E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skaner nudo

Parlamenti Evropian i hap rrugën përdorimit të skanerëve të trupit

Shumë shpejt, ndërsa udhëtojmë nëpër vendet e Bashkimit Evropian, mund ta shohim veten tërësisht nudo në skaner. Komisioni i Transportit në Parlamentin Evropian i dha dje “OK” përdorimit të “body scanner” (skaner i trupit) edhe në aeroportet evropiane, me kusht që ato të mos jenë të detyrueshëm, por të përdoren si alternativë shtesë për kontrollin e pasagjerëve dhe të respektojë privatësinë e tyre. Detektori special do t’u lejojë agjentëve në aeroporte që të shohin një person si të ishte praktikisht i zhveshur. Pas shumë debateve gjatë ditëve të kaluara nga eurodeputetët, garancitë dhe saktësimet e Parlamentit Evropian mbi përdorimin e kësaj pajisjeje erdhën nga vetë komisioneri evropian i Transporteve, Antonio Tajani, përmes postës. Në një letër-përgjigje drejtuar eurodeputetëve, ekzekutivi i BE-së thekson se “body scanner” do të jetë vetëm opsional dhe jo i detyrueshëm. Me fjalë të thjeshta do të thotë se, nëse agjentët në pikat e kontrollit të aeroportit do të jenë dyshues në lidhje me persona të caktuar, mund t’u kërkojnë atyre që të kalojnë përmes skanerit të trupit, për t’u siguruar se çdo gjë është në rregull. Për sa u përket aspekteve të tjera lidhur me privatësinë dhe shëndetin e pasagjerëve, përpara se të hyjë në fuqi përdorimi i këtij skaneri, natyrisht do të bëhen disa analiza më të sakta. “Personalisht nuk do të kisha asnjë problem t’i nënshtrohesha skanerit të trupit”, - shpjegoi komisioneri para gazetarëve, duke komentuar futjen e kësaj pajisjeje nëpër shtetet anëtare të BE-së. Tajani shpjegoi se objektivi parësor i komisionit është që të ofrojë siguri pa i shqetësuar shtetasit. “Kontrollet nuk do të kryhen vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit, por edhe kundër trafikut të drogës”, - shtoi ai. Por natyrisht, si çdo vendim, edhe ky hasi në kundërshtime të forta. Eurodeputeti radial Marco Cappato e kritikoi ashpër këtë vendim, duke thënë se nuk është menduar aspak mirë. “Përpara se të miratohej një masë e tillë pornografie të detyruar për agjentët e policisë nëpër aeroporte, do të ishte e nevojshme një analizë e thelluar mbi kostot dhe përfitimet në krahasim me masat e pabaza mbi këto teknologji pushtuese”, - u shpreh ai, duke shtuar se në vend të përdorimit të këtij skaneri do të ishte më mirë të zhvillohej inteligjenca parandaluese e agjentëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›