Xhufi: Nëpunës civilë në fushatë, Berisha shkel ligjin
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi Kryeministrin Sali Berisha se po shkel hapur ligjin “Për administratën publike”, duke përfshirë punonjësit e institucioneve në fushatat elektorale të PD-së. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi në konferencën e djeshme për shtyp tha se “këto ditë dhe këto javët e fundit është parë që nëpunës të administratës publike qoftë në qendër qoftë asaj lokale, mësues apo mjekë janë depërtuar nëpër mitingjet e PD, nëpër mitingje të Berishës, Topallit dhe të instrumenteve të tjerë të partisë në pushtet. Kemi parë dhe konstatuar që nëpunës civilë marrin pjesë si agjitatorë të partisë në pushtet në aktivitete të lidhura me fushatën zgjedhore, për zgjedhjet e 28 qershorit”. “Do dëshironin me këtë rast t’i kujtonim z. Berisha por dhe atyre nëpunësve të zellshëm, agjitatorë se me veprimtarinë e tyre janë në shkelje flagrante të ligjit dhe për këtë sigurisht do të përgjigjen përpara ligjit”, theksoi Xhufi. Sipas LSI-së, “sot më shumë se 25% e administratës publike përfaqësohet nga nëpunës të marrë jo në bazë të kërkesave të ligjit të shërbimit civil, por nëpunës të marrë me kontratë të përkohshme. Vetëm javët e fundit janë rekrutuar rreth 3 mijë nëpunës të tjerë civilë, të cilët janë kontingjent që do të përdoret për zgjedhjet e ardhshme”. “Ne si LSI duam të theksojmë me forcë se pas piramidës financiare të ngritur në vitet ’90 nga z. Berisha kjo politikë me administratën publike, përfaqëson një piramidë po aq të rrezikshme se kësaj radhe ngihet brenda institucioneve të shtetit”, theksoi Xhufi. Nënkryetari i LSI-së shton se “forca e tij politike do të vigjilojë dhe do të denoncojë të gjitha rastet përdorimit dhe shpërdorimit të nëpunësve dhe administratës publike, për qëllime elektorale. LSI, duke e konsideruar këtë përdorim të administratës publike bashkë me procesin e kompromentuar të shpërndarjes së kartave të identitetit, bashkë me presionet që bëhen mbi mediat në këtë fushatë elektorale, si një nga faktorët kryesorë që kërcënon integritetin e këtyre zgjedhjeve.