E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrenjtohet jetesa për shqiptarët

Gjatë muajit shtator, disa prej produkteve ushqimore kanë pësuar rritje çmimesh në nivele të konsiderueshme, ndërkohë që është ulur kostoja për komunikimin dhe transportin

Gjatë muajit shtor, shqiptarët kanë shpenzuar shumë më tepër sesa një vit më parë për disa kategori produktesh, ku në plan të parë vendoset grupi “Argëtim dhe kulturë”, me rritje të indeksit të çmimeve me plot 10.2 për qind. Ekspertët e Institutit të Statistikave tregojnë se kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të teksteve shkollore në masën 73.8 për qind, ndërkohë që arsyeja lidhet me uljen e masës së subvencionit nga 70 për qind që ishte në vitin 2007, në 50 për qind në vitin 2008.

Gjatë muajit shtator, inflacioni lidhur me indeksin e çmimeve ka qenë në nivelin e vetëm 2.7 për qind, ndërkohë që gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë ky tregues ka qenë shënuar në plot 4.4 për qind. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se, sipas vlerave të sipërpërmendura, kemi një rënie të indeksit të çmimeve në tërësi me plot 1.7 për qind. Megjithatë, shifrat nuk janë optimiste krahasuar me periudha të veçanta brenda vitit. Mjafton për të përmendur këtu rritjen e çmimit të produkte ushqimore apo edhe të atyre në përgjithësi me rreth 1.1 për qind për muajin shtator, krahasuar kjo me muajin gusht.

Rritja e çmimeve sipas produkteve

Sipas INSTAT-it, rritje të ndjeshme çmimi ka pësuar edhe grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, rritje e kjo e shënuar në nivelin 2.1 për qind vetëm për shtatorin. “Rritja më e madhe e çmimeve brenda kësaj kategorie është vërejtur në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet” me afro 7.1 për qind. Gjithashtu, eksitojnë edhe kategori të tjera të produkteve ushqimore, si dhe pijeve joalkoolike, që kanë pësuar rritje të indeksit të çmimeve gjatë shtatorit, ku duhet përmendur mishi, buka dhe drithërat, vajrat ushqimorë etj.”, tha dje Alketa Spartaku, specialiste pranë Institutit të Statistikave. Gjithashtu, Spartaku u ndal edhe tek kategorizimi “duhan”, ku deklaroi se çmimi i këtij produkti ka shënuar rritje me 2 për qind. Ndërkohë, duket se sipas specialistes, sektori i produkteve që ka shënuar rritje në nivele më të ulëta është ai i veshjeve dhe këpucëve me vetëm 0.3 për qind dhe ai me rritje më të madhe është sektori “Argëtim dhe kulturë”.

Sektorët ku janë ulur çmimet

Gjatë muajit shtator, ulje më të madhe të çmimeve ka shënuar sektori i “Komunikimit” me afro 9.1 për qind në tërësi, ndërkohë që ky nivel është prekur ndjeshëm nga ulja e çmimit në telefoninë celulare në masën 13.4 për qind. Gjithashtu, INSTAT-i vëren se ulje të indeksit të çmimeve ka edhe në kategoritë “Fruta, perime” dhe “Transport”, përkatësisht me 0.7 dhe 0.5 për qind. Lidhur me kategorinë e transportit, gjatë muajit shtator, çmimi i naftës është ulur me 3.3 për qind dhe i benzinës me 2.8 për qind krahasuar me muajin gusht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›