprehur optimistë, çka do të thotë se sipas tyre pritet që këtë vit niveli i shitjeve të pësojë rritje.
Raporti
Në raportin e saj më të fundit Banka e Shqipërisë ka analizuar ecurinë e sektorit të ndërtimit për vitin 2008. “Zhvillimet pozitive dhe prirja e theksuar rritëse në tremujorin e fundit të vitit 2007, dhe dy tremujorët e parë të vitit 2008, pësuan njëfarë frenimi në dy tremujorët e fundit”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Kjo ecuri konfirmohet dhe nga treguesi i vrojtimeve për sektorin e ndërtimit. Bazuar në të dhënat e vrojtimit të besimit të firmave ndërtuese, besimi në këtë sektor është ulur për shkak të vlerësimeve negative të ecurisë së përgjithshme ekonomike dhe të ecurisë së vetë firmës, së bashku me vlerësimet në rënie të prodhimit. Gjendja e inventarëve të firmave ndërtuese është paraqitur e rritur në tremujorin e fundit të vitit 2008, duke kontribuar në uljen disi të çmimeve të banesave për Tiranën gjatë kësaj periudhe. Indeksi i çmimeve të banesave gjatë dy tremujorëve të fundit të vitit 2008 ra me 4.3 për qind dhe 0.9 për qind respektivisht.
“Bazuar në opinionet e firmave të ndërtimit, përgjatë periudhës 2004-2008, vihet re se faktori më i rëndësishëm që ka penguar zhvillimin normal e aktivitetit në këtë sektor, ka qenë prania e ekonomisë informale. Ndërkohë që si faktori i dytë më i rëndësishëm, nga firmat e ndërtimit, vlerësohet të jetë kuadri ligjor dhe institucional. Rëndësia e këtij faktori ka ardhur duke u rritur gjatë kësaj periudhe. Në ndryshim nga vitet e mëparshme, viti 2008 pasqyroi një rritje të rëndësisë për faktorin “marrëdhënie me bankat”, i cili u rendit si faktori i tretë i rëndësishëm që ka penguar veprimtarinë e firmave ndërtuese” thuhet në raport. Ndërkohë që problemet me klimën politike dhe me infrastrukturën janë vlerësuar në rënie që pas vitit 2006 dhe janë konsideruar me ndikim më të ulët në vitet në vijim. Por pavarësisht kësaj situate të krijuar, për të ardhmen ndërtuesit shprehen optimistë. “Të dhënat më të fundit, bazuar në vrojtimin e besimit, tregojnë se firmat ndërtuese presin përmirësim të situatës së prodhimit në tremujorin e parë të vitit 2009. Gjithashtu, ato presin kërkesë të mjaftueshme për të zvogëluar nivelin e inventarëve të tyre të grumbulluar në tremujorin e parë të vitit 2009”, thuhet në raport.
Periudha e artë
Aktiviteti i sektorit të ndërtimit ka pësuar një hov të ri zhvillimi, që prej fundit të vitit 2007, pas zgjidhjes së situatës së lejeve të reja të ndërtimit. Treguesi i shifrës së afarizmit në vëllim ka pasqyruar përmirësimin e aktivitetit ekonomik në ndërtim gjatë vitit 2008. Gjithashtu edhe numri i punonjësve me pagesë në ndërmarrjet ekonomike ka regjistruar përmirësim të ndjeshëm gjatë vitit 2008, për aktivitetin ndërtues.
Qiraja
Indeksi i qirasë së banesave u rrit me 12.3 për qind në terma vjetorë në tremujorin e parë të këtij viti, pasi kishte pësuar rënie me 4.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2008. Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ky indeks ka pësuar një rënie të lehtë, 0.4 për qind. Raporti i indeksit të çmimeve ndaj qirasë së banesave është ulur më tej në tremujorin e parë të vitit 2009.
Kredia
Bankat kanë shtrënguar kushtet për dhënien e kredive për shtëpi. Gjatë muajve të fundit të vitit 2008, portofoli i kredisë për individë tregon tkurrje të kredisë për konsum dhe një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për shtëpi. Kredia për shtëpi shënoi rritje vjetore prej 22 për qind, duke u ngadalësuar dukshëm me 20 pikë përqindjeje, për të njëjtën periudhë.
Çmimet
Në tremujorin e parë të vitit 2009, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 9.2 për qind në krahasim me një vit më parë; ndërsa ra me 5.7 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Rritja vjetore gjatë këtij tremujori përbën një pikë kthese në prirjen rënëse të indeksit të çmimit të banesave, e cila ka filluar që në tremujorin e katërt të vitit 2007.