E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat tregtare lejojnë pastrimin e parave

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Në mbikëqyrjen më të fundit të publikuar në raportin e bankës qendrore vihet theksi tek rreziku që i kanoset vendit nga klientët e bankave tregtare, që konsiderohen me rrezik për shoqërinë.
Kështu, Banka e Shqipërisë ka lënë të nënkuptohet se një nga problemet që është hasur gjatë ekzaminimeve është edhe lejimi i i fenomenit të pastrimit të parave nga persona, jo shumë të pastër , përsa i përket origjinës së të ardhurave të tyre. Megjithatë, banka qendrore e justifikon një tolerancë kundrejt të tillë klientëve, me faktin se kjo ka ndodhur më parë se të miratohej “Ligji për Bankat”. Por, problemi më i madh që shqetëson ekonominë e vendit duket se është kredidhënia, e cila ka marrë përmasa të gjera vitet e fundit. Po, duke ju referuar raportit në fjalë mësohet se bankat e nivelit të dytë për shkak të konkurrencës së lartë japin më shumë kredi sesa mund të jetë e përballueshme nga këto të fundit në rast të një krize. Shqetësimi sa vjen edhe shtohet kur globi është përfshirë nga një krizë bankare, ku bankat kanë mungesa në masën e likujditetit. Ku çalon puna me bankat e nivelit të dytë
Ligji për bankat: Janë konstatuar shkelje veçanërisht në drejtim të ekspozimit ndaj personave të lidhur dhe rreziqeve të mëdha. Këto, kryesisht për shkak të ndryshimit të kufijve nga ligji i ri, pasi bankat e kishin marrë përsipër ekspozimin para hyrjes në fuqi të ligjit.
Rregullorja “Për administrimin e rrezikut të kredisë”
Niveli i rrezikut ndaj kredimarrësve është shqyrtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa raste, është konstatuar respektim jo i drejtë i kësaj rregulloreje. Plotësimi i dokumentacionit në përputhje me kërkesat e saj, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme në vijim të konstatimeve.
Rregullorja “Për pozicionet e hapura valutore”
Ekzistojnë disa raste sporadike të mosrespektimit të kësaj rregulloreje. Megjithatë, kanë qenë situata të përkohshme të cilat janë përmirësuar shpejt.
Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”
Mosrespektimet kanë qenë kryesisht të natyrës teknike si dhe të interpretimit të kërkesave.
Rregullorja “Për veprimtarinë valutore”
Vërejtjet për zbatimin e kësaj rregulloreje lidhen kryesisht me qëllimin e transfertave apo me dokumentacionin mbështetës.
Rregullorja “Për parandalimin e pastrimit të parave”
Mangësitë janë të lidhura me parandalimin e transaksioneve të dyshimta, ngritjen dhe respektimin e strukturave, trajnimin e personelit, krijimin e një baze të dhënash.
Rregullorja “Për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë”
Mosrespektimet e kësaj rregulloreje janë më të shpeshta se të mësipërmet. Kjo tregon nevojën për investim më të madh të bankave, në përmirësimin e sistemeve të teknologjisë dhe informacionit. Këto përmirësime duhet të bëhen në drejtim të vlerësimit të sistemeve, garantimit të sigurisë fizike, hartimit të planit të operimit, dokumentimit të veprimtarisë, planit të rekuperimit në rast fatkeqësie. Gjithashtu, është rekomanduar në mënyrë të vazhdueshme kontrolli i sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, nga shoqëri të specializuara.
Rregullorja ”Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike”
Mangësitë lidhur me këtë rregullore, kanë të bëjnë me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe kohën e dorëzimit të tij në Bankën e Shqipërisë.
Udhëzimi ”Për transparencën e operacioneve dhe shërbimeve bankare”
Mosrespektimet kanë të bëjnë kryesisht me dhënien e informacionit në kohë, për ndryshimin e kushteve të punës në respektim të kontratave.

Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›