Bankat të tregojnë kujdes
Sistemi bankar në Shqipëri duhet të jetë më i kontrolluar dhe për këtë nevojitet një rol më “agresiv” i Bankës së Shqipërisë. Ky është një nga shqetësimet që ngre administratori i Qendrës Studimore të Kontabilitetit, Agim Binaj, i cili gjatë intervistës së dhënë për gazetën pohon gjithashtu, se “Banka e Shqipërisë është shumë e ngadaltë në kuadër të kontrollit të industrisë së hartimit të bilanceve dhe industrisë financiare në tërësi”. Sipas tij, industria financiare në vendin tonë duhet të jetë më e kujdesshme për pasojat që po vihen re në tregjet evropiane dhe më gjerë, dhe lidhur me këtë, duhet të merren masa paraprake. “Në kuadër të mbikëqyrjes intensive të tregut bankar në vend dhe hartimit të planeve në rast prekjeje nga kriza, Banka e Shqipërisë është shumë e ngadaltë. Çfarë është e aftë të bëjë kjo bankë nëse ne përfshihemi në krizë?” - ngre pyetjen Binaj.
Kreditë e këqijaNjë nga pikat kyçe tek të cilat Binaj vë theksin, është ajo e lidhur me kreditë e këqija, ose kredi që njihen ndryshe si të pamenduara mirë. “Është fakt që për të dhënë kredi, një bankë e nivelit të dytë u beson pasqyrave financiare të hartuara nga kompania dhe nuk merr parasysh ato bilance që kompanitë dorëzojnë në degët e Tatim-Taksave. Këtu lind pyetja: a është i mbikëqyrur nga BSH-ja mekanizmi i dhënies së kredisë në vend dhe a duhet që banka e nivelit të dytë t’u besojnë pasqyrave financiare të hartuara nga kompanitë, pasi këto të fundit nuk janë të njëjta me ato të dorëzuara në shtet”. Sipas Binajt, pjesë e krizës financiare mund të jetë edhe momenti kur bankat nuk arrijnë të vjelin paratë e dhëna.
KolateraliDuhet thënë se shpeshherë, një bankë jep kredi duke përdorur si kolateral pronën e biznesit përfitues të shumës së kredituar. Kjo shërben si garanci për bankën dhe në rastin kur kompania apo individi nuk shlyen detyrimet financiare, atëherë i sekuestrohet prona. Por sipas ekspertëve, kjo është një problematikë me bazë të gjerë, e cila mund të sjellë zhbalancim në tregun bankar dhe, si rrjedhojë, futje të vendit në krizë financiare. “Është e vërtetë që për të dhënë kredi banka mban si kolateral ose si garanci pronën e përfituesit të kredisë, e cila sekuestrohet në raste kur i kredituari nuk shlyen detyrimet. Por kjo konsiderohet pasuri e paluajtshme dhe mund të ndodhë që bankat të akumulojnë shumë pasuri të paluajtshme dhe më pas varet nga tregu i pasurive shitja ose jo e tyre, çka nëse nuk ka treg, bllokohen paratë e bankës dhe vijnë çrregullime në dëm të konsumatorit”, pohon Agim Binaj.
A prekemi nga kriza?Sipas Binajt, rreziku i përfshirjes së vendit tonë në krizën financiare ekziston, por jo në nivele të frikshme dhe paniku. Binaj tregon se bankat në Shqipëri nuk janë me kapital vendas, por me kapital të huaj, dhe kjo bën që të jenë të prekshme nga çrregullimet financiare në Evropë dhe më gjerë. “Bankat tona kanë aksionerë të huaj dhe varen nga banka mëmë, çka bën që paratë e shqiptarëve të nxirren jashtë. Kështu, ne ndikohemi nga lëvizjet e tregut financiar në Evropë dhe kjo bën që të jemi të ekspozuar ndaj krizave të ndryshme”, pohon Binaj, duke përfunduar se, “në rast përfshirjeje në krizën financiare, vendi nuk do të mund ta përballonte pasojat, pasi shtete të ndryshme evropiane derdhin paketa me vlera të përllogaritura në miliona