E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të bëjmë vetëgjyqësi

DURRËS – Ata deklarojnë vetëdrejtësi, nëse shteti dhe policia nuk marrin masa për zbardhjen urgjente të vdekjes së beftë të 19-vjeçarit Aldair Alia, që u shua papritur tri ditë më parë, pasi u paraqit në urgjencën e spitalit të Durrësit për një dhimbje të thjeshtë koke. Aldairi, banues në fshatin Arapaj në Durrës, qëndroi shtarë ditë në koma, derisa mjekët i hoqën aparaturat artificiale që e mbanin në jetë, pasi ai nuk kishte më shpresa. Daja i të riut, Shkëlqim Hasani, tregoi dje se “djali është dërguar në urgjencë me të atin e tij, Jasinin, pasi kishte dhimbje koke. Ai ka qëndruar derisa djali ka mbaruar serumin dhe dy injeksione, ndërsa mjeku roje, Arian Tivari, e nisi në shtëpi. “Por kur doli tek dera, djali volli përsëri. Jasini i tha mjekut që ishte marrë me djalin, se Aldairi nuk ndihej mirë, por ai iu përgjigj se “nuk ka gjë, çoje djalin në shtëpi”, thotë Hasani, i cili fajëson mjekët e urgjencës për neglizhencë dhe mosmjekim të duhur. Pas mbërritjes në shtëpi djali u bë më keq dhe filloi të mos reagonte. Pas dy-tri orësh u bë edhe më keq dhe e dërguan më spital, ku u transportua me urgjencë në reanimacion. “Ne kërkuam gjatë gjithë këtyre ditëve që të vinte mjeku Arian Tivari, që të shpjegonte se çfarë ndodhi me djalin tonë, por ai nuk është parë fare në katin e dytë të kirurgjisë. “Ne fajësojmë pikërisht këtë njeri, sepse në rast se djali do të kishte marrë mjekimin e saktë dhe ata do të ishin kujdesur, ai nuk do të kishte vdekur”, deklaron daja i 19-vjeçarit, i cili pak ditë më parë u kall në dhe. 19-vjeçari ra në koma dhe ndenji ashtu për disa ditë. Shkëlqim Hasani ka kërkuar shpjegime edhe nga drejtori i spitalit rajonal të Durrësit, Neritan Myderrizi, duke i kërkuar që të bëjë denoncimin për mjekun, por ky i fundit nuk i është përgjigjur fare. Që ditën e parë që vajti në spital, Shkëlqim Hasani ka bërë deklarimin e tij në polici për ngjarjen, duke nënvizuar sjelljen e keqe dhe neglizhencën e mjekut të urgjencës, Arian Tivarit. Ai është shprehur dje se, “në rast se shteti nuk vë dorë, do të jem unë që do ta vë drejtësinë në vend. Djali ynë iku në lule të moshës për faj të tyre dhe ishte vetëm 19 vjeç”, deklaron ai. Policia e Durrësit ka marrë deklarimet e të afërmve dhe të mjekëve të urgjencës që ditën e parë të ngjarjes, ndërkohë që nuk dihet nëse prokuroria ka nisur apo jo hetimet për këtë vdekje të papritur.

  U regjistrua në spital për dhimbje koke 

Mësohet se Aliu është paraqitur ditën e Fiter Bajramit në urgjencën e spitalit, ku ka qëndruar më pak se një orë. Pasi i bënë një serum dhe dy injeksione për dhimbje koke, mjeku e nisi atë në shtëpi, pasi gjendja e tij shëndetësore duket se nuk ishte problematike. Vetëm tri orë më pas, 19-vjeçari është sjellë sërish me urgjencë në dyert e spitalit rajonale në koma, thuajse i vdekur. Burime të besueshme nga spitali kanë bërë të ditur se ditën që ai është paraqitur në urgjencë dhe është regjistruar në librin e regjistrit me nr. 31 218, diagnoza e tij ka qenë cefale (dhimbje koke). Sipas analizave që iu kryen viktimës gjatë kohës së qëndrimit në koma, diagnoza e sëmundjes së Aldairit ishte ajo e paralizës cerebrale. I kontaktuar nga gazeta, drejtori i spitalit rajonal të Durrësit, Neritan Myderrizi, ka bërë të ditur se ai vetë nuk e di diagnozën, por grupi mjeko-ligjor ka bërë ekspertizën dhe ka nxjerrë edhe shkakun e vdekjes.

A.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›